Konferencë për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Konferencë për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Pyetje: I nderuar zoti President! Unë doja t’iu pyesja në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, pasi ka patur një zhvillim gjatë ditës së sotme.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ndaloi znj. Regleta Panajoti, e cila kishte aplikuar për vendin vakant të shpallur nga ju. Si e shikoni të ardhmen e Gjykatës Kushtetuese?

Kush nga institucionet duhet të bëjë më shumë hapa për ta zgjidhur këtë problem?

Presidenti Meta: Kam zero koment në këtë situatë për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Nëse do të ishin ndjekur hapat zyrtarë, të ndërrmara nga Presidenti i Republikës, që përpara tre vitesh Shqipëria nuk do të ishte asnjë orë dhe asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese.

Gjithë historinë dhe odisenë e saj dhe të çështjeve të tjera, ju i dini shumë mirë dhe nuk është më kjo çështja imediate.

Së dyti, imediate sot është shëndeti i njerëzve, sepse kjo është një situatë që mund të vazhdojë gjatë.

Shqetësuese sot është mungesa e përgjegjësisë për të dhënë mbështetjen e duhur për sektorin e shëndetësisë, për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe për të gjithë personelin që për muaj të tërë po lufton dhe po rraskapitet për të përballuar këtë situatë.

Në këtë drejtim, edhe njëherë dua të theksoj se si President i Republikës kam bërë çdo përpjekje për të bashkëpunuar sa më ngushtë me qeverinë dhe me çdo institucion tjetër, që kjo sfidë e madhe COVID-19 të ketë sa më pak kosto për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Pyetje: Lidhur me situatën e krijuar në Kakavijë, a keni pasur komunikime me përfaqësues të strukturave ose të politikës greke për zgjidhjen e kësaj problematike?

Konkretisht çfarë hapash janë ndërmarrë nga Institucioni i Presidentit për ta zgjidhur gjithë situatën kaotike që u krijua për disa ditë?

Presidenti Meta: Ju duhet të jeni të qartë, që nga ana e Presidentit janë bërë të gjitha veprimet e duhura, jo vetëm publikisht, të cilat kanë qenë mjaft të rezervuara, për të mos ndikuar në një debat të panevojshëm, duke qenë se kishim të bënim me një çështje shumë të madhe humanitare.

Ju e dini shumë mirë që ky nuk ishte një rast i ri. Keni edhe rastin e ngjarjeve që ndodhën në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku shumë qytetarë u lanë për ditë e netë të tëra pa u asistuar dhe pa hyrë në territorin e vendit të tyre.

Në të gjitha rastet, Institucioni i Presidentit ka bërë përpjekjet e tij më të mira, pa ndezur debate të panevojshme, që të parandalohen këto çështje.

Por kështu, meqenëse po më pyesni, edhe pse qeveria duhet të ishte konsultuar me Presidentin për ndryshimet në krye të personelit diplomatik në Greqi, i bëri ato ‘fakt të kryer’, në mënyrën më të padinjitetshme, përmes disa publikimeve në media.

Por Presidenti, edhe pse ka patur rezervat e tij për këtë sjellje, duke patur parasysh edhe çështje të tilla, është treguar gjithmonë shumë bashkëpunues, duke shmangur jo vetëm bllokimet, por edhe debatet publike.

Asgjë nuk e justifikon sjelljen e qeverisë!

Reagimi im i parë, ka qenë shumë i rezervuar, në raport me opinionin publik për këtë çështje.

Por isha i detyruar më pas të reagoja më qartë dhe të përshkallëzoja qëndrimin, kur pashë që faji po u vihej qytetarëve për detyrat e pakryera në kohë nga ana e institucioneve tona, të cilat duhet të përkushtoheshin maksimalisht për t’iu përgjigjur asaj situate të krijuar, me përgjegjshmëri, me ndjeshmëri, por edhe me shqiptarizëm, sepse në fund të fundit ata janë njerëzit tanë që mbajnë me sakrificat e tyre Shqipërinë për 30 vjet.

