Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Diaspora

Lajme

Presidenti Begaj: Diaspora-Kartëvizita e shqiptarisë në botë. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mori pjesë sot në Samitin e III-të të Diasporës në Tiranë.   

Gjatë fjalës së tij drejtuar pjesëmarrësve, Presidenti Begaj nderoi sakrificat e bashkatdhetarëve të larguar nga vendi, kontributin e tyre për Shqipërinë nëpërmjet investimeve në vend dhe përhapjes së imazhit të mirë të vendit në botë. 

Diaspora 2

“Diaspora është promotorja më eficiente e kulturës dhe identitetit tonë, kartëvizita e shqiptarisë në botë. Ju, në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica, nuk e keni harruar kurrë Shqipërinë. Secili, sipas mundësive, ka dhënë gjithmonë një kontribut për kombin.  

Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë Diasporën. Ne nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Historia na mëson se vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë”.  

Kreu i Shtetit paraqiti nisma konkrete në Samit për të garantuar mundësi vendimmarrëse dhe përfaqësim në politikë. 

“Pikësëpari, është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, pa qenë e nevojshme të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë Diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri.  

Së dyti, Diaspora duhet të këtë përfaqësim politik, për t’u dhënë zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjitha këto procese nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshme dhe, mbi të gjitha, janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë, edhe pse larg”.  

Presidenti Begaj apeloi për ruajtjen e identitetit përmes gjuhës amtare. Në këtë Samit Presidenti përcolli një falënderim të veçantë për mësuesit dhe edukatorët, për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në përçimin e gjuhës shqipe në ruajtje të identitetit tonë kombëtar.  

Diaspora 1

Ai iu beri thirrje prindërve shqiptarë ta konsiderojnë themelore mësimin e gjuhës amtare për fëmijët e tyre, pasi vlerëson se, – “Mësimi dhe cilësia e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të jenë prioritete që na bashkojnë. Shikoheni si investim për të ardhmen këtë gjuhë të rrallë e të pasur në zemër të Evropës”.

Presidenti Begaj iu bëri ftesë shqiptarëve jashtë atdheut për investimin e tyre me ide, projekte e sipërmarrje për ekonominë dhe turizmin. 

Gjatë Samitit Kreu i Shtetit i mëshoi rëndësisë së unitetit të shqiptarëve në funksion të ardhmërisë së begatë të Shqipërisë.