18/01/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës nxori sot dekretin “Për shpalljen e ligjit nr. 106/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.
Trajtimit të kësaj praktike institucionale ditët e fundit i është dhënë përmbajtje politike nga një numër i kufizuar deputetësh. Për këtë arsye, Institucioni i Presidentit të Republikës e gjen me vend të informojë opinionin publik, si vijon:
Shpallja e ligjeve nga Presidenti i Republikës bëhet në përfundim të procedurës së kontrollit kushtetues, gjatë të cilit institucioni verifikon kushtetutshmërinë e dispozitave të reja dhe të procedurës së miratimit të tyre. Kontrolli kushtetues nuk verifikon asnjë aspekt me përmbajtje politike të ligjit.
Argumenti më me peshë që ngrihet nga një pjesë e eksponentëve të opozitës ka lidhje me pretendimin se hyrja në fuqi e këtij ligji mund të minojë dialogun mes palëve politike në Kuvend: – “Ky ligj i njëanshëm duhet të kthehet në parlament dhe të miratohet me konsensus”.
Presidenti i Republikës e çmon si tejet të rëndësishme uljen në negociatë për të gjetur zgjidhje kompromisi për këtë lëndë, si për çdo lëndë tjetër objekt debati, kontestimi apo konflikti politik. Zgjidhja e shpejtë e kundërshtive për këtë ligj do të formonte një mundësi serioze për të ndërtuar marrëdhënie mirëbesimi mbi një shembull konkret bashkëpunimi. Kjo është arsyeja pse Presidenti i Republikës ftoi menjëherë eksponentët më të zëshëm të opozitës që të kërkonin kompromisin me shumicën parlamentare dhe të shfrytëzonin ndërkohën, deri në përfundimin e afatit për shpalljen e ligjit, për të zgjidhur në dialog me shumicën të gjitha çështjet që i shqetësonin lidhur me ligjin e sapo miratuar.
Në të vërtetë, periudha nga miratimi i ligjit, deri në përfundimin e afatit 20-ditor për shpalljen e tij, u ezaurua pa asnjë demarsh për të ofruar dhe gjetur zgjidhje kompromisi, gjë që mban në këmbë si objektiv qëllimin për bllokimin e hyrjes në fuqi të ligjit, por rrëzon si të paqenë objektivin për “diskutimin dhe miratimin konsensual të ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore”.
Për sa u takon pretendimeve për antikushtetutshmëri të dispozitave të reja ligjore, të bëra publike nga disa eksponentë të opozitës, sqarojmë, si vijon:
Është fakt publik se në instancat e brendshme të Kuvendit nuk është depozituar asnjë kërkesë me pretendime për shkelje procedurale të lidhura me këtë ligj. Shkeljet procedurale mund të formojnë lëndë për kontrollin kushtetues vetëm nëse shkeljet procedurale ngrihen në nivelin e shkeljeve kushtetuese. I tillë është, për shembull, rasti kur një ligj, për të cilin Kushtetuta kërkon miratimin me shumicë të cilësuar, miratohet me një numër më të vogël votash. Asnjëra nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk ngrihet në nivelin e një shkeljeje procedurale kushtetuese. Për pasojë, nuk e bën këtë ligj antikushtetues.
Po kështu, pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi.
Së pari, detyrimi për ngritjen e komisionit hetimor, kur këtë e kërkojnë jo më pak se 35 deputetë, është detyrim që buron nga neni 77 i Kushtetutës dhe nuk ka dispozita të këtij ligji që t’i kundërvihen.
Së dyti, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, që ka përcaktuar edhe kufijtë e diskrecionit të shumicës parlamentare, në këtë rast, gjithashtu, nuk kundërshtohet nga asnjë dispozitë e këtij ligji. Opinioni se kjo çështje duhet të ishte përfshirë në tekstin e ligjit me formulime konkrete, sipas kësaj linje, mund të konsiderohet racional, por mungesa nuk e bën ligjin antikushtetues, sikurse nuk i zhbën detyrimet që burojnë nga Kushtetuta dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese.
Nga ana tjetër, rregullat për marrjen e dëshmisë dhe përmbajtjen e saj nuk mund të konsiderohen kufizuese. Ato sqarojnë pozitën procedurale të dëshmitarit dhe janë në harmoni me legjislacionin shqiptar, (përfshirë modelet e huaja të referencës).
Me këtë rast, sjellim dhe një herë në vëmendje mesazhin e Presidentit të Republikës drejtuar deputetëve me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar dhe thirrjen e tij për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim vullnetmirë midis forcave politike, si rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Kjo thirrje është e vlefshme edhe në lëmin e ngritjes dhe funksionimit me sukses të komisioneve hetimore parlamentare.