07/02/2023• Intervistat• Bianka Hada
Elona Meço: Mirëmbrëma! Emisioni “Pa Censurë” ndodhet sot në Presidencë, për të zhvilluar një intervistë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zotin Bajram Begaj. Zoti President, ju falenderoj që jeni sot me mua në “Pa Censurë” dhe e vlerësoj shumë praninë tuaj në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, përmes emisionit “Pa Censurë”.
Presidenti Bajram Begaj: Faleminderit! Mirëmbrëma, kënaqësia është e gjitha e imja!
Elona Meço: Zoti President, le të fillojmë ngai intervista pa u vonuar. Tani që kanë kaluar 6 muaj besoj që nuk keni më mistere në punën e Presidencës. A ishte kjo puna që prisnit?
Presidenti Bajram Begaj: Është e vërtetë. Në fakt, koha ikën shpejt dhe angazhimi sa vjen e shtohet. Në këto 6 muaj unë nuk jam përpjekur të zbuloj në asnjë çast misteret e postit të Presidentit. Në këto 6 muaj ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm i Institucionit të Presidentit për të realizuar gjithë programin e punës. Janë pritur në Presidencë 3 presidentë: Presidenti i Italisë, i Azerbajxhanit dhe i Gjermanisë. Po kështu, janë pritur kryeministra, autoritetet të larta ndërkombëtare. Unë, përtej privilegjit të të qenurit në postin e Kryetarit të Shtetit, shoh përgjegjësinë e përfaqësimit të unitetit të popullit, unitetit të pritshmërive dhe aspiratave të kombit shqiptar.
Elona Meço: Pra, ia vlen të jesh president, edhe pse keni më pak kompetenca nga sa kanë patur presidentët paraardhës, pasi u bë Reforma në Drejtësi psh?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk e mas postin e Presidentit me numrin e kompetencave që ai ka. E mas me përgjegjshmërinë dhe ndershmërinë e kryerjes së detyrës, në respekt të Kushtetutës dhe në zbatim të plotë të ligjeve. Besoj se kompetencë më të rëndësishme sesa mbrojtja e Kushtetutës nuk ka.
Elona Meço: Zoti President, duke shpresuar që ju ta kryeni sa më mirë këtë detyrë për të cilën dhe jeni betuar, por kur u zgjodhët ne nuk dimë shumë nga përzgjedhja juaj si President, pasi PS bëri një proces aspak transparent. Ne e dimë sipas rregullit që ata deklaruan ishte se ju duhet të jeni propozuar nga disa deputetë. Dini diçka më shumë se si u zgjodhët President, ju personalisht, për t’ia thënë publikut?
Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk mund të komentoj procesin e partive politike. Ajo që di të them është se, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, procedura e përzgjedhjes së Presidentit është një procedurë shumë strikte. Një grup prej jo më pak se 20 deputetësh propozojnë kandidatin, i cili i paraqitet Kuvendit për votim.
Elona Meço: Po, ky është procesi kushtetues, por si erdhëm deri këtu? Keni një ide?
Presidenti Bajram Begaj: Është një proces i partive politike dhe unë nuk komentoj. Në asnjë rresht të Kuhtetuës nuk thuhet që propozimi i kandidatit për President bëhet nga një forcë politike.
Elona Meço: Zoti President, përpara se ju të zgjidheshit në detyrën më të lartë të shtetit shqiptar, kryeministri deklaroi se i duhet dhënë vendit një ligj për funksionimin dhe organizimin e Presidentit të Republikës, që është në fakt i vetmi ligj që mungon nga të gjitha organet kushtetuese, që parashikon Kushtetuta. Deri tani ky ligj nuk është bërë. A mendoni që duhet një ligj për organizimin dhe funksionimin e Presidentit?
Presidenti Bajram Begaj: Siç e përmendët dhe ju, Institucioni i Presidentit është një organ kushtetues. Ligji i presidentit është i nevojshëm. Është i nevojshëm për të përcaktuar veprimtarinë e Presidentit të Republikës. Është i nevojshëm për të bërë organizimin e brendshëm institucional. Është i nevojshëm për të përcaktuar aktet dhe procedurat që i duhen Presidentit për të ushtruar kompetencat e tij. Është i nevojshëm për faktin e plotësimit të rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese.
