Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 2618

Lajme

Konferenca për shtyp e Presidentit Begaj në Malin e Zi me Presidentin Milatović

Kam kënaqësinë e veçantë të jem këtu në Mal të Zi, të vizitoj një vend fqinj dhe mik të Shqipërisë.

Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën dhe mikpritjen e rezervuar ndaj meje dhe delegacionit që më shoqëron.

Sot, ne zhvilluam një takim të suksesshëm, me diskutime të frytshme jo vetëm për frymën e bashkëpunimit dhe dakordësimit për çështje të bashkëpunimit dypalësh, por edhe në kuadër të nismave integruese rajonale dhe ato evropiane.

Sot, së bashku me Presidentin, diskutuam për dialogun dypalësh. Dy vendet dhe popujt tanë kanë shumë të përbashkëta. Ne ndajmë jo vetëm të kaluarën e të tashmen e fqinjësisë ballkanike, por edhe të ardhmen tonë evropiane dhe vlerat Euroatlantike.

Shqipëria i vlerëson maksimalisht marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira dhe miqësore me Malin e Zi në dimensionin dypalësh dhe atë rajonal.

Vendet tona ndodhen në një fazë të re të marrëdhënieve të forcuara midis tyre, jo vetëm si vende fqinje e mike, me lidhje shqiptarët e Malit të Zi dhe komunitetin malazez në Shqipëri, por edhe si vende anëtare në NATO, dy vende që negociojnë intensivisht për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, dy vende të cilat mbajnë takime të përbashkëta midis dy qeverive dhe zhvillojnë konsultime nëpërmjet komisioneve të përbashkëta.

Ky është një zhvillim cilësor, i cili mendoj se duhet të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Ne sot dakordësuam të inkurajojmë qeveritë e vendeve tona për më shumë projekte të përbashkëta, veçanërisht në zonat ndërkufitare. Në këto zona, potenciali njerëzor, mundësitë ekonomike dhe trashëgimia unike kulturore mund të eksplorohen dhe të shfrytëzohen më mirë.

Bashkë me mikun tim, Presidentin Milatović, mendojmë se do të ishte me shumë rëndësi planifikimi i vizitave të përbashkëta në këto zona. Është shumë e rëndësishme të kemi marrëdhënie shumë të mira politike, por akoma më e rëndësishme është të kemi bashkëpunim ekonomik për të rritur mirëqenien e popujve tanë. Është shumë me rëndësi për vendet tona, është me rëndësi për rajonin dhe për vetë Bashkimin Evropian.

Turizmi përbën një fushë të rëndësishme të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Rritja e kontakteve mes qeverive tona, bashkëpunimi i mirëkoordinuar dypalësh në nivel lokal, si dhe bashkëpunimi i operatorëve turistikë, do të shërbejnë për t’i dhënë më shumë shtysë zhvillimit turistik dhe ekonomisë së zonave ndërkufitare.

Tashmë kemi shembuj pozitiv. Ekziston një bashkëpunim dhe bashkërendim inkurajues ndërmjet zonës së Plavë-Gucisë dhe Vermoshit, por ka ende potenciale të pashfrytëzuara, që duhet të përfshijnë edhe zona të tjera ndërkufitare në Shqipëri, në Malin e Zi dhe në Kosovë.

Ndërlidhja rrugore dhe projekte të përbashkëta turistike favorizojnë zhvillimin e këtyre zonave dhe do të stimulojnë të rinjtë të mos i braktisin.

Zhvillimi turistik dhe ekonomik i disa ekosistemeve, si ato që u përmendën nga Presidenti Milatović, si ai i lumit Buna, zonave malore apo liqenit të Shkodrës, do të shërbejnë për integrimin ekonomik rajonal, mirëmenaxhimin e flukseve turistike, qarkullimin më të mirë të mallrave, si dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve tanë në të dyja anët e kufirit.

Ndërtimi i urës që do të lidhë Velipojën me Ulqinin është një projekt me ndikim mjaft të madh në ndërlidhjen kufitare dhe zhvillimin e turizmit. Ai do të mundësojë krijimin e një boshti ekonomik, turistik dhe social që lidh Shkodrën, Lezhën dhe Ulqinin.

Folëm së bashku me Presidentin edhe për sigurinë. Si vende anëtare në NATO, marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona përbëjnë një shembull për rajonin tonë.

Ne i konsiderojmë këto marrëdhënie të rëndësishme dhe specifike në tre dimensione: në atë rajonal, në NATO si anëtar dhe në aspiratën për në Bashkimin Evropian.

Unë besoj se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë ende shumë për të ofruar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte një arritje e merituar, por edhe një kontribut për sigurinë evropiane. Folëm, gjithashtu, edhe për Bashkimin Evropian.

Sot pata mundësinë ta përgëzoja Presidentin Milatović për arritjet e Malit të Zi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Kemi folur shumë shpesh për këtë gjë dhe i di shumë mirë mendimet e Presidentit Milatović. Sot, edhe njëherë ne rikonfirmuam se integrimi në BE për Shqipërinë dhe Malin e Zi mbetet i një rëndësie jetike dhe strategjike.

Shqipëria vijon e përkushtuar në procesin e anëtarësimit.

Kemi realizuar deri tani 2 takime ndërqeveritare dhe hapjen e disa kapitujve, duke shpresuar që brenda vitit 2025 të hapen të gjithë kapitujt e negocimit me Bashkimin Evropian. Po kështu, shpresojmë dhe besojmë që Shqipëria, brenda harkut kohor të kësaj dekade, të meritojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pavarësisht se anëtarësimi kërkon kohën e vet, për ne më shumë rëndësi ka procesi, i cili po e transformon shoqërinë tonë, qeverisjen, ekonominë dhe sjell përfitime direkte për të gjithë qytetarët tanë.

Ne folëm, gjithashtu, edhe për rajonin. Në takimin e sotëm u theksua se perspektiva Euroatlantike e rajonit është e vetmja rrugë që do të garantojë paqen, stabilitetin, sigurinë, pajtimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Çdo qasje tjetër do të bënte që mosmarrëveshjet dypalëshe, nacionalizmat folklorike dhe ndikimet e faktorëve të tretë të fitonin më shumë terren.

Shqiptarët në Ballkanin Perëndimor luajnë një rol konstruktiv e vendimtar për të ardhmen Euroatlantike dhe për ruajtjen e paqes e kohezionit shoqëror duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendeve ku jetojnë.

Faktori shqiptar në Malin e Zi ka luajtur dhe luan një rol balancues e përcaktues për perspektivën Euroatlantike të vendit.

Gjithashtu, folëm për Kosovën. Kosova dje kishte zgjedhjet e përgjithshme dhe unë dua të përshëndes Republikën e Kosovës dhe popullin e saj për mbajtjen e zgjedhjeve të qeta dhe të rregullta.

Uroj sa më shpejt të dalë rezultati dhe të kemi krijimin e një qeverie të re.

Kosova duhet të vazhdojë me shumë energji dhe dinamizëm procesin e konfirmimit të saj të plotë ndërkombëtar, të integrimit në organizatat rajonale e ndërkombëtare, të avancimit të kërkesës së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të bashkëpunimit institucional me NATO-n me synim anëtarësimin e saj për të qenë anëtare e NATO-s, dhe të forcimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Shqipëria e ka mbështetur dhe do ta mbështesë gjithmonë këtë agjendë të Kosovës.

E falënderoj Malin e Zi për mbështetjen e ofruar dhe angazhimin për Republikën e Kosovës për mbështetje edhe në të ardhmen.

Mali i Zi për Shqipërinë është një vend mik, sot në NATO, nesër në Bashkimin Evropian, por kjo sjell detyrimin për të bashkëpunuar së bashku për të mirën e vendeve tona dhe për prosperitetin e popujve tanë. Shpresoj shumë që vizita ime sot të kontribuojë në përforcimin e këtij bashkëpunimi.