Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 5750

Lajme

Presidenti Begaj pranon Letrat Kredenciale të Ambasadorit të ri të Republikës Çeke, z. Pavel Vacek

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të ri të Republikës Çeke, rezident në Shqipëri, Sh. T. Z. Pavel Vacek.

Presidenti i Republikës i uroi mirëseardhjen Ambasadorit të ri të Republikës Çeke në Tiranë dhe vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet midis dy vendeve.

Presidenti i shprehu Ambasadorit mirënjohjen për mbështetjen e vendosur të Republikës Çeke drejt perspektivës së Shqipërisë në BE.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi se intensifikimi i marrëdhënieve do të çojnë në një nivel më të lartë bashkëpunimin midis dy vendeve.

Presidenti Begaj i kërkoi Ambasadorit Vacek nxitjen e vijimësisë së bashkëpunimit në fushat ku tashmë kemi një traditë shumë të mirë, sikundër është ajo e punëve të brendshme, ku Kreu i Shtetit  vlerësoi në mënyrë të veçantë angazhimin e Republikës Çeke në misionin FRONTEX në Shqipëri, në mbështetjen e Policisë Rrugore dhe në modernizimin e Institutit të Policisë Shkencore.

“Ne jemi të gatshëm”, – u shpreh Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, – për të forcuar më tej marrëdhëniet ekonomike me interes të ndërsjellë, sikundër edhe marrëdhëniet në fushën e arsimit dhe kulturës, ku ende ka shumë mundësi të paeksploruara”.

Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë takim të parë më Ambasadorin Vacek për të falënderuar Republikën Çeke që gjatë Presidencës së saj së BE-së u mor vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si edhe për vullnetin e mirë të qeverisë çeke për ngritjen e nivelit të përfaqësimin diplomatik në Kosovë në nivel ambasadori.