06/02/2025• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mirëpriti në një takim një delegacion të Parlamentit të Landit të Saksonisë.
Presidenti Begaj i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet me Gjermaninë dhe u shpreh se beson që vizita të ndërsjella në nivele më të larta të politikës, por dhe ato të përfaqësuesve të Landeve, e pasurojnë këtë marrëdhënie.
“Shqipëria është mirënjohëse ndaj Gjermanisë për ndihmën që i ka dhënë këto 33 vjet në proceset integruese dhe beson se kush më mirë se Gjermania mund të jetë mentorja dhe avokatja e Shqipërisë në përmbylljen e integrimit”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Presidenti i Republikës e konsideroi këtë vizitë si një mundësi për të zhvilluar bashkëpunime të drejtpërdrejta në fushat ku Shqipëria ka nevojë aktualisht për të përmbyllur proceset transformuese, për të cilat theksoi se “nuk janë thjesht kushte të vendosura nga BE-ja, por reforma që vendi ynë duhet t’i bëjë dhe po i bën në mënyrë që shqiptarët ta prekin këtë realitet”.
Presidenti Begaj theksoi se është i hapur dhe bashkëpunues për çdo iniciativë që do të vijë nga kjo vizitë dhe që ka impakt në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri -Gjermani.