Konferencë për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Konferencë për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Kënaqësi që ritakohemi, jo kaq shumë për temën në fjalë, por për rikthimin tuaj këtu në Institucionin e Presidentit!

Të nderuar qytetarë!

Për fat të keq, në funksion të problemeve dhe halleve të tij personale politike që zoti Lulzim Basha ia shton vetes papushim, dhe me keqardhje të plotë për faktin që ai përpiqet sërish t’i zgjidhë ato ose të fajësojë për to Institucionin e Presidentit të Republikës, duke shtuar dozën e gënjeshtrave çdo ditë, jam këtu në respekt të të gjithë qytetarëve të Republikës, por padyshim edhe të të gjithë demokratëve, të cilët dëgjojnë gënjeshtra të tilla ku përfshihet Presidenti i tyre për të dhënë disa sqarime sot dhe sa herë të jetë e nevojshme.

Presidenti i Republikës, gjithmonë, në mënyrë koherente dhe të pandryshuar ka zgjedhur rrugën e transparencës, duke komunikuar me qytetarët, vetëm përmes bërjes publike të fakteve dhe të vërtetave të padiskutueshme dhe të mirëdokumentuara.

Siç dhe mund ta keni ndjekur, Lulzim Basha në daljet publike të radhës, pas shpikjes së trekëndësisht të Bermudës, por edhe më me intensitet, është shprehur se ai i paska ka ofruar gjithë mbështetjen e tij Presidentit të Republikës në këto vitet e fundit.

Siç do të bëj publike disa fakte sot, por edhe të tjera në vijim, kjo është një tjetër gënjeshtër e madhe!

Do të ndaj me ju, disa fakte që lidhen me një problem shumë të rëndë institucional, politik, demokratik, llogaridhënës, financiar, për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, që i ndjejnë pasojat e këtij vendimi shumë të rëndë të zotit Basha për mos marrjen pjesë të opozitës në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.

1. Siç dhe jeni në dijeni Presidenti, në respekt të Kushtetutës dhe pas konsultimit me të gjith forcat politike, kishte caktuar datën 30 qershor 2019, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të radhës për pushtetin vendor.

2. Sa më shumë afrohej data 30 qershor, aq më tepër rritej dhe përshkallëzohej tensioni midis forcave politike në vend, midis mitingjeve të opozitës dhe antimitingjeve të Kryeministrit.

3. Dukej qartë se palët politike me mjetet në dispozicion me gjuhën e urrjejtes, provokonin njëra-tjetrën, duke akuzuar në çdo rast kundërshtarin si burim të dhunës.

4. Kjo situatë u shoqërua me shumë protesta masive ku për fat të keq, me dhjetëra e qindra protestues, por edhe pjesëtarë të forcave të rendit, u plagosën dhe u dëmtuan, ndërkohë që me mijëra qytetarë përjetuan gazin.

5. Kjo e tensionoi shumë rëndë klimën politike në vend.

6. Në datë 2 qershor 2019 opozita mbajti protestën e shtatë të saj, ku në përfundim paralajmëroi mbajtjen e një proteste masive finale në Tiranë më datë 8 qershor 2019, ora 19:00.

7. Gjuha e urrejtjes që përdornin palët politike, në mënyrë të veçantë Kryetari i së ashtuquajturës “Opozitë e Bashkuar”, tregonte qartë se ekzistonte rreziku që Shqipëria të shkonte drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm të tensionit social, duke rrezikuar rëdë sigurinë publike, por edhe kombëtare, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend, se për procesin e integrimit europian as nukbëhej fjalë.

8. Në ditët që i paraprinë kësaj proteste të paralajmëruar si protesta finale ku do të bëhej hataja, Presidenti administroi edhe informacion të klasifikuar nga organet ligjzbatuese se gjatë kësaj prosteste do të përdorej dhunë e pakontrolluar ndaj institucioneve kryesore të vendit, e në radhë të parë ndaj Kuvendit.

