11/01/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot Kryetarin e Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, zotin Ali Ahmeti si dhe Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive të Maqedonisë së Veriut, zotin Artan Grubi.
Presidenti Begaj përshëndeti rolin e rëndësishëm të shqiptarëve dhe të partive politike shqiptare për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, por edhe të mbarë rajonit, si dhe vlerësoi zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në marrëdhëniet ndëretnike, mes shqiptarëve e maqedonasve.
Duke iu referuar axhendës së përbashkët euroatlantike dhe europiane mes dy vendeve, Kreu i Shtetit nënvizoi, se është shumë e rëndësishme që faktori politik shqiptar në vendin fqinj të vijojë të kontribuojë në këtë drejtim. “E ardhmja evropiane e të dy vendeve është primare dhe e një rëndësie gjeopolitike. Vetëm duke kontribuar të gjithë në këtë drejtim, do të mund të adresohen më mirë të gjitha problematikat me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”. – u shpreh Presidenti Begaj.
Nga ana e tyre, Zëvendëskryeministri Grubi dhe Kryetari i BDI-së Ahmeti e informuan Presidentin mbi zhvillimet e përgjithsme politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi fqinj për reformat e nevojshme kushtetuese në funksion të axhendës evropiane.