Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 7917

Lajme

Konferenca për shtyp e Trojkës së SCEEP-së. Presidenti Begaj: Integrimi në BE në fokus të kryesimit të radhës së organizatës

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, deklaroi nga Shkupi se Shqipëria mbetet një mbështetëse entuziaste dhe proaktive e bashkëpunimit rajonal. Ky bashkëpunim, – theksoi Presidenti Begaj, përmirëson jetesën e qytetarëve, forcon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ndihmon proceset integruese Euroatlantike.

Gjatë një konference për shtyp, në përfundim të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Presidenti Begaj, në krah të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Sh. S. Znj. Gordana Silanovska-Davkova dhe Presidentit të Malit të Zi, Sh. T. Z. Jakov Milatović, theksoi rëndësinë e forcimit të kësaj organizate për rajonin.

Ndërsa përgëzoi Shkupin për lidershipin dhe vizionin evropian që tregoi gjatë ushtrimit të kryesimit të radhës së SEECP-së, Presidenti Begaj bëri të ditura prioritetet e Shqipërisë, e cila do të marrë kryesimin e radhës.

Presidenti i Republikës deklaroi se çështjet parësore kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian, rritjen e qëndrueshme ekonomike, Agjendën e Gjelbër dhe Digjitale, turizmin, kulturën dhe ndërlidhshmërinë.  Kryesimi nga Tirana për herë të tretë i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), sipas Presidentit Begaj, krijon lehtësi, pasi kjo udhëheqje do të bazohet në përvojat dhe sukseset e mëparshme.

Gjatë këtij kryesimi, Presidenti Begaj deklaroi se motoja do të jetë “Të formësojmë të ardhmen tonë evropiane”, duke e vendosur integrimin në BE në qendër të drejtimit të radhës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).