Presidenti i Republikës së Shqipërisë

333132810 526068802782240 2183090845151576833 n

Lajme

Presidenti Begaj i përgjigjet gazetarëve në konferencën për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg

 

*- Presidenti Begaj, politika e dyerve të hapura dhe zgjerimi i NATO-s kanë qenë sukses historik dhe kanë forcuar Aleancën. Ju në fjalën tuaj e cilësuat detyrim zgjerimin e NATO-s me Suedinë dhe Finlandën, nga ana tjetër ju shprehët bindjen tuaj se është koha e duhur për të anëtarësuar edhe Republikën e Kosovës në NATO. Mendoni se është e domosdoshme anëtarësimi i Kosovës ndërkohë që NATO është prezente nëpërmjet KFOR-it?

 

*Përgjigje Presidenti Begaj* – NATO është prezent në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Kosovë me praninë e KFOR-IT. KFOR është histori suksesi, një garantues i sigurisë dhe i paqes në rajon dhe siguria në rajon, siguria në Shqipëri, në Kosovë është siguri për Europën, siguri për NATO-n.

Mendoj që Kosova është prej 15 vjetësh një shtet i pavarur i cili po punon përditë për të ndërtuar një shtet ligjor me një vizion të qartë Euro-Atlantik. Shqipëria mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj, në proceset e anëtarësimit, në organizatat ndërkombëtare apo rajonale.

Një nga këto është edhe NATO, prandaj unë mendoj që përveç prezencës së KFOR-it, Forca e Sigurisë së Kosovës duke qenë prezent në misione të ndryshme ndërkombëtare besoj se do të ishte vlerë e shtuar e Aleancës.

Traktati i Washington-it ka bërë të mundur që Aleanca të krijohej mbi disa parime dhe vlera, ku çdo politikë e dyerve të hapura do të bënte të mundur që vende si Finlanda, Suedia apo Kosova, të sjellin vlera të shtuara për Aleancën.