Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Untitled Artwork 2 2

Lajme

Presidenti Begaj pranon Letrat Kredenciale nga ambasadorja e re e Republikës së Ganës, Francisca Ashietey-Adunton

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Republikës së Ganës, zonja Francisca Ashietey-Adunton, me rezidencë në Ankara.Pasi i uroi suksese në përmbushjen e misionit të saj diplomatik në Shqipëri, Presidenti Begaj, nënvizoi nevojën e identifikimit dhe nxitjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. “Pavarësisht distancës gjeografike, por edhe interesave e prioriteteve rajonale, të dy vendet kanë mundësira të shumta bashkëpunimi, të cilat duhen eksploruar sa më mirë të jetë e mundur” – u shpreh Kreu i Shtetit.

Untitled Artwork 1 1 1Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis dy vendeve si anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht në adresimin e çështjeve më të nxehta, si agresioni ushtarak Rus në Ukrainë, por edhe çështje të tjera që lidhen me paqen dhe sigurinë në kontinentin Afrikan.Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu njohjen e Kosovës nga Republika e Ganës, duke e konsideruar këtë një veprim diplomatik që përbën një kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm.