01/06/2024• Aktivitetet, Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dhe Zonja e Parë, pritën sot me rastin e 1 Qershorit fëmijë nga e gjithë Shqipëria.
Festa bëri bashkë fëmijët e Bashkisë Vau Dejës, artistët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Durrësit, fëmijët e shtëpisë së foshnjës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë, fëmijë nga Shkolla “Ramazan Kabashi” në Tiranë, si dhe fëmijët e stafit të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe të Institucionit të Presidentit.
Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë falënderuan të vegjlit për praninë në festimim e përbashkët të kësaj dite të dashur për ta dhe uruan që të gjithë fëmijëve t’u plotësohen ëndrrat e dëshirat e bukura.
Nën tingujt e gëzueshëm të festës, qindra tullumbace u lëshuan në qiell nga të vegjlit si shenjë e ngritjes lartë të ëndërrave fëmijërore.
Talentet nga kryeqyteti dhe shkollat e qyteteve të tjera përcollën emocione tek të pranishmit përmes këngëve, valleve dhe mesazheve për gjithëpërfshirje, dashuri dhe respekt e mirëkuptim për njëri- tjetrin, prindërit, gjyshërit e mësuesit.
Argëtim në këtë 1 Qershor sollën edhe artistët e Cirkut të Tiranës dhe animatorët gazmorë.
Përgjatë kësaj feste fëmijët u argëtuan me muzikë, kërcime, këngë dhe lojra, por ndanë dhe eksperiencat e tyre të veçanta duke përcjellë mesazhin e përkrahjes së njeri-tjetrit për kapërcimin e pamundësive.
Aktiviteti festiv për 1 Qershorin, iniciativë e Zonjës Begaj, është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme në vlërësim të ditës së tyre të shënuar.
Kjo festë u mundësua nga dashamirësia e Credins Bank, BKT dhe OTP, Albsig, Agna Group e Jumbo, Geraldina Sposa, Era Event Catering, M&D, Dedja Group, Le Bon, Miell Tirana, dhe Pastrime Silvio.