10/01/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Kreu i Shtetit u fokusua në fjalimin e tij tek arritjet e vitit që lamë pas, te sfidat rajonale dhe globale të Shqipërisë gjatë vitit 2024, si dhe ndau me të pranishmit vizionin për përballimin me përgjegjshmëri të këtyre sfidave në funksion të zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme.
Presidenti bëri thirrje për bashkëpunim e dialog për paqen, sigurinë dhe shpresën për një të ardhme më të mirë, duke e cilësuar diplomacinë jo opsion, por domosdoshmëri.
Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.
Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Evropian përmes krijimit të mekanizmave që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve.
“Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar”, – deklaroi Presidenti Begaj, duke shtuar se faktori shqiptar ka kontribuar dhe do të vijojë të kontribuojë në paqen dhe sigurinë e rajonit.
Presidenti Begaj bëri thirrje për njohjen ndërkombëtare të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë akt dhe dhënien fund të status-quo-së, në mënyrë që të shmangen situata si sulmi i shtatorit 2023 në Banjskë, që mund të sjellin pasoja të rënda për rajonin dhe Evropën.
Gjithashtu, Presidenti përshëndeti liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe përsëriti qëndrimin për integrimin e saj Euro-Atlantik.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë- Serbi nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje sigurie për rajonin dhe Europën”, – deklaroi Presidenti Begaj.
Për sa i përket përshpejtimit të procesit integrues të Shqipërisë në BE, Presidenti theksoi domosdoshmërinë e thellimit të reformave dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik, të cilat që u shërbejnë shqiptarëve dhe çeljes së kapitujve për anëtarësim në Union, si dhe konsolidimin e besimit të aleatëve,me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti theksoi angazhimin për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike, si dhe përpjekjet për drejtësi sociale.
Një falënderim të posaçëm Presidenti Begaj përcolli për përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Tiranë, për ndihmën dhe kontributin e dhënë, që Shqipëria të konsolidojë demokracinë, shtetin e së drejtës, dhe të përballojë sfidat ekonomike e sociale.
Gjatë kësaj fjale, Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin se Shqipëria e mbështet Ukrainën për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit.
Për sa i përket konfliktit Izrael-Hamas, Presidenti Begaj deklaroi se Shqipëria mbështet zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ai u shpreh, gjithashtu, se “krizat dhe kërcënimet gjejnë shprehje në zvarritjen, dhe shpesh në dështimin e dialogut, në sulmin ndaj parimeve demokratike të qeverisjes dhe në krijimin e ligjërimeve e veprimeve diametralisht të kundërta. Përballja me këto sfida dhe kërcënime kërkon të jemi të bashkuar në një aleancë për mbrojtjen e paqes dhe të vlerave demokratike.
Kjo aleancë vlerash duhet të jetë e hapur, jo e mbyllur, përfshirëse dhe jo përjashtuese, ku diversiteti kulturor, fetar dhe etnik të konsiderohen pasuri, jo mangësi”, – deklaroi Presidenti i Shqipërisë.