09/05/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, ditën e sotme ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” piktorin Helidon Haliti me motivacionin: “Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur artistike në artin figurativ, i vlerësuar si piktori “Mjeshtër i akuareleve’’ dhe si intelektual i angazhuar në edukimin e shoqërisë me vlera kulturore dhe artistike. Në vlerësim të promovimit të artit shqiptar nëpërmjet ekspozitave brenda dhe jashtë vendit, duke kontribuar në rritjen e imazhit të Shqipërisë.”
Presidenti Begaj në fjalën e tij cilësoi se Helidon Haliti është një piktor modern bashkëkohor dhe surrealist në kufijtë e realizmit magjik, siç e përcaktojnë edhe kritikët e artit, por frymëzimi tij nga temat shqiptare e bën atë më të veçantë, gjithashtu e bën vlerësimin që i jepet sot më kuptimplotë.
Një nderim i tillë, dekoruar si “Mjeshtër i madh” iu akordua ditën e sotme edhe aktorit Ardian Cerga me motivacionin:“Në vlerësim për realizimin e arrirë të roleve të spikatura, si në ekranin e kinemasë, ashtu dhe në skenën e teatrit duke dëshmuar origjinalitet në profilin e tij artistik. Me mirënjohje për pasionin dhe talentin me të cilët krijoi personazhe unike dhe shumë të dashura për publikun shqiptar e atë italian, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.”
Presidenti i Republikës theksoi se Ardian Cerga është rast ku që në nisje krijon një profil të spikatur, individualizohesh dhe merr dashurinë e artdashësit. Personazhet e tij vijojnë të simpatizohen e të jenë pjesë e adhurimit edhe në ditët e sotme. Ai diti të shfaqë vetveten e të përfaqësojë artin shqiptar në kinematografinë italiane, gjë që padyshim na bën krenarë.”
Miq nga bota e artit dhe familjarë të të dy mjeshtrave të mëdhenj, Haliti e Cerga, ishin sot të pranishëm në Institucionin e Presidentit të Republikës për të ndjekur dekorimin e tyre, si dhe për të ndarë së bashku emocionet e një vlerësimi të merituar, dedikuar punës së tyre si një trashëgimni e lënë për artistët e rinj.