Presidenti i Republikës së Shqipërisë

logo e institucionit Presidenti slider

Lajme

Presidenti Begaj dekreton zgjedhjet për Kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekreton zgjedhjet për Kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë.

Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në Bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, thirri në konsultë z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve, për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gatishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.

Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore, si dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për Bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.