Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 7161

Lajme

Presidenti Begaj mesazh drejtuar grave dhe vajzave për rëndësinë e kontrollit të vazhdueshëm për të parandaluar kancerin e gjirit

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, e nisi ditën sot me një mesazh drejtuar grave dhe vajzave për rëndësinë e kontrollit të vazhdueshëm për të parandaluar kancerin e gjirit.

Në kuadër të tetorit rozë, muajit të ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, Presidenti i Republikës bëri thirrje që gjithkush duhet të kujdeset e të mos e neglizhojë këtë sëmundje të vështirë, ndërsa për të prekurit nga kjo sëmundje u shpreh se çdokush që diagnostikohet, nuk duhet të mbetet i mënjanuar, duhet përkrahur dhe duhet ndihmuar.

Tetori rozë është një muaj kujtimi për ata që kanë humbur jetën për shkak të kësaj sëmundjeje dhe një periudhë që duhet të shërbejë për reflektim. Presidenti i Republikës në këtë apel theksoi se duhet të tregohet kujdesi i duhur për të kryer ekzaminimet, për faktin se parandalimi shpëton jetë.

“Si mjek, si bashkëshort dhe si prind ju ftoj të bëni ekzaminimet, pasi parandalimi është më i lehtë së trajtimi. Ekzaminimet në kohë shpëtojnë jetë! Bëni pjesë të jetës suaj kontrollet e herëpashershme! “Tetori Rozë” duhet të jetë në çdo ditë të vitit!

Punonjësit e Institucionit të Presidentit të Republikës, ashtu si çdo tetor, i bashkohen fushatës globale me fjongon rozë, ndërsa godina ndriçohet nga ngjyra sensibilizuese për parandalimin e kancerit të gjirit.