Presidenti i Republikës së Shqipërisë

logo e institucionit Presidenti slider 2

Lajme

Presidenti Begaj mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përcolli mesazhin e rëndësisë së kujtesës historike për të mësuar nga e shkuara, që e keqja e shkaktuar nga ideologjia, politika dhe urrejtja njerëzore ndaj besimit apo etnisë të mos përsëritet kurrë. 

 “Krimet e përbindshme të gjenocidit, holokausti ndaj hebrenjve, shfarosja e miliona njerëzve prej mizorisë dhe urrejtjes djallëzore ndaj njerëzve për shkak të besimit apo etnisë janë ana më e errët që rëndon përjetë ndërgjegjen e njerëzimit. 

Ne i përkujtojmë ato krime të tmerrshme në mënyrë që të mbeten në memorien tonë dhe të të gjithë botës si dëshmi e faktit se ku çon degradimi politik dhe verbimi pas ideologjive totalitare”, – shkroi Presidenti i Republikës në mesazhin e tij.

Kreu i Shtetit risjell në vëmendje, gjithashtu, ndihmën e shqiptarëve ndaj hebrenjve dhe qëndrimin në anën e drejtë të historisë. 

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, publikuar në profilin zyrtar në facebook:

“Krimet e përbindshme të gjenocidit, holokausti ndaj hebrenjve, shfarosja e miliona njerëzve prej mizorisë dhe urrejtjes djallëzore ndaj njerëzve për shkak të besimit apo etnisë janë ana më e errët që rëndon përjetë ndërgjegjen e njerëzimit. 

Ne përkujtojmë ato krime të tmerrshme në mënyrë që të mbeten në memorien tonë dhe të të gjithë botës si dëshmi e faktit se ku çon degradimi politik dhe verbimi pas ideologjive totalitare. 

Populli ynë dëshmoi në kohën e luftës se shpirti i tij mbeti i pastër, mbrojti dhjetëra hebrenj nga persekutimi apo zhdukja, duke u bërë shembull i mrekullueshëm për gjithë historinë tonë. 

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, lutemi për miliona viktimat e holokaustit dhe lutemi që kurrë më mynxyra të tilla të mos ndodhin”.