9. Presidenti i Republikës, në datat 6-8 qershor 2019, ndodhej jashtë vendit për një vizitë zyrtare në Republikës Federale Gjermane, të planifikuar prej kohësh.

10. Në të njëjtën periudhë erdhi edhe Lulzim Basha në Gjermani, përpara mitingut final të datës 8 qershor. Dhe i’u lut Presidentit të Republikës, edhe në prani të personave të tjerë, duke iu përgjëruar me “lot në sy”, që Presidenti të “anulonte protestën e opozitës më 8 qershor” dhe po kështu të shtynte zgjedhjet.

11. Kjo sepse, sipas Lulzim Bashës, protesta që vetë Lulzim Basha kishte organizuar për më 8 qershor 2019, do të degradonte në dhunë, dhe se ai (Lulzim Basha) nuk e kontrollonte dot më popullin opozitar dhe se e dinte që për këtë ai (Lulzim Basha) do të ishte përgjegjësi kryesor për të gjithë pasojat e dhunës që do të prodhoheshin.

12. I trembur dhe i panikosur nga përgjegjësitë e tij përballë popullit opozitar, të cilin në sa e sa mitingje e gënjente, duke i premtuar se më datë 8 qershor do të ndodhte hataja dhe rrëzimi i qeverisë, si dhe i frikësuar deri në palcë nga përgjegjësitë ligjore që do të mbante për dhunën dhe pasojat e saj, Lulzim Basha, iu ul në gjunjë Presidentit, duke iu lutur që të anulonte dhe të shtynte patjetër zgjedhjet e 30 qeshorit 2019 përpara mitingut të 8 qershorit.

Këtë sipas Lulzim Bashës, Presidenti duhet ta bënte direkt nga Gjermania, ndërkohë që ndodhej për vizitë zyrtare në atë vend!!!

13. Pikërisht më datë 8 qershor 2018, Presidenti sapo mbërriti në Shqipëri, u njoh me situatën më të fundit dhe me shqetësimin për përshkallëzimin e pakontrolluar të të krijuar saj. Presidenti pas vlerësimit të rrethanave, vetëm pak minuta përpara fillimit të protestës së opozitës nëpërmjet një deklarate zyrtare, bëri publik vendimin e tij për të shfuqizuar Dekretin “Për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019”, duke anuluar kështu datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore.

14. Presidenti, duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale me autoritetin e tij kushtetues, pasi vlerësoi dhe analizoi të gjithë situatën e krijuar në vend, mori këtë vendim, për të çtensionionuar urgjent situatën dhe për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend, pordhe për t’i dhënë një rrugë-dalje Lulzim Bashës dhe opozitës që ai e kishte futur në udhëkryq, por dhe gjithë aktorëve të tjerë politikë në vend, për të krijuar një hapësirë dialogu për caktimin e një date të re për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në mënyrë gjithpërfshirëse dhe demokratike, siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë.

15. Ky vendim për shfuqizimin e dekretit nuk ishte një vendim i lehtë për mua. Aq më tepër pa u konsultuar me Kryetarin e Parlamentit, të cilin për hir të së vërtetës atë e ditë e mora në telefon gjatë kthimit nga Gjermania, por ai ishte në jug të Shqipërisë dhe aq më tepër me Kryeministrin, i cili kurrsesi s’mund të ishte i lumtur me një vendim të tillë. Megjithatë e mora i bazuar në parimet kushtetuese, dhe pas një vlerësimi shumë të përgjegjshëm të të gjitha rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare, mos harroni që ishte kulmi i lojës për ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe arsye të tjera! Duke mos pasur kohë në dispozicion, por duke pasur shqetësim të rëndë për pasojat e pakontrollueshme që mund të krijoheshin përderisa vetë ai që i thërriste njerëzit në protesta, ishte i tmerruar nga rezultati i protestës, nëse nuk do të kishte anulim të saj apo një shpallje të anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

16. Të mos harrojmë se në të shtatë protestat e mëparshme që ishin zhvilluar, dhjetra e dhjetra qytetarë dhe dhjetra policë kishin pësuan lëndime të rënda.

