Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 20221104 WA0004

Lajme

Një delegacion nga Komuna e Preshevës pritet në takim nga Presidenti Begaj

Vetëm pak ditë nga mbyllja e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Republikën e Serbisë, një delegacion i Komunës së Preshevës, u prit  sot nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj.
Presidenti Begaj vlerësoi seriozitetin dhe pjekurinë me të cilën shqiptarët dhe partitë politike shqiptare të Komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës treguan këtë herë për procesin e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Republikën e Serbisë dhe përshëndeti pjesëmarrjen e lartë veçanërisht në dy komunat e para.
Duke vlerësuar frymën e bashkëpunimit të demonstruar nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, Presidenti Begaj, theksoi se ky bashkëpunim solli një regjistrim më të saktë e më të drejtë të shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon të Serbisë. “Kjo i shërben statusit të shqiptarë në këto komuna dhe i faktorizon ata edhe më shumë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre në Serbi, të cilat duhet të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane” – nënvizoi Presidenti Begaj.
Pas vlerësimit të klimës së re pozitive e të bashkëpunimit rajonal në tërësi, si dhe të vëmendjes së shtuar të  Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit, e siguroi delegacionin e Komunës së Preshevës se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të gjenin gjithmonë tek ai dhe institucionet shqiptare një mbështetës të fortë e të vendosur për realizimin e plotë të të drejtave të tyre.