Presidenti i Republikës së Shqipërisë

753db0cb 593c 4fda be8a 54d7eb561175

Lajme

Presidenti Begaj gjatë vizitës në Poloni, takim të veçantë me shqiptarët që jetojnë atje

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, gjatë vizitës në Poloni, zhvilloi një takim të veçantë me shqiptarët që jetojnë atje.
Në këtë takim merrnin pjesë studentë, ekspertë të IT-së që punojnë në kompanitë vendase e ndërkombëtare, bankierë, investitorë dhe punonjës në fushën e shëndetësisë.

WhatsApp Image 2024 07 05 at 11.26.12 1

Gjatë bashkëbisedimit me ta, Presidenti i Republikës u njoh me përvojat individuale të integrimit në shoqërinë polake, ndërsa shprehu mbështetjen e tij ndaj çdo iniciative apo projekti për rritjen profesionale të gjithësecilit, arritje e rezultateve që nderojnë edhe Shqipërinë.
Kreu i Shtetit theksoi se institucioni që drejton i ka dyert e hapura për të gjithë shqiptarët.
“Ne ju jemi gjithmonë borxhlinj, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar faktin se Shqipëria ka nevojë për djemtë dhe vajzat që kanë ikur, në mënyrë që ata të kthehen apo të investojnë energjitë e tyre për të mirën e vendlindjes. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës iu referua ndjekjes së modelit të shkrimtarit Ismail Kadare, për të cilin u shpreh se ai e lartësoi Shqipërinë në botë, ndaj dhe nderohet për gjithçka ka bërë.

Gjatë bashkëbisedimit me komunitetin shqiptar në Poloni u trajtuan çështje dhe problematika që lidhen me lehtësirat që mund të ofrojë shteti shqiptar.
Presidenti Begaj shprehu mbështetjen ndaj iniciativave të prindërve shqiptarë që u mësojnë gjuhën amtare fëmijëve të lindur në Poloni.
“Një komb, pa gjuhën, është i vdekur”, – u shpreh Presidenti i Shqipërisë, i cili vlerësoi nismën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për programin “Jam shqiptar”, të aplikuar fillimisht në vendet fqinje.

Për sa i përket marrjes së shtetësisë shqiptare të fëmijëve të lindur jashtë, Kreu i Shtetit garantoi komunitetin në Poloni se ekzistojnë të gjitha hapësirat dhe procedurat për pajisjen e tyre me pasaportë.
Pjesë e bashkëbisedimit ishte dhe marrëveshja për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Polonisë, për të cilën Presidenti Begaj u shpreh besimplotë për finalizimin e saj.

WhatsApp Image 2024 07 05 at 11.26.13

Presidenti Begaj, në përgjigje të interesimit të komunitetit shqiptar në Poloni për votën e Diasporës, theksoi se është në nder të parlamentit të përmbushë zbatimin e kësaj të drejte kushtetuese për çdo shqiptar. “Vota është një e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme, që askush nuk mund ta mohojë”,- u shpreh Presidenti i Republikës, i cili theksoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka zhvilluar një seri takimesh me shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe ka theksuar në mënyrë të përsëritur domosdoshmërinë për ushtrimin e kësaj të drejte dhe përgjegjësie.

Në takimin me komunitetin shqiptar të Polonisë u trajtuan edhe çështje të sigurisë në rajon, roli i faktorit shqiptar, mbështetja ndaj Kosovës dhe përpjekjet për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.