17. Pas anulimit të datës 30 qershor, Presidenti bëri gjithë përpjekjet e tij me ftesa zyrtare dhe informale, që ju imbani mend, në mënyrë që caktonim një date të re në kushtet e një klime të qetë dhe që të merrnin pjesë të gjitha forcat politike në vend, që qytetarët të kishin alternativa zgjedhjeje.

18. Presidenti më pas miratoi Dekretin e tij, për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e mbajtjes së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Data 13 tetor u caktua pas konsultave, në mënyrë të veçantë me zotin Basha, por edhe me të gjithë përfaqësuesit e partive të tjera opozitare, por edhe me përfaqësuesit e tjerë, të cilët dëshironin zgjedhje gjithëpërfshirëse ku natyrisht bojkotoi Partia Socialiste, e cila nuk ishte e interesuar për zgjedhje gjithëpërfshirëse.

19. Pas dekretimit të datës 13 tetor, si datë për zhvillimin e zgjedhjeve veprimi më minimal që duhej të kryente Lulzim Basha ishte që të paraqiste në KQZ kërkesën zyrtare për regjistrim në zgjedhjet e 13 tetorit, datë për të cilën ra dakord vetë.

20. Por çfarë ndodhi realisht ?

– Sipas konfirmimit zyrtar edhe të ditës së sotme të KQZ-së (shkresë nr. 6960/1 prot, datë 22.11.2021), rezulton se zyrtarisht nga KQZ-ja, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, nuk kanë denjuar të bëjnë as edhe një kërkesë zyrtare pranë KQZ-së për t’u regjistruar si subjekt konkurues në zgjedhjet që Presidenti kishte dekretuar për t’u zhvilluar më 13 tetor 2019 dhe për të cilat ishte konsultuar në mëyrë të veçantë edhe me Lulzim Bashën dhe kishte marrë dakordësimin e tij e të gjithë aleatëve të tij!!

21. Edhe pse opozita ishte e organizuar si një front opozitar, sipas marrëveshjes së lidhur midis tyre në prill 2019, ndryshe nga Lulzim Basha, rezulton se Partia Republikane, Partia Agrare Ambjentaliste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, i kanë paraqitur KQZ-së, kërkesat respektive zyrtare si për t’u regjistruar si konkurentë në zgjedhjet e 13 tetorit 2019, por dhe për të marrë masat për organizimin e tyre. Këto janë edhe përgjigjet e depozituara nga PR-ja, PAA-ja, LSI-ja.

22. Ndërkohë që Lulzim Basha, i cili paska mbështetur Presidentinë vendimet e tij gjatë viteve të kaluara, nuk paraqiti asnjë kërkesë të kësaj natyre. Pra, Lulzim Basha bojkoti jo vetëm 30 qershorin, që kishte rënë dakord apo ua kishte imponuar edhe aleatëve të tij, por bojkotoi dhe 13 tetorin, bojkotoi edhe aleatët e tij që donin zgjedhje vendore!

Në bazë të kërkesës të këtyre forcave opozitare, Kryetari i KQZ-së, zoti Zguri më 3 gusht thirri mbledhjen e KQZ-së, por nuk u bë kuorumi. Pse? Sepse katër anëtarët e shumicës, pra, të caktuar nga PS-ja që kishin zhvilluar zgjedhjet antikushtetuese të 30 qershorit nuk morën pjesë dhe bojkotuan.

Dhe një nga arsyet e tyre ishte se edhe vetë Kryetari i PD-së kishte bojkotuar edhe 13 tetorin. Dhe si do të bëheshin zgjedhjet pa Partinë Demokratike?!

23. Atëherë lind pyetja për çdo qytetar që dëgjon gënjeshtra të tilla në raport me Presidentin, të zotit Basha, por edhe për çdo demokrate dhe demokrat:

Kujt i shërbeu Lulzim Basha, duke mos e regjistruar Partinë Demokratike edhe për zgjedhjet e 13 tetorit 2019 sipas dekretit të Presidentit, për të cilin ai kishte rënë dakord?

