25/02/2025• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, e cila që prej vitit 2007 ndihmon me këtë program edukimi për mirëqeverisjen dhe demokracinë.
Presidenti i Republikës përshëndeti pjesëmarrësit e gjeneratës 2024 të shkollës, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, administratës qendrore dhe vendore, shoqërisë civile dhe medias.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e kësaj shkolle në formimin e një elite të re drejtuesish. “Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike ofron një formim të thelluar, gjithëpërfshirës dhe plotësues, duke ndërthurur njohuritë për artin e politikëbërjes me njohuritë juridike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, përvojën shqiptare me atë ndërkombëtare, si dhe përvojën profesionale me konceptet teorike dhe standardet që duhet të kemi”, – nënvizoi, ndër të tjera, Kreu i Shtetit, gjatë fjalës së tij.
“Kjo shkollë është një hapësirë ku ndërtohet kultura politike, kultura politike që i duhet vendit, një kulturë që shmang retorikat e ashpra dhe eliminon përçarjen, një kulturë në të cilën mbizotëron toleranca, respekti, mirëkuptimi dhe dialogu, të gjitha këto në shërbim të interesit kombëtar. Shoqëria jonë ka ende për të mësuar mbi parimet e një debati të shëndetshëm politik. Idetë dhe alternativa të ndryshme duhet të përballen për të konkurruar, jo thjesht për të rrëzuar njëra-tjetrën”, – theksoi Presidenti Begaj.
Nga ky takim, Kreu i Shtetit dha disa mesazhe në lidhje me politikën, elitën e shoqërisë shqiptare dhe avancimin e rrugëtimit në Bashkimin Evropian.
“Shoqëria jonë ka ende për të mësuar mbi parimet e një debati të shëndetshëm politik. Idetë dhe alternativa të ndryshme përballen për të konkurruar, jo thjesht për të rrëzuar njëra-tjetrën”, – deklaroi Presidenti i Republikës, duke theksuar se “Shqipëria, ka nevojë për një frymë të re, për një angazhim politik dhe shoqëror ku idetë ballafaqohen me argumente, ku kundërshtari shihet si bashkëkonkurrues”.
“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është thjesht çështje politike, por një proces transformimi i thellë i mënyrës se si ne qeverisim, si ndërtojmë institucione dhe si mendojmë për të ardhmen”, – deklaroi Presidenti Begaj, i cili apeloi për përpjekje të vazhdueshme në mbrojtje të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës dhe forcim të institucioneve, duke i vlerësuar këto si procese që përmbushin edhe synimin e shqiptarëve për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria evropiane nuk lidhet vetëm me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, por edhe me përpjekjen e vazhdueshme për konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe zhvillimin e qëndrueshëm”. Demokracia nuk është një monument që ndërtohet një herë dhe mbetet e tillë. Ajo është përpjekje e përditshme që, nëpërmjet angazhimit, transparencës dhe llogaridhënies së tre pushteteve, të sigurohet respektimi i lirive dhe të drejtave të individit, të garantohet drejtësi sociale dhe konkurrencë e drejtë, të inkurajohet gjithëpërfshirja qytetare.
Shteti i së drejtës nuk ka të bëjë vetëm me performancën e institucioneve të drejtësisë. Ai lidhet drejtpërdrejt me respektin dhe zbatimin rigoroz të ligjit nga institucione të çdo niveli, qendrore apo lokale, nga çdo drejtues dhe nëpunës i administratës publike, nga çdo qytetar”.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës theksoi gjatë kësaj fjale nevojën për drejtues me ndjeshmëri dhe vizion të qartë për prioritetet e Shqipërisë së ardhshme: “Si shtet e shoqëri ne kemi ende nevojë për formim më cilësor demokratik, për kulturë më të thelluar ligjore dhe forcim të institucioneve. Shqipëria ka nevojë për politikanë e vendimmarrës të rinj e largpamës, jo vetëm në moshë, por edhe në ide dhe energji, për modele të reja politike. Si shtet e shoqëri ne kemi nevojë të rikthejmë vëmendjen te dija për një elitë të re të formuar dhe konkurruese. Shqipëria ka nevojë për ekspertë të aftë e profesionistë që adresojnë sfidat dhe ofrojnë zgjidhje për reformat dhe problematikat në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”.
Në këtë aspekt, Presidenti i Republikës ftoi të sapodiplomuarit të kontribuojnë për një të tashme të begatë dhe një Shqipëri, së shpejti, anëtare të denjë të familjes evropiane.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, falënderoi Këshillin e Evropës për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin demokratik, në forcimin e institucioneve dhe në edukimin e një brezi të ri drejtuesish.