Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 8262

Lajme

Presidenti Begaj pret Gjeneralmajorin amerikan Daniel Lasica

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim Gjeneralmajorin amerikan Daniel Lasica, Drejtor i Politikave, Strategjisë, Planifikimit dhe Kapaciteteve i Komandës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë.

Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës u shpreh se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është shumë i rëndësishëm dhe në këtë kontekst vlerësoi rolin që Komanda Evropiane e SHBA-së luan në nxitjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura Shqiptare.

Presidenti Begaj, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë,  e cilësoi jetike mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transformimin, modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të ushtrisë shqiptare në përputhje me standardet e NATO-s.

Presidenti Begaj vlerësoi dhe stërvitjet e përbashkëta “Defender Europe”, drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së, në të cilat Shqipëria ka qenë dy herë mikpritëse.

Shqipëria është plotësisht e angazhuar për mbrojtjen kolektive, theksoi Presidenti i Republikës, duke rikonfirmuar mbështetjen ndaj Ukrainës, pasi, siç u shpreh ai, “po jetojmë në një kohë të paprecedentë për sigurinë Euroatlantike”.