Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Lajme

NJOFTIM PËR MEDIA MBI TAKIMIN E ZHVILLUAR ME KRYEMINISTRIN, MINISTRIN E MBROJTJES DHE SHEFIN E SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË FARSH

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e vendit Sh.T.Z Edi Rama, Ministrin e Mbrojtjes, Zotin Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralmajor Arben Kingji.
Ky takim u krye për t’u njohur me konkluzionet e samitit informal që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Zoti Jens Stoltenberg zhvilloi në Shkup dhe ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe Presidenti i Kroacisë.
Kjo ishte hera e parë që një takim i nivelit të lartë të NATOs, zhvillohet në këtë format dhe në një vend të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria është sot e gatshme të ofrojë organizmin e samiteteve të tilla në Tiranë.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike për aleancën Euro-Atlantike. Situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës, mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kërcënimet për ndarje në Bosnjë–Hercegovinë, si dhe ndikimet e Rusisë dhe Iranit për të minuar demokracinë nëpërmjet kërcënimeve hibride dhe kibernetike janë arsye për t’u shqetësuar.
Shqipëria është një faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe aleat i rëndësishëm për NATO-n.
Në samitin e  NATO-s që do zhvillohet vitin e ardhshëm në Washington do të merren vendime të rëndësishme në drejtim të përshtatjes dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe parandaluese.
Në këtë kuadër, në takimin e sotëm u diskutua për hamonizimin e planeve të mbrojtjes kombëtare me ato të NATO-s si dhe rritjen e kontributit me trupa nëse një gjë e tillë do të kërkohet nga NATO.
U dakordësua  si prioritet hartimi i dokumentave strategjikë si, Strategjia e Sigurisë Kombëtare si edhe dokumenta të tjerë të rëndësishëm për realizimin e misionit kushtetues të Forcave të Armatosura.
Rritja e buxhetit të mbrojtjes me 2% të GDP, dhe arritja e angazhimit të marrë në Samitin e Wellsit të mundësojë modernizmin e Forcave të Armatosura dhe forcimin  e mbrojtjes kibernetike.