Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Foto 4 njoftim

Lajme

Presidenti Begaj i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten e Sllovenisë Pirc Musar

Pyetja nr. 1- Kohët e fundit Këshilli i Bashkimit Evropian i ka kushtuar rëndësi më të madhe Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, por edhe për shkak të situatave të krijuara. Si e vlerësoni bashkëpunimin mes vendeve edhe në dritën e këshillave që Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropian jep herë pas here për ne?

Presidenti Begaj – Në fakt bashkëpunimi rajonal mbetet një parakusht për anëtarësimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Shqipëria i kushton një vëmendje shumë të madhe bashkëpunimit rajonal bazuar në rregullat e fqinjësisë së mirë dhe BE-ja e ka falënderuar për rolin proaktiv që Shqipëria ka në lidhje me ndërtimin e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë së mirë, krijimit të një fryme të bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon.

Shqipëria vlerëson qasjen e re të Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit, por natyrisht kjo nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga plotësimi i standardeve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Rajoni ynë përballet me disa çështje sensitive të cilat janë të trashëguara nga e kaluara, nga e kaluara e largët dhe e afërt, për të cilat ne nuk duhet të mbetemi peng i tyre. Duhet të na shërbejnë për mësimet e nxjerra, por duhet të mendojmë më shumë për çështjet që i interesojnë më shumë popujve tanë në të sotmen, në ato që do i interesojnë për të ardhmen, sidomos për të garantuar një prosperitet për popujt tanë, veçanërisht për rininë.

Në këtë këndvështrim do të thoja që Shqipëria patjetër ka një falënderim të veçantë për Slloveninë, për faktin që ka qenë një mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e integrimit dhe një avokate shumë e mirë e procesit të zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Janë dy forume të rëndësishme, është Brdo-Brijuni dhe Forumi i Bledit që kanë posaçërisht në axhendën e tyre qasjen e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit. Për këtë vit, siç e tha dhe Presidentja, Samiti i Brdo-Brijunit do të fokusohet në ato çështje për të cilat nuk janë të lidhura me çështje ideologjike, por janë të lidhura me çështje të cilat janë më të prekshme për rajonin, që janë më sensitive për popujt tanë, për rininë, emigracionin, për katastrofat natyrore, për energjinë, kështu që të fokusohemi te zgjidhja e problemeve të përditshme.

 Pyetja nr. 2Ju keni deklaruar se Shqipëria është një vend që duhet të promovojë stabilitetin në rajon. Ne e dimë se ky stabilitet nuk është aq i vetëkuptueshëm. Si e komentoni gjendjen aktuale në rajon?

Presidenti Begaj – Përmenda që Shqipëria është promovuese e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit afatgjatë në rajon.

Stabiliteti nuk jepet falas, duhet punuar për ta pasur dhe për fatin e keq situata në veriun e Kosovës, situata e kohëve të fundit na tregoi që stabiliteti është shumë i rëndësishëm. Politika e eskalimit për të deeskaluar është një politikë e ditës, e cila i shërben politikanëve për të fituar zgjedhjet e radhës, por kurrsesi nuk i shërben prosperitetit të vendeve të përfshira.

Si vende fqinje na takon që të ndërtojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe në vend të mureve të ndërtojmë ura bashkëpunimi.

Na takon që çdo çështje, të vjetra apo të reja, çështje të cilat janë të lidhura nga dallime të vjetra apo të reja duhet të diskutohen, duhet të dialogohen dhe e vetmja zgjidhje është dialogu dhe gjetja e një kompromisi, pasi çdo përkeqësim i situatës së stabilitetit në rajonin e veriut të Kosovës do të sjellë një destabilizim të të gjithë rajonit dhe më gjerë. Që në vend që të harxhojmë energjitë tona për të deeskaluar situatën e eskaluar, të harxhojmë energjitë tona për të punuar për të implementuar atë dakordësi publike që liderat e Kosovës dhe të Serbisë kanë pranuar në Bruksel dhe anekset e miratuara në Ohër.