31/10/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim Ministren e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu.
Presidenti Begaj përshëndeti nismat dhe reformat e reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë, si dhe përkushtimin për përputhshmërinë me politikat Euroatlantike.
“Është një proces i gjatë dhe aspak i lehtë, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se kryerja e reformave në interes të qytetarëve përmbush ëndrrën tonë si komb, atë të integrimit në Bashkimin Evropian”.
Në takim u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer mes institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.
Presidenti Begaj shprehu rëndësinë e avancimit të këtij bashkëpunimi në projektet strategjike të Portit të Durrësit, Portit të Thatë të Prishtinës dhe hekurudhës Durrës-Prishtinë që do të na ndërlidhin më shumë.
Kreu i Shtetit nënvizoi se bashkëpunimi mes shqiptarëve ka rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe perspektivën Euroatlantike të dy vendeve dhe të gjithë rajonit si qëllim strategjik.
Presidenti i Shqipërisë rikonfirmoi angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, teksa shtoi se është i rëndësishëm hartimi i strategjive të përbashkëta për të prezantuar reformat e ndërmarra dhe progresin e synuar.
“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë aty për Kosovën”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili theksoi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, pavarësisht çdo tentative dashakeqe që është e destinuar të dështojë.