Presidenti i Republikës së Shqipërisë

WhatsApp Image 2024 07 05 at 11.24.26

Lajme

Presidenti Begaj përcjell urimet për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përcolli sot urimet për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shqipëria dhe SHBA-ja ndajnë një miqësi dhe partneritet të forcuar nga një përkushtim i përbashkët ndaj vlerave demokratike. Së bashku, si aleatë strategjikë, ne jemi të përkushtuar për të nxitur një të ardhme të mbështetur nërespektimin e këtyre parimeve”, – shkroi Presidenti Begaj në profilin e tij zyrtar në platformën X.
Në këtë ditë të rëndësishme dhe historike për kombin amerikan, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dërgoi një telegram urimi Kreut të Shtëpisë së Bardhë, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Sh. T. Z. Joe Biden.

Kreu i Shtetit shpreh vlerësimin për marrëdhëniet eshkëqyera dhe miqësore shqiptaro-amerikane, si dhe rikonfirmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj vlerave demokratike, stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor e më gjerë, si dhe angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm e shumëdimensional me SHBA-të, në interes të dy popujve dhe drejt ndërtimit të një bote më demokratike e të sigurt.

Telegrami i Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z. Bajram Begaj, dërguar Presidentit të Shteteve tëBashkuara të Amerikës, Shkëlqesisë së Tij, Zotit Joe Biden.

“Me rastin e 4 Korrikut, Festës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju dërgoj Juve, dhe përmes Jush, popullit mik amerikan, urimet më të ngrohta e të sinqerta.

Në këtë ditë feste për SHBA-të dhe vendet demokratike në mbarë botën, përfitoj nga rasti t’Ju shpreh vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

I nderuar Zoti President, më lejoni të sjell në vëmendjen Tuaj angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me SHBA-të mike qëndruam me dinjitet krah vendeve dhe fuqive të mëdha në përballje të sfidave rajonale dhe globale, sikurse po bëjmë e do të vijojmë të bëjmë së bashku edhe në të ardhmen në kuadër të NATO-s, OKB-së, Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe forumeve të tjera ndërkombëtare.

Duke Ju konfirmuar përkushtimin e Shqipërisë ndajvlerave demokratike, stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetittë rajonit të Ballkanit Perëndimor e më gjerë, më lejoni të nënvizoj angazhimin e palëkundur për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm e shumëdimensional me SHBA-të, në interes të dy popujve tanë miq dhe drejt ndërtimit të një bote më demokratike e të sigurt.

Me urimet më të mira dhe me dëshirën për t’Ju takuar në një kohë të përshtatshme për agjendën Tuaj, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”.