Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 2401

Lajme

Presidenti Begaj: “B40”, një angazhim serioz për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mori pjesë në samitin “Rrjeti i qyteteve Ballkanike B40’’ në Tiranë.

IMG 2398

Ky organizim ka synim të shquajë rëndësinë e lokalizimit të agjendës së zhvillimit të qëndrueshëm.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj vlerësoi: “Rrjeti i qyteteve ballkanike është një angazhim serioz për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo përbën një vlerë të shtuar në marrëdhëniet tona, sepse krijon mundësi për bashkëpunim në nivelin lokal. Rrjeti juaj i ka të gjitha mundësitë të jetë shembull suksesi për një  të ardhme të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.

IMG 2400

Duke iu drejtuar kryetarëve vendorë, Presidenti Begaj theksoi, gjithashtu: Ju, të nderuar kryebashkiakë, bashkë me ekipet tuaja, administroni jo vetëm qendrat më të populluara të rajonit, por edhe motorët kryesorë ekonomikë dhe kulturorë të vendeve tona. Shumë prej qyteteve pjesëmarrëse janë aktorë të rëndësishëm globalë, si në ekonomi, edhe në sfera të tjera të rëndësishme. Puna juaj është e një rëndësie të veçantë’’.

Kryetarët e bashkive dhe delegacionet e tyre shoqëruese diskutuan për të ardhmen e pushtetit lokal, zgjidhjet e përbashkëta për problemet lokale dhe fushat e mundshme të bashkëpunimit.

IMG 2399

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z Bajram Begaj, falënderoi pjesëmarrësit, duke cilësuar: Qytetet e shekullit XXI duhet të jenë më shumë se sa qendra ekonomike dhe industriale. Ato duhet të jenë, pikë së pari, hapësira, ku mirëqenia e individit është prioritet, ku harmonia me mjedisin nuk është më opsion, por nevojë”.