Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 1561

Lajme

Presidenti Begaj përkujton Kongresin e Lushnjes, një nga ngjarjet e mëdha të historisë së kombit tonë

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përkujtoi sot Kongresin e Lushnjes, një nga ngjarjet e mëdha të historisë së kombit tonë, ku patriotët shqiptarë, të mbledhur më 21-31 janar të vitit 1920, vulosën aktin e shpëtimit të Shqipërisë nga copëtimi dhe i treguan botës fuqinë e bashkimit dhe të pavarësisë.

Në 105-vjetorin e nisjes së Kongresit të Lushnjes, Presidenti Begaj vlerëson përpjekjet e delegatëve, të cilët dëshmuan aftësi për vetëvendosje, duke vendosur interesat e kombit mbi gjithçka.  

“Ata sfiduan çdo rrezik, dëshmuan vullnet të epërm në mbrojtje të tokave shqiptare dhe lirisë përballë forcave antikombëtare e atyre pushtuese,” – shkruan Presidenti i Republikës në mesazhin e tij. 

Presidenti Begaj thekson se delegatët e Kongresit të Lushnjes do të kujtohen gjithmonë me nderim pasi “Shqipëria është ngritur dhe mbrojtur nga njerëz të tillë, nga akte dhe vlera të tilla të larta”.

Mesazhi i plotë i Presidentit Begaj në profilin zyrtar në Facebook:

“Sot, 105 vjet nga Kongresi i Lushnjes, i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane, që vetëvendosi aktin themeltar të shtetit duke e shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja. Më 21 janar të 1920-ës, patriotët shqiptarë u mblodhën në Lushnje për të ringjallur pavarësinë e vendit, për të mbrojtur ëndrrën dhe sakrificën e Kuvendit të Vlorës. Ata sfiduan çdo rrezik, dëshmuan vullnet të epërm në mbrojtje të tokave shqiptare dhe lirisë përballë forcave antikombëtare e atyre pushtuese. Shqipëria është ngritur dhe mbrojtur nga njerëz të tillë, nga akte dhe vlera të tilla të larta. Shqiptarët do t’i kujtojnë përjetë me nderim të thellë ata”.