28/09/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, me ftesë të Bashkisë së Patosit, mori pjesë dje në aktivitetin “Brez pas Brezi Myzeqar” të zhvilluar në fshatin Zharrëz.
Kreu i Shtetit u prit nga autoritetet lokale dhe banorët e mbledhur në këtë festë në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, me të cilët bisedoi për rëndësinë e promovimit të traditave dhe vlerave të Myzeqesë, për ta bërë këtë zonë më të dashur për banorët e saj e më tërheqëse për turistët.
Presidenti Begaj, gjithashtu, vizitoi stendat e panairit ku ishin ekspozuar produkte bujqësore, punime artizanale, objekte etnografike dhe kuzhina tradicionale e zonës.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti përgëzoi mësuesit e të rinjtë e shkollave të zonës për punën e mrekullueshme në ngulitjen e dashurisë dhe krenarisë për rrënjët.