Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 2492

Lajme

Presidenti Begaj, merr pjesë në ceremoninë e prezantimit të kolanës “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX-të”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të kolanës “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX-të”. Botimi me pesë vëllime i Institutit të Historisë, bazuar në projektin e Ministrisë së Arsimit, është produkt i kërkimeve shkencore dhe kontributit të studiuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Republikës vlerësoi përpjekjet për të risjellë të vërtetën e së shkuarës së Shqipërisë. “Shkrimi i drejtë dhe pa komplekse i historisë, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të në veçanti, ka rëndësi”, – u shpreh Presidenti Begaj.

IMG 2494

Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX-të, sipas Presidentit i Republikës, është një panoramë historike e plotë.

“Marrëdhënia jonë me të kaluarën nuk ka qenë e lehtë, ndaj shkrimi i drejtë dhe pa komplekse i historisë në përgjithësi, dhe i asaj të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë në veçanti, ka rëndësi”  

 Për sa i përket tentativave për deformimin e historisë së Shqipërisë, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e shkrimit të së shkuarës nga historianët, të cilët garantojnë jo vetëm aplikimin e metodës shkencore, por edhe objektivitet, integritet dhe nevojën e ndërveprimit mes institucioneve kërkimore.

“Nëse më lejoni, një analogji: “Historia” është si një skulpturë, të cilën, për ta njohur, duhet ta shohësh nga këndvështrime të ndryshme. Ajo vërtetë mund të shkruhet nga historianët, por kërkon kontributin e studiuesve nga fusha të ndryshme. Po aq rëndësi sa kanë ngjarjet politike në kuptimin e situatave të caktuara, ato do të mbesin si teka individuale nëse nuk merren si pjesë e totalitetit të zhvillimit të një kombi ku arti, kultura, gjuha, doket e zakonet luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm”.

Duke iu referuar procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Kreu i Shtetit vlerësoi se ky rrugëtim, në kontekstin e njohjes së historisë, merr një kuptim të veçantë pasi është, në një farë mënyrë, kthim në origjinë.

“Prandaj është me rëndësi që tregimi i drejtë i narrativës së kombit tonë të shihet nën dritën e përpjekjeve tona historike për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, me frymë europiane,”– deklaroi Presidenti Begaj, duke ritheksuar se pavarësisht pengesave dhe devijimeve, shqiptarët janë të vendosur për destinacionin drejt Europës demokratike.     

IMG 2491