27/03/2023• Lajme• Bianka Hada
Pyetja nr. 1
BE-ja është duke i mëshuar shumë reformave sidomos në lidhje me shtetin e së drejtës, por ka edhe vende të BE-së të cilat nuk është se po hedhin shumë hapa në këtë drejtim. A mendoni se ju në Shqipëri po trajtoheni paksa keq në këtë drejtim?
Presidenti Begaj- Nuk mund të komentoj nëse ka kritika brenda UNION-it për vende të caktuara. Natyrisht ky proces i anëtarësimit në BE ka rregulla të përcaktuara të cilat kërkojnë forcimin e shtetit ligjor të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Është e drejta e tyre që këto kërkesa të jenë themelore për t’u zbatuar dhe besoj është detyrë e jona që duhet të gjitha këto kërkesa t’i plotësojmë, që këtë proces anëtarësimi në BE ta bëjmë në rrugë sa më të shkurtër.
Kemi hapur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, kemi kaluar me sukses klaustrin e parë. Besoj sepse jemi në rrugë të mbarë dhe gjatë këtij viti besoj do të bëhet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në. Natyrisht bie dakord me Presidentin Van der Bellen që disa reformat të cilat kërkojnë të bëhen në vend duhet të bëhen me dakordësinë e BE-së, dhe ça është më e rëndësishme unifikimi dhe bërja e ligjeve sipas standardeve të BE-së sepse ky është destinacioni ynë pa kthim.
Pyetja nr. 2
Kam një pyetje për zotin Begaj si fillim. Dje ka ardhur zoti Kurti për vizitë në Tiranë. Pyetja e parë, sa mendoni ju se ky konflikt midis vendeve fqinje e rëndon pozitën e rajonit dhe zoti Begaj ju a mendoni se një Republika Srpska do ishte zgjidhja e duhur?
Presidenti Begaj– Është e vërtetë që dje kemi pasur një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotin Albin Kurti. Për ne Kosova është e një rëndësie prioritare. Kemi diskutuar gjerësisht rreth procesit të marrëveshjes së arritur në Bashkimin Evropian dhe aneksit të kësaj marrëveshje në Ohër. Është një dakordësim publik në fakt i përshëndetur nga ana ime sepse fqinjin themi ne shqiptarët nuk e zgjedhim ne, fqinji është aty, dhe nëse kemi mosmarrëveshje me dikë mosmarrëveshjet zgjidhen nëpërmjet dialogut.
Jemi plotësisht të bindur që dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Në asnjë rast, në asnjë rrethanë, si President i Republikës së Shqipërisë, nuk do të pranoja që të kishte një Republikë Srpska në Kosovë dhe me sa di nuk është mbështetur as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë një partner strategjik i yni. Besoj se në kuadrin e asaj marrëveshje ku në rrethanat e një vetëmenaxhimi me të drejtat komunitare sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës besoj do të jetë zgjidhja e duhur. Është e rëndësishme që të vendoset një paqe midis Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për respektim të minioriteteve dhe për të punuar fort që rajoni të integrohet në Bashkimin Europian dhe të këtë më shumë prosperitet për njerëzit që jetojnë në rajon.
Pyetja 3.
Zoti President, Shqipërinë gjatë muajve të fundit e kanë vizituar dhe kryetarë të tjerë të lartë shtetesh, të vendeve të BE, si Presidenti i Gjermanisë dhe Presidenti i Italisë. A është kjo një vëmendje e shtuar ndaj procesit integrues të Shqipërisë, apo këto vende të rëndësishme të BE-së kanë një shqetësim konkret ndaj Shqipërisë apo vendeve të rajonit?
Është e vërtetë që muajt e fundit Shqipëria është vizituar nga krerë shtetesh të disa vendeve evropiane. Prej kohësh Shqipëria punon për të forcuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke realizuar dhe reforma të guximshme në të gjitha fushat. Natyrisht që roli i Shqipërisë ndërkombëtarisht është rritur ndjeshëm, dhe ky kontribut i Shqipërisë ndërkombëtarësisht është i vlerësuar, si në OSBE, si në Këshillin e Sigurimit, si në NATO, duke u konsideruar si një faktor për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Lufta në Ukrainë ka ndryshuar disi qasjen ndaj sfidave të sigurisë dhe besoj shumë që kemi një rritje të fokusimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Por unë besoj që vizita e mikut tim, Presidentit Van der Bellen, dhe homologëve të tjerë evropianë, të Italisë dhe Gjermanisë, është mbështetje për shqiptarët, është mbështetje për projektin e shqiptarëve, për t’ju bashkuar familjes së madhe evropiane, familje së cilës i përkasim jo vetëm gjeografikisht, por edhe për vlerat që ne mbartim.
Pyetja e 4:
Përtej marrëdhënieve mjaft të mira historike dhe politike mes dy vendeve, cili është vlerësimi juaj lidhur me një intensifikim në të ardhmen të bashkëpunimit ekonomik dhe si do ta vlerësonit potencialin e investimeve austriake në Shqipëri?
Bie dakord me Presidentin Van der Bellen. Është e saktë ajo që ju thate, që përvec lidhjeve të hershme historike dhe miqësore, gjatë 3 dekadave të fundit, është rritur lidhja ekonomike midis Shqipërisë dhe Austrisë. Investimet e para Austriake, janë të rëndësishme dhe të realizuara me sukses. Është hoteleri-turizmi “Rogner” që e përmendi Presidenti Van der Bellen, ndërtuar 20 vjet më parë, janë në fushën e sigurimeve dhe sektorin bankar, si dhe në prodhimin e energjisë elektrike. Të gjitha këto investime në fakt u realizuan në atë kohë kur pakkush e mendonte Shqipërinë të investonte, dhe sidomos në këta sektorë që dukeshin të pazhvilluar ose ishin të pazhvilluar në atë kohë. Por në fakt këto investime austriake rezultuan investime të suksesshme të cilat u bënë si një sinjal pozitiv dhe garanci për investime të tjera të kryera nga Austria dhe nga vendasit, nga shqiptarët. Besoj se shkëmbimi tregtar midis vendeve është modest, ka potenciale për t’u zhvilluar dhe unë besoj fort se kjo vizitë e Presidentit Van der Bellen në Shqipëri është vlerësim dhe mbështetje për këtë potencial për t’u zhvilluar dhe natyrisht forumi ekonomik që ne do të shkojmë, që do të hapim sot mbasdite, është një vend i duhur që këtë potencial ta realizojmë dhe ta konkretizojmë me zhvillime ekonomike midis dy vendeve.