Elona Meço: Keni diçka në mendje që nuk është ende mirëpërcaktuar?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk është një gjë personale që unë e kam në mendje, por në punën tonë të përditshme vërehen disa problematika që duhen adresuar dhe besoj se adresimi më i mirë i tij do të jetë përmes ligjit të presidentit.
Elona Meço: Zoti President, 6 muaj në detyrë besoj që janë mjaftueshëm për të përcaktuar disa korniza institucionale në lidhje me marrëdhënien që keni me individë të caktuar që drejtojnë shtetin. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Rama?
Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk vendos korniza institucionale. Unë respektoj dhe zbatoj kornizat institucionale që ditën e parë që marr detyrën. Korniza institucionale është tërësia e ligjeve, rregullave, procedurave, akteve që rregullojnë funksionin e institucionit dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve. Në çdo detyrë timen të mëparshme, kam zbatuar rigorozisht kornizën institucionale. Dhe në këtë rast, të qenurit President i Republikës, nuk e përjashtoj veten nga zbatimi në mënyrë rigoroze i kornizës institucionale. Marrëdhënia ime me kryeministrin Rama dhe me çdo personalitet tjetër politik ose jo është në kuadrin e një kornize institucionale.
Elona Meço: Nuk e keni kaluar, sepse psh, kur e prisni apo e përcillni në derën e Presidentit, ju kemi parë të qeshur, të gëzuar. Keni një marrëdhënie përtej kësaj?
Presidenti Bajram Begaj: Besoj se ne kemi një kod familje, që kur përcjellim mikun nga shtëpia e përcjellim deri tek dera jashtë.
Elona Meço: Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës më ka vrarë veshin përmendja e SHBA-së, për mirë në fakt. Ju pëlqen të ndërtoni profilin e një Presidenti proamerikan? Mund të themi që SHBA-të kanë në Presidencë një njeri të tyrin, një njeri që i mbështet pa asnjë kusht?
Presidenti Bajram Begaj: Marrëdhëniet me SHBA-të janë të një rëndësie të veçantë historike dhe strategjike. Marrëdhëniet dhe rëndësia e tyre nuk është çështje profili apo profilesh personale. Është më shumë sesa kaq. Pa SHBA-të Shqipëria nuk do të kishte këtë profil që ka sot. Kemi një vend anëtar të denjë në NATO, kemi një faktor shqiptar mjaft të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon, kemi një mbështetje mbarëkombëtare nga SHBA-të dhe një mbështetje të fuqishme për integrimin e Shqipërisë në BE. Pa ndihmën e çmuar të SHBA-ve, Ballkani nuk do të kishte këtë profil që ka sot. Ne kemi një Kosovë të lirë dhe të pavarur, kemi një fqinjësi më komunikative, kemi më pak konflikte dhe mosmarrëveshje, kemi një të ardhme më të mirë dhe më të sigurtë. Unë nuk besoj se marrëdhëniet dhe rëndësia e marrëdhënieve zhvillohen në plane personale. SHBA-të kanë shqiptarët aleatët e tyrë të natyrshëm.
Elona Meço: Megjthatë, ne mund t’ju quajmë ju një President me profil proamerikan?
Presidenti Bajram Begaj: Unë jam shqiptar. Nacionaliteti është shqiptar.
Elona Meço: Dhe si shqiptar do të thotë që jemi të orientuar të gjithë drejt SHBA, siç sapo e thatë ju.
Presidenti Bajram Begaj: Ju këshilloj të shihni anketimet që bëhen për këtë gjë.
Elona Meço: Për shkak të mënyrës që qeveria zgjodhi për t’ju emëruar në postin e Presidentit, ju keni pak besim nga opozita e vendit, ajo as nuk erdhi në seancën e votimit tuaj. Keni bërë ndonjë përpjekje për ta fituar besimin e opozitës?
Presidenti Bajram Begaj: Edhe një herë për ta sqaruar, nuk është qeveria që zgjedh apo emëron Presidentin e Republikës. Procedura është shumë qartë e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që thotë “Presidenti zgjidhet nga një propozim i bërë nga një grup jo më pak se 20 deputetësh,”…
Elona Meço: Të cilët ishin të gjithë të qeverisë, prandaj iu referova si zgjedhje nga qeveria.
Presidenti Bajram Begaj: Të cilët paraqesin kandidaturën në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi, në seancë plenare, bën votimin e fshehtë dhe pa debat të kandidatit. Në fakt, gjatë gjithë 6 mujorit që unë kam në detyrë, kam treguar që jam i paanshëm dhe në betimin tim në parlament kam thënë që do të qendroj mbi palët.
