Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 1093

Lajme

Presidenti Begaj përkujton ngjarjen e 26 viteve më parë të ndodhur në Reçak të Kosovës, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përkujtoi sot ngjarjen e 26 viteve më parë të ndodhur në Reçak të Kosovës, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre.

Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, President Begaj nderoi viktimat dhe të gjithë shqiptarët që i rezistuan gjenocidit serb për lirinë e Kosovës.

Kreu i Shtetit njëkohësisht shprehu mirënjohje ndaj Ambasadorit amerikan William G. Walker, shef i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, i cili nga Reçaku i bëri të ditur botës krimin kundër njerëzimit në Kosovë.

“Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj”, – shkruan Presidenti i Republikës Bajram Begaj në mesazhin e tij të shoqëruar me fotot e disa mediave të kohës, të cilat ndërkombëtarizuan faktet e gjenocidit serb në Kosovë.

“Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Kosovës, u ekzekutuan dhe masakruan barbarisht nga njësitë kriminale serbe 45 shqiptarë civilë të paarmatosur.

Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj.

Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës, që qëndruan për lirinë e saj!

Mirënjohje Ambasadorit amerikan William G. Walker, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit!”, – shkruan Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj.