19 Korrik 2018 Presidenti Meta dhe Presidentja e Kroacisë vizitojnë Beratin
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, së bashku me Presidenten e Republikës së Kroacisë, Sh. S. Znj. Kolinda Grabar-Kitarović ishin sot në qytetin e Beratit.
Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi se vizita në këtë qytet të përfshirë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s dhe shpallja e Presidentes kroate “Qytetare Nderi” nga Berati është një tregues mjaft domethënës jo vetëm i lidhjeve të lashta mes dy vendeve e popujve, por edhe një ilustrim i marrëdhnieve të shkëlqyera e miqësisë së ngushtë mes shqiptarëve dhe kroatëve.
Ndërsa Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović teksa falënderoi për nderimin që iu bë duke e ndjerë veten tashmë bashkëqytetare me të gjithë beratasit, nënvizoi faktin se miqësia dhe bashkëpunimi mes Kroacisë dhe Shqipërisë, midis kroatëve dhe shqiptarëve, është më e fortë se kurrë.
“Kjo gjë i shërben jo vetëm brezave tanë të rinj, që do të bëhen udhëheqësit e së nesërmes, por edhe rrugëtimit tonë evropian, së ardhmes sonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, si dhe rajonit e kontinentit tonë gjithashtu.” – u shpreh mes të tjerash Presidentja e Kroacisë.