Ju falënderoj shumë ju përfaqësuesve të medias, që pasqyruat ato shqetësime në kohën e duhur.

Nga dita e nesërme do t’i dërgoj një kalendar qeverisë, sipas vlerësimit të Institucionit tonë, për të parandaluar raste të tilla, duke patur parasysh të gjithë frekuencën e kalimit në kufi që ndodhin gjatë një viti, që nga Pashkët, Krishtlindjet, Vitin e Ri, kohën kur emigrantët vijnë për pushime dhe kohën kur largohen përsëri për të vijuar punët që kanë atje, përmes së cilës mbajnë familjet e tyre atje dhe familjet e tyre këtu.

Pyetje: Z. President, nuk e di nëse jeni njohur me deklaratën e Ministrit Majko, i cili ndër njerëzit që veçon për ta falënderuar për zgjidhjen e situatës në Kakavijë është Hirësia e Tij, Anastas Janullatos. Çfarë impresioni keni z. President kur edhe ju siç konfirmoni, keni ndërhyrë te pala greke, por mesa duket roli që ka shteti shqiptar, diplomacia, qeveria, duket se është më e vogël sesa roli që ka Kisha për zgjidhjen e situatës?

Pyetja e dytë, përtej faktit që ju gjatë kësaj periudhe keni pushuar, keni qenë mjaft aktiv në qëndrimet që keni ndarë në rrjetet tuaja sociale, që kryefjalë kanë ndryshimet kushtetuese dhe mbrojtjen e Kushtetutës. A e sheh Presidenti i Republikës mundësinë për t’ju rikthyer qyetarëve për të vijuar mbrojtjen ndaj saj sikundër ju keni kundërshtuar fort ndryshimet kushtetuese të datës 30 korrik? Shtuar këtu dhe faktin se çështja e rikthimit në rrugë, duket se nuk është në planet afatshkurtra të opozitës. Falemnderit!

Presidenti Meta: Lidhur me pyetjen tuaj të parë. Çdo përpjekje për të fajësuar palën greke është pa kuptim. Sepse ne e dimë shumë mirë që qeveria greke dhe pala greke dhe për të drejtat e një shtetasi shqiptar me kombësi greke e bën detyrën e vet në mënyrë të jashtëzakonshme, apo jo?

Ne e dimë shumë mirë, që ishte dhe është përgjegjësi e plotë e shtetit shqiptar, përfshirë dhe Presidentin, në mënyrë të veçantë e qeverisë, ku Kryeministri për një rast të tillë ka përgjegjësi të shumëfishtë. E ka edhe si Kryeministër, sepse ka përgjegjësi për të gjithë qeverinë dhe kur nuk i përgjigjen ministrat duhet të marrë masa, e ka edhe si Ministër i Jashtëm.

Sepse është ai Ministër i Jashtëm ende në detyrë i Republikës së Shqipërisë dhe ka detyrime kushtetuese ndaj shtetasve shqiptarë edhe si Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm.

Ne e dimë shumë mirë se kur është frekuenca më e lartë e qarkullimit të qytetarëve shqiptarë dhe duhet të ishin marrë të gjitha masat më parë, që të mos krijohej kjo situatë e jashtëzakonshme.

Këto masa nuk u morën, atëherë u krijua një situatë e jashtëzakonshme dhe përpiqemi të spostojmë debatin te gjëra që nuk kanë kuptim, aq më tepër përpiqemi të fajësojmë dhe vetë viktimat e kësaj krize, të krijuar nga mosushtrimi i detyrave dhe i përgjegjësive në kohën e duhur nga të gjithë ata që ishin përgjegjës dhe janë përgjegjës për këtë çështje.

Për Kushtetutën, kemi 3 vjet që flasim dhe pa dyshim do jemi këtu edhe në shtator, sepse jemi sjellë në mënyrë jo të përgjegjshme me të që nga prilli i vitit 2008.

Faleminderit!