– Bojkoti i zotit Basha, edhe më 13 tetor për dekretin e Presidentit që ai e kishte kërkuar vetë, ishte në sinkron të plotë me bojkotin e katër anëtarëve të KQZ-së, të PS-së, të cilët organizuan zgjedhjet antikushtetuese dhe të paligjshme të 30 qershorit.

Lulzim Basha nuk i shërbeu aspak jo vetëm vendit, por në mënyrë të veçantë opozitës, duke e përjashtuar atë totalisht nga qeverisja vendore dhe sot nuk ka asnjë këshilltar në të gjithë Republikën e Shqipërisë;

– Ai jo vetëm që nuk mbështeti aspak Presidentin e Republikës, në zbatimin e Dekretit për zgjedhjet e 13 tetorit, por mungesa e kësaj kërkese formale që i është kërkuar disa herë nga Presidenti i Republikës, edhe nga aleatët e tij, të cilët u regjistruan, u përdor më së shumti nga mazhoranca edhe për Komisionin Hetimor parlamentar, edhe në Komisionin e Venecias për të treguar se Presidenti nuk donte që të bëheshin zgjedhjet në Shqipëri, jo se Presidenti donte që të bëheshin zgjedhje gjithëpërfshirëse me gjithë Partinë Demokratike se ja, vetë PD-ja nuk është regjistruar për zgjedhjet e 13 tetorit;

– Është e qartë si drita e diellit se Lulzim Basha mbështeti vetëm kreun e RIlindjes për kapjen 100 % edhe të pushtetit lokal, siç kishte bërë edhe më përpara për Reformën Administrative, siç kishte bërë medjegien e mandateve në Parlamet.;

– Gjithashtu, me veprimet e tij duket qartë se ai mbështeti kreun e rilindjes në sulmet e tij ndaj Presidentit të Republikës, në mënyrë që t’i jepte atij argumente se Dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 13 tetor, nuk e respektoi as Lulzim Basha vetë. Pse duhet ta respektojë Partia Socialiste?!

24. Me mosparaqitjen e qëllimshme e të vetëdijshme të kërkesës zyrtare për t’u regjistruar në zgjedhje Lulzim Basha, u vendos haptazi kundër Institucionit të Presidentit të Republikës, duke u bërë palë me kreun e Rilindjes në sulmin e tij edhe për grabitjen e këtij institucioni mjaft të rëndësishëm të Republikës, përmes një procesi hetimor të iniciuar nga një Kuvend njëpartiak në korrik 2019, edhe ky, i dhuruar nga Lulzim Basha kreut të Rilindjes përmes djegies së pabesë të mandateve nga e gjithë opozita.

Këto ishin disa fakte për t’u treguar të gjithëve se sa e ka ndihmuar dhe se sa e ka mbështetur zoti Lulzim Basha Institucionin e Presidentit të Republikës gjatë të paktën këtyre dy-tre viteve!

Do të ketë fakte të tjera, por këto fakte kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët, sepse pushtetivendor prek çdo shqiptar. Dhe bojkoti i opozitës jo vetëm që është shkatërrues për të, sepse iheq mungesën e kontrollit, por ai dëmton edhe ata që kanë votuar për Partinë Socialiste se në fund të fundit ata duan llogaridhënie, duan debat kudo në bashkitë e tyre, për hallet dhe shqetësimet e tyre, dhe kurrsesi një abuzim flagrant që vjen gjithmonë nga mungesa totale e opozitës.

*  *  *

Pyetje (Ambrosia Meta – Syri. TV): Sot Lulzim Basha ka folur sërish për ju dhe ka thënë që demokratë ia njohin bëmat dhe gjëmat Ilir Metës dhe demokratë nuk ia zgjidhin dot Ilir Metës hallin që ka. Çfarë halli ka Presidenti dhe përse e keni ndihmuar ju Lulzim Bashën dhe i keni dalë në krah në një kohë kur ai në 2017-n ai bëri një marrëveshje me Kryeministrin Rama për të zhdukur LSI-në, partinë që ju e drejtonit në atë kohë?

