Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Gazetaret 2

Lajme

Presidenti Begaj me gazetarët: Besoni tek ideali i lirisë së shprehjes. Keni mbështetjen time në këtë kauzë fisnike!

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në gazetari, një event i përvitshëm i organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Në një mesazh të posaçëm drejtuar gazetarëve, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e medias për riformësimin e shoqërisë dhe vështirësitë që hasin gjatë kryerjes së misionit për të thënë të vërtetën.

Gazetaret

“Shpesh e kritikuar, shumë herë e nënçmuar dhe rrallëherë e vlerësuar drejt, puna juaj lidhet me besimin në një kauzë të lartë: informimin e paanshëm dhe sensin analitik për t’i dhënë kuptim jetës së përditshme shoqërore”.

Presidenti Begaj inkurajoi komunitetin e gazetarëve në kryerjen e këtij misioni, duke iu garantuar mbështetjen e tij.

Gazetaret 4

“Kjo kauzë kërkon njerëz profesionistë dhe idealistë, që besojnë te idealet e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë publike. Ndaj ju inkurajoj të mos dorëzoheni para vështirësive, sepse përkushtimi dhe guximi juaj për të përcjellë te publiku informacion të saktë dhe objektiv është kontribut për  mirëqenien e shoqërisë.

Ju duhet të ndiheni jo vetëm të inkurajuar, por dhe të sigurt në kryerjen e detyrës tuaj. Marr rastin të përsëris edhe një herë mbështetjen time maksimale për ju. Raste të dhunës fizike kundër gazetarëve duhet t’i përkasin një kapitulli të mbyllur,  njësoj si rastet kur cënohet liria profesionale dhe e të shprehurit, nëpërmjet presioneve direkte apo indirekte”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, vlerësoi promovimin e shembujve të suksesit në gazetari, si modele për t’u ndjekur nga brezat e ardhshëm.

IMG 5045