Elona Meço: Si e keni bërë këtë?
Presidenti Bajram Begaj: Si e kam bërë? Në çdo aktivitet, në çdo ceremoni, në çdo iniciativë, në çdo tur që ka zhvilluar Presidenti i Republikës ka patur prezent edhe deputetë të opozitës.
Elona Meço: Më lejoni t’ju pyes, të cilës opozitë? Sepse opozita është e ndarë në dy pjesë. Dhe këtu po kaloj tek pyetja tjetër. Si keni mundur të krijoni një balancë mes dy pjesëve të PD-së? Merrni një deputet nga zoti Berisha, një nga grupi tjetër parlametar?
Presidenti Bajram Begaj: Unë mbështes dhe respektoj opozitën për vlerat që ajo përfaqëson. E konsideroj opozitën shqiptare si shumë të rëndësishme për proceset demokratike të vendit. E shikoj shumë të rëndësishme për pjesëmarrjen e saj në proceset integruese dhe, çfarë është më e rëndësishme, në reformën në drejtësi. Unë kam komunikim dhe do të vazhdoj të kem komunikim me opozitën shqiptare. Unë nuk mund të përcaktoj se kush është kryetari i opozitës, por që të kem marrëdhënie të mira me ta është absolutisht e nevojshme.
Elona Meço: Pra, ju keni komunikim edhe me pjesën e zotit Berisha, edhe me pjesën e zotit Alibeaj apo jo?
Presidenti Bajram Begaj: Stafi ka komunikim me të gjithë opozitën shqiptare.
Elona Meço: Nuk ndiheni i bojkotuar nga pjesa e zotit Berisha? Zoti Berisha psh nuk ishte i pranishëm as në inaugurimin tuaj si President.
Presidenti Bajram Begaj: Kur thashë pak më parë se unë respektoj dhe zbatoj kornizën institucionale, edhe në këtë rast është zbatuar në mënyrë rigoroze protokolli i shtetit.
Elona Meço: Zoti President, ju së fundmi keni kryer një akt, të parin gjatë këtyre 6 muajve për kthimin e një ligji, dhe ishte ligji për dekoratat. A mendoni se qeveria është një rrezik për të marrë çdo pushtet, të kontrollojë çdo pushtet, qoftë edhe atë të medaljeve, për dhënien e medaljeve dhe dekoratave?
Presidenti Bajram Begaj: Është e vërtetë që kam kthyer për rishqyrtim në parlament ligjin për dekoratat. Kthimi i një ligji për rishqyrtim në parlament nuk e vendos Presidentin në pozita rreziku, por në respekt të Kushtetutës. Nuk mendoj se heqja e një kompetence, siç është ligji për medaljet, do ta rëndonte pozitën e Presidentit apo do të shtonte pozitën e qeverisë. Nuk e shoh si rrezik.
Elona Meço: Shqetësimi juaj kryesor për këtë ligj cili është?
Presidenti Bajram Begaj: Shqetësimi ynë kryesor është që të respektohet Kushtetuta.
Elona Meço: Që do të thotë që qeveria të mos marrë më shumë kompetenca sesa i jep Kushtetuta apo jo?
Presidenti Bajram Begaj: Çdo lgj duhet të ketë kornizën kushtetuese dhe procedurën ligjore. Kështu që të dyja duhen respektuar.
Elona Meço: Ju, nuk e shikoni qeverinë, siç e kuptoj unë, si një rrezik për marrjen e kompetencave të pushteteve të tjera apo organeve të tjera kushtetuese siç jeni ju, por cili është opinioni juaj edhe personal edhe si President gjatë këtyre 6 muajve, për funksionimin e demokracisë në vend? Kemi ne zgjedhje të lira, ekonomi të lirë tregu, të gjitha këto parime kryesore të një demokracie funksionale?
Presidenti Bajram Begaj: Mendoj që demokracia është si një ndërmarrje e përbashkët. Fati i demokracisë varet nga të gjithë ne. Kam lexuar me shumë kujdes të gjithë raportet e vlerësimit të bëra nga institucionet ndërkombëtare, siç është progres raporti i Komisionit Europian, raporti i perceptimit i Freedom House, raporti i Praktikave të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe shumë e shumë raporte të huaja dhe nga institucione shqiptare. Në të gjitha këto raporte përcaktohet që Shqipëria ka një demokraci në tranzicion, me institucione demokratike të brishta. Gjej rastin të këmbëngul edhe një herë, që është jashtëzakonisht i nevojshëm bashkëpunimi politik, bashkëpunimi parlamentar, bashkëpunimi ndërinstitucional, të zhvillojmë zgjedhje të lira e të ndershme, të kemi një ekonomi të lirë tregu për të bërë të mundur që të vëmë interesat tona kombëtare mbi interesin tonë personal dhe për ta përcaktuar Shqipërinë si një vend me demokraci të konsoliduar.
Elona Meço: Si mund të kemi një bashkëpunim mes partive kur njëra palë akuzon tjetrën se ka blerë, ka vjedhur, ka manipuluar zgjedhjet?
Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk jam partizan i retorikave boshe. Unë mendoj që bashkëpunimi është i nevojshëm dhe, pavarësisht se jemi njerëz të ndryshëm, kemi opinione dhe mendime të ndryshme, nuk është pengesë të ulemi në një tavolinë, të ndajmë shqetësimet, të gjejmë rrugët e bashkëpunimit dhe rrugët e zgjidhjes. Çdo njeri, çdo forcë politike që ka një akuzë të caktuar për individë apo grup individësh duhet t’u drejtohet organeve kompetente.
Elona Meço: Kjo ka ndodhur dhe organet kompetente nuk i kanë hetuar kurrë ata që kanë qenë në akuzë kryesore për vjedhjen e votave, siç ishte rasti i dosjes 184, rasti i dosjes 339.
Presidenti Bajram Begaj: Nuk mund të paragjykoj punën e institucioneve të tjera, aq më tepër institucioneve të drejtësisë. Reforma në drejtësi ëhstë miratuar me votat e 140 deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë.
Elona Meço: Zgjedhjet janë përpara, dhe këtu gjithmonë ka akuza për blerjen e votave. A e shihni këtë si fenomen që mund të prekë edhe këto zgjedhje që ju keni dekretuar në 14 maj?
Presidenti Bajram Begaj: Dua të sjell në vëmendje, nëpërmjet kësaj pyetjeje, nenin 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që thotë se “sovraniteti i përket popullit”, si dhe nenin 45, pika a, që thotë se “çdo shtetas në moshën 18 vjeç ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë. Në po këtë nen, pika 4, thuhet se “vota është vetjake, është e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.” Pse zgjodha këta dy nene? I zgjodha për t’iu adresuar popullit tim që t’i shfrytëzojë këto dy nene për të ushtruar të drejtën e votës dhe të mos lejojë askënd të tjetërsojë dhe të deformojë votën e tyre. Me këtë rast, i bëj thirrje institucioneve ligjzbatuese, institucioneve që merren me menaxhimin dhe administrimin elektoral të parandalojnë rastet, siç i përmendët dhe ju, të tjetërsimit, të shitblerjes së votës, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme lokale të quhen zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme.
Elona Meço: Zoti President, opozita ka paralajmëruar protest, një protestë kombëtare është në 11 shkurt, që e lidh me rastin e bujshëm tashmë të një skandali që po hetohet në Amerikë të ish-kreut të misionit kundër zbulimit të FBI-së në Nju Jork, dhe e lidh atë me një dyshim për korrupsion nga ana e kryeministrit Rama me një zyrtar të FBI-së. A ju ka shqetësuar ju ky episod? Si e keni përcjellë atë? A i keni kërkuar kryeministrit më shumë detaje për këtë gjë?
Presidenti Bajram Begaj: Unë ju thashë edhe pak më parë. Jam një lexues dhe vëzhgues i rregullt i raporteve, si i atyre në vend, ashtu edhe i raporteve ndërkombëtare. Po kështu, jam informuar rreth çështjes që ju sapo përmendët, përmes medias dhe nëpërmjet informimit nga burime të hapura. Duke qenë një lexues i vëmendshëm, pres që të bëjnë analizat dhe deduksionet e tyre institucionet kompetente dhe, më pas, të dal me opinionin tim personal.
Elona Meço: Për cilat institucione kompetente e keni fjalën?
Presidenti Bajram Begaj: Kjo është një çështje nën hetim dhe, sa kohë është një çështje nën hetim, ne duhet të presim derisa ajo të mbarojë.
Elona Meço: Nën hetim është në SHBA.
Presidenti Bajram Begaj: Po, atje ka filluar.
Elona Meço: Ka edhe një kërkesë nga opozita. A duhet të hetohet këtu?
Presidenti Bajram Begaj: Shumë mirë që opozita i është drejtuar institucioneve ligjzbatuese në vend për t’u marrë me procesin. Dhe kështu duhet të jetë. Duhet të kemi besim tek institucionet.
Elona Meço: Si e gjykoni gjendjen e sigurisë kombëtare në vend, ju bëtë edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurimit përpara disa ditësh. Cilat janë pikat tona të dobëta që janë vënë re pas sulmeve kibernetike të Iranit?
Presidenti Bajram Begaj: Sfidat e sigurisë gjatë vitit që lamë pas kanë qenë sfida të vështira edhe për sigurinë tonë kombëtare. Në muajin korrik 2022, ne patëm një sulm kibernetik, i cili ishte i sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit. Një sulm kibernetik për të shkatërruar infrastrukturën digjitale në vend dhe me qëllime të dukshme për të shkaktuar destabilitet. Në të dy mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, ne kemi bërë një analizë të detajuar dhe të thellë të çështjeve të sigurisë kombëtare në përgjithësi dhe të sigurisë kibernetike në veçanti, masat e marra nga institucionet përkatëse, AKSHI, AKCESKU, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë, në bashkëpunim me SHBA dhe Microsoft. Vlen të përmendet që, në analizën tonë u bë një vlerësim që siguria kibernetike duhet të jetë parësore në sigurinë tonë kombëtare dhe institucionet po punojnë për ta arritur këtë dhe, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë, të hartojnë dokumenta strategjikë të sigurisë kibernetike dhe të kapaciteteve të nevojshme digjitale për të përballuar dhe për t’u mbrojtur nga sulme të tjera të ngjashme.
Elona Meço: Ju thoni që duhet të jetë prioritet siguria kibernetike. Nuk ka qenë deri tani?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk mendoj që siguria kibernetike nuk ka qenë prioritet. Investimet në infrastrukturën digjitale kanë qenë prezente. Të mos harrojmë që Shqipëria është një nga vendet më të digjitalizuara të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria, natyrisht, nuk është imune ndaj sulmeve kibernetike, aq më tepër kur këto sulme janë të sponsorizuara nga aktorë shtetërore. Mendoj që, përveç pjesës së investimeve në infrastrukturën digjitale, në ndërtimin e kapaciteteve, mjaft i rëndësishëm është dhe komponenti njerëzor, integriteti i atyre njerëzve që merren me këto sisteme.
Elona Meço: Agresorët kanë qendruar 1 vit e gjysmë në sistem, por askush nuk mban përgjegjësi për këtë, si nuk u detektuan, që ne kishim një armik brenda sistemit. A duhet dikush të mbajë përgjegjësi për këtë? A kemi dështuar ne në këtë pikë?
Presidenti Bajram Begaj: Siç e përmenda dhe pak më parë, sulmi kibernetik i ndodhur në Korrik 2022, ishte një sulm i rëndë që mund të gjunjëzonte struktura edhe më të zhvilluara sesa strukturat tona dhe kapacitetet tona. Mendoj që shumë mirë që nuk u arrit qëllimi final i tyre, të shkaktonin destabilitet, kjo është mjaft e rëndësishme. Duhet të punojnë institucionet për gjetjen e personave përgjegjës për këtë situatë.
Elona Meço: U bënë disa javë që është folur për drejtuesin e të SHISH, një nga kompetencat tuaja, që e keni bashkë me kryeministrin. Pse po vonohet kaq shumë për të gjetur një drejtues të SHISH? Kaq e vështirë është të gjendet dikush me integritet dhe profesionist?
Presidenti Bajram Begaj: Sqaroj se aspak nuk është e vështirë që në vendin tonë të ketë kapacitete njerëzore me profesionalitet të lartë, me integritet të lartë për të qenë drejtues i SHISH. SHISH është një institucion mjaft i rëndësishëm i sigurisë sonë kombëtare dhe procesi i përzgjedhjes, natyrisht, që do të kalojë hallkat institucionale.
Elona Meço: Ju ka sjellë kryeministri një emër?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk është se kam një emër konkret në tavolinë. Ju thashë, përzgjedhja e emrit do të bëhet në bazë të meritave individuale, kapaciteteve profesionale dhe integritetit njerëzor. Jemi në proces.
Elona Meço: Po konsultohet kryeministri me ju ndërkohë, pra përpara se ta sjellë emrin?
Presidenti Bajram Begaj: Patjetër, e thashë dhe në një intervistë të mëparshme që konsultimi është i domosdoshëm.
Elona Meço: A do të ketë konsultim dhe për diçka tjetër, që janë emërimi i ambasadorëve? Kam vënë re që ambasadorët kanë shumë vite në detyrë, nga 6-7-8-9 vjet, ka kaluar shumë koha e tyre. A e quani normale këtë vonesë? Këtë zgjatje të mandatit ekstra ligjor?
Presidenti Bajram Begaj: Është fakt që është zgjatur mandati i ambasadorëve përtej kohës që parashikon ligji i Shërbimit të Jashtëm. Në 6 janar 2023, së bashku me Kryeministrin, kemi biseduar për ndryshimin e ambasadorëve. Procesi do të ndjekë rrugën e zbatimit me shumë saktësi të procedurave dhe rregullave që janë të përcaktuar në ligjin e Shërbimit të Jashtëm dhe në Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm. Përsa i përket konsultimeve, personalisht, mendoj që çdo konsultim është i shëndetshëm në demokraci, sepse ky konsultim do të harmonizonte më mirë kërkesat për poste të caktuara ambasadorësh dhe të gjitha institucionet do të ishin kontributorë. Me këtë rast, do të realizohej përzgjedhja e kandidatëve më të mirë, të cilët do të jenë përfaqësues të popullit shqiptar në vendet mike, në vendet partnere dhe organizata ndërkombëtare. Është shumë e rëndësishme të shtoj që ne jemi edhe në proces integrimi në BE. Është shumë e rëndësishme përzgjedhja e njerëzve të duhur për të qenë përfaqësues të vendit.
Elona Meço: Sa kohë mund të duhet për këtë, deri në sjelljen e kandidaturave, pas bisedës që keni bërë me kryeministrin në 6 Janar?
Presidenti Bajram Begaj: Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve do të ndjekë rreptësisht procedurën dhe rregullat e përcaktuara në ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe në Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm.
Elona Meço: Keni një ide se kur mund të plotësohen vendet me ambasadorë të rinj?
Presidenti Bajram Begaj: Është një bashkërendim midis gjithë institucioneve.
Elona Meço: Po, e kuptoj, që do të vijë propozimi nga Ministria e Jashtme, në Kryeministri, në Kuvend dhe pastaj tek ju….
Presidenti Bajram Begaj: Nuk është vetëm kaq. Janë edhe institucione të tjera ligjzbatuese që do të japin mendimin e tyre.
Elona Meço: Por, e gjithë kjo procedurë, mund të zgjasë 6 muaj të tjerë, 1 vit?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk besoj. Procedura do të jetë korrekte ligjore.
Elona Meço: Ndërkohë, jeni në konsultim me kryeministrin për këtë çështje? Pra, qeveria do të kryejë një proces paraprak konsultimi me ju, në mënyrë që ju të mos ktheni mbrapsht propozimet?
Presidenti Bajram Begaj: Siç e thashë, jam në proces bisedimesh me kryeministrin.
Elona Meço: Zoti President, ka dhe një çështje tjetër shumë delikate të hapur, që është çështja e kufizimit detar me Greqinë. A jeni informuar ju për këtë çështje, deri në ç’pikë jemi?
Presidenti Bajram Begaj: E kam përmendur dhe në një intervistë tjetër – çështje të vjetra dhe të reja me shtetin fqinj grek do të zgjidhen duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në marrëveshjet dhe në të drejtën ndërkombëtare. Jam informuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme që, në dhjetor, janë bërë konsultime diplomatike dhe bisedime për të përcaktuar modalitetet dhe procedurat që do të ndiqen për këtë çështje.
Elona Meço: Bisedime për çfarë? Disa detaje më shumë?
Presidenti Bajram Begaj: Për kufizimin e zonave detare dhe, nëpërmjet koordinatave, përcaktimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive.
Elona Meço: Pa shkuar në Hagë?
Presidenti Bajram Begaj: Procedura do të vijë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Teknikalitetet e tjera, kur të më vijnë, do t’jua them.
Elona Meço: Do të shkojë kjo çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës? E keni këtë informacion, sepse kështu është thënë më herët.
Presidenti Bajram Begaj: Është shprehur që do të shkojë në Gjykatën e Hagës, por, në rast se më kërkohet një autorizim nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, unë do të shprehem konform kërkesës së bërë nga kjo ministri dhe duke zbatuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, marrëveshjet dhe të drejtën ndërkombëtare.
Elona Meço: Keni vullnet për ta dhënë autorizimin menjëherë apo do të shikoni cdo detaj? Paraardhësi juaj, presidenti Meta e ka patur shumë problem këtë çështje, pasi thoshte se nuk kishte aspak transparencë në këtë pikë. Ju e keni problemin e transparencës apo keni bashkëpunim me institucionet e qeverisë?
Presidenti Bajram Begaj: Sapo e përmenda që kam informacion nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme për konsultimet diplomatike. Nuk kam një dokument shkresor të ardhur. Në momentin që do të kem dokumentin shkresor, do të veproj bazuar në të gjitha referencat që përmenda.
Elona Meço: Përcaktimi i Zonave Ekonomike Ekskluzive bëhet përpara se çështja të shkojë në Hagë apo pas? Nuk ka shumë transparencë për këtë çështje dhe nuk dihen shumë mirë këto gjëra.
Presidenti Bajram Begaj: Këto janë teknikalitete, nëse do të kërkohet një grup teknik që do të ngrihet për këtë çështje, ata do ta dinë më mirë për ta përcaktuar. Por unë nuk mund të komentoj apo të jap shpjegime në lidhje me qendrimet e paraardhësve të mi.
Elona Meço: Ju vizitën e parë zyrtare si President e keni kryer në Kosovë, dhe gjatë kësaj vizitë unë kam dëgjuar një kritikë tuajën në lidhje me marrëveshjet që janë bërë mes Shqipërisë dhe Kosovës, që kishte disa marrëveshje ende të pazbatuara. Ju keni marrë përsipër që t’i çoni përpara këto marrëveshje. Çfarë keni bërë deri tani për këtë premtim të parë tuajin si President.
Presidenti Bajram Begaj: Në fakt, gjatë vizitës sime të parë në Kosovë, në një intervistë në RTK, unë jam shprehur në një farë mënyrë për ‘detyrat e shtëpisë’, të cilat i konstatova gjatë bisedimeve zyrtare. U konstatua që disa nga marrëveshjet e firmosura mes dy qeverive nuk po gjenin vëmendjen e duhur. Konstatoj me kënaqësi se në takimin e fundit midis dy qeverive, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë janë marrë në analizë të gjitha marrëveshjet e firmosura dhe besoj se këto marrëveshje, duke mos qenë vetëm një proces mekanik, kërkojnë angazhimin institucional të faktorëve të tjerë për caktime ligjore të qarta, të cilat janë në rrugën e duhur, dhe përfaqësues nga të dy qeveritë dhe të dy vendet janë duke i ndjekur me përparësi.
Elona Meço: Pra nuk ka asnjë marrëveshje të firmosur dhe të pa vënë në jëtë, të pazbatuar?
Presidenti Bajram Begaj: Absolutisht, nga takimi i fundit midis dy qeverive janë vënë në korniza procedurat për implementimin e këtyre marrëveshjeve.
Elona Meço: Kosova është në një moment shumë të rëndësishëm, sepse po diskutohet për atë që quhet propozimi franko-gjerman, të BE-së, për një marrëdhënië normale mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tuaj, a duhet ta pranojë Kosova këtë propozim që vjen nga Europa? Ju gjithmonë i keni mëshuar dialogut, siç thoni për në Shqipëri se duhet dialog, edhe atje kërkoni një dialog.
Presidenti Bajram Begaj: Ne mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke, me respektim të minoriteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA-të, Presidenti Biden dhe nga kancelari gjerman Scholtz, është shumë e rëndësishme për ne. Mendoj që situata e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që vëmendja e diplomacisë europiane të përqendrohet në zgjidhjen e konflikteve në Ballkanin Perëndimor dhe posaçërisht të mosmarrëveshjeve dhe konfliktit në veri të Kosovës. Kemi parë së fundmi një agjendë mjaft të ngjeshur diplomatike dhe një propozim franko-gjerman, por kemi patur edhe përfaqësues specialë të Mbretërisë së Bashkuar, të Greqisë dhe të Italisë, të cilët po bëjnë presion në të dyja qeveritë, qoftë në qeverinë e Kosovës, qoftë në qeverinë e Serbisë për të