Presidenti Meta: Ilir Meta është në detyrë që të përmbushë detyrën e tij si President i Republikës.

Se çfarë mendojnë shqiptarët, demokratët, për mua, është e drejtë e tyre. Unë kam qenë dhe gjithmonë do të jem këtu mes shqiptarëve, demokratë dhe socialistë, edhe pa parti. Gjithmonë i hapur për të dhënë llogari, për të reflektuar, asnjëherë për t’i ikur ballafaqimit.

Meqenëse zotëria disa herë ka provokuar, për arsye të qëllimshme, se kështu është kurdisur, se është në një hall, në një detyrim, në një siklet dhe në borxhe që s’i lan dot me sa duket, unë them se nuk të ndihmon dot Ilir Meta se nuk i ka mundësitë, jo se s’do të kishte dëshirë. Sepse u përpoq të të ndihmonte pa fund kur ishte Kryetar i Parlamentit, që të mos e bojkotoje Reformën Administrative Territoriale.

Të dërgoi në konferencën e partisë tënde për pushtetin vendor edhe kryetarin e atëhershëm të kësaj reforme në parlament, të ndjerin Bashkim Fino, edhe zotin Vasili, pasi ky e bojkotonte, dhe të dhanë ofertën në emër të miqësisë së Ilir Metës që: Sill platformën tënde! Sill hartën tënde me disa kritere në mënyrë që ne ta miratojmë me konsensus, pasi i kemi votat edhe pa ty!

Dhe ai kurrë nuk e bëri një gjë të tillë. Kujt i interesoi kjo? Demokratëve?! E shikoni vetë.

I dogji mandatet në kundërshtim me porositë që i ka dhënë Ilir Meta atij dhe të gjithë të tjerëve që kurrë nuk mund të merret një vendim i tillë.

Dhe e dini përse erdhi e m’u lut në Gjermani mua për këtë çështje, se unë e kisha vizitën të planifikuar prej muajsh? Se e kishin thirrut atje! E kishin thirrur atje se ishin të tmerruar ngaqë dilnin lajmet këtu me gaz, me dhunë e me polici dhe zotëria më 2 qershor deklaronte (Insert i fjalimit të zotit Basha).

Do të bëhej hataja më 8 qershor se ky e thërret popullin dhe pastaj ia lë popullit përgjegjësinë dhe ky nuk ka faj se fajin e ka populli!

Atje e kishin thirrur që ta dini ju për t’i thënë: More djalë i mbarë, u hodh edhe një shashkë, pati problemin më të vogël të shtunën, ne do të distancohemi një herë e mirë nga ty!

Dhe mos na përdor më ne, që i dogje mandatet se më thanë gjermanët! Se ne të kemi thënë: Mos i digj mandatet! Jo mandatet, por as bojkot parlamentit nuk do t’i bësh se do të shkosh…! Se ke thënë që më ka thënë gjermanët: Mos u regjistro për zgjedhje! Se më kanë thënë gjermanët që do të bëj këtë, prisni se do të na vinë ndihma nga gjermanët e me radhë! Kështu i kanë thënë ata! Prandaj dridhej e qante ky dhe ata që takoi ai, – një pjesë i takova edhe unë, takova edhe shumë të tjerë, – m’u lutën. Zoti President, – më thanë, – si do të bëjmë ne, edhe për negociatat, por edhe që në Gjermani e në Europë të mos shohin më dhunë njerëzit nëpër televizone se nuk jundihmojmë dot, që të mos ndodhë ndonjë hata ditën e shtunë?

Dhe e dyta, që të bëhen zgjedhjet vendore gjithëpërfshirëse, siç i kemi thënë ne Bundestagut me kohë në tetor, në mënyrë që për ju dhe Maqedoninë e Veriut të çelen negociatat?

Prandaj, të lutem shikoje atë çështjen e Kushtetutës, në mënyrë që t’i jepet mundësia edhe opozitës që të regjistrohet në këto zgjedhje!

Pasi unë bëra atë akt, që e bëra për vendin tim, dhe s’kam pranuar kurrë që ta bëj për ndonjë vend tjetër, kemi një deklaratë të njeriut kryesor të Bundestagut, i cili merret me këtë pjesë të Ballkanit e të Europës: Që partitë të pranojnë vendimin e Presidentit për zgjedhje gjithëpërfshirëse që të mos vënë në pikëpyetje të ardhmen europiane të Shqipërisë, etj., etj. E keni publike. E keni edhe te Deutsche Welle.

Kjo është e vërteta dhe unë, pavarësisht se çfarë thotë zotëria sot, unë nuk jam i penduar për atë që kam bërë. Natyrisht që mund ta bëja në kushte dhe rrethana të tjera pasi të bëja një tryezë, të thërrisja e të kisha kohë të gjitha partitë e kështu me radhë. Rrethanat të cilat i kam sqaruar dhe të cilat besoj se janë diskutuar njëqind herë më parë më detyruan të bëja një veprim të tillë.

Kam një pyetje për ju: Në rast se Presidenti nuk do të bënte një veprim të tillë, cili politikan do të përvëlohej më shumë? Lulzim Basha!

Kam një pyetje për ju: Nga një akt të tillë që bëri Presidenti, për rrethanat e kohës të cilat iu imponuan, pavarësisht se kishte marrë iniciativa edhe më parë për tryezë gjithëpërfshirëse e kështu me radhë, a e ndihmoi kjo Presidentin? A nuk u vu Presidenti në qendër të sulmeve? Jo vetëm nga zotëria, i cili nuk donte zgjedhje me opozitën, por edhe nga shumë faktorë të tjerë, të cilët kërkonin të impononin me forcë ndryshime të kufijve në Ballkan, dhe të cilët kërkonin të vendosnin një regjim flagrant autokratik në Shqipëri duke shfrytëzuar papjekuritë apo lojrat e zotërisë, i cili përfshin tani Presidentin. Edhe për ta shpallur opozitën si terroriste dhe për të rehabilituar të gjitha ato probleme të mëdha të demokracisë e të shtetit të së drejtës në vendin tonë. Si shpërblim që u jepej për mbështetjen ndaj planeve për ndryshimin e kufijve në Ballkan në kurriz të shqiptarëve.

Pra, ky është raporti im me zotërinë! Unë e kam bërë që të mos përplaseshin demokratët dhe socialistët. Ju e mbani mend apo jo? Nuk do t’i lejojmë ne që të shkojnë të votojnë e të bëjnë hatanë! Dakord, ju qeshni! Sa njerëz janë plagosur në mitingjet që i thërriste zotëria? A e mbani mend ju atë policen, e cila humbi gishtin? A e mbani mend ju atë policin tjetër, i cili humbi syrin? A i mbani mend ju tërë ato nëna, ato gra, ato fëmijë, që hëngrën tërë atë gaz? Kush ia kishte borxh këtij zotërie? I tha Ilir Meta këtij: Mos u fut në zgjedhje? Po më 13 tetor kush i tha që mos u regjistro? Ilir Meta i tha: Regjistrohu! Se unë 13 tetorin e vura bashkë me ty! E vendosëm bashkë! Ti e kërkove shtyrjen e zgjedhjeve në mënyrë të veçantë. Përse u regjistruan partitë e tjera të opozitës dhe nuk u regjistrua ky?! Kush e bojkotoi 13 tetorin? Katër anëtarë të KQZ-së të Partisë Socialiste dhe Partia Demokratike e Lulzim Bashës! Dhe i kam bërë vetëm një lutje: Të lutem, mos bojkoto demokratët se unë nuk të jap dot zgjidhje!