Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 3420

Lajme

Presidenti Begaj në Letoni me homologun Rinkēvičs: U sigurua mbështetja e plotë për integrimin e Shqipërisë në BE, linjë e vazhdueshme direkte fluturimi, forcim i bashkëpunimit për sigurinë si dy vende në NATO

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z.  Bajram Begaj, nisi sot vizitën shtetërore në Letoni. Riga ishte ndalesa e parë në Republikat Baltike. Kjo është dhe vizita e parë shtetërore e një Presidenti të Shqipërisë që ndërmerret në tre vendet baltike: Letoni, Estoni dhe Lituani.

IMG 3421 scaled

Në pritjen e organizuar për nder të Presidentit të Shqipërisë, Sh. T. Z.  Bajram Begaj, merrnin pjesë Presidenti i Letonisë, Sh. T. Z. Edgars Rinkēvičs, Kryetarja e  Parlamentit, Sh. S. Znj. Daiga Mieria, Kryeministrja, Sh. S. Znj. Evika Siliņa, si dhe përfaqësues të tjerë të shtetit dhe qeverisë letoneze.

IMG 3422 scaled

Presidenti i Republikës zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë me homologun e tij Rinkēvičs, të cilin e falënderoi për pritjen, duke e cilësuar si një moment për të forcuar dialogun politik të shkëlqyer mes dy vendeve mike që ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale.

IMG 3426

Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, Presidentët e dy shteteve biseduam për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor.

Në këtë aspekt, u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.

Ndërsa vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Presidenti i Republikës u shpreh se me përparimin e jashtëzakonshëm në përafrimin me standardet e BE-së, Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në Union.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin Rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin Euroatlantik.

Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Shqipëria, – u shpreh Presidenti Begaj, – mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi.

Biseda kokë më kokë mes Presidentëve Begaj dhe Rinkēvičs u pasua nga takimi i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve përkatëse dhe më pas krerët e dy shteteve zhvilluan konferencën e përbashkët për mediat.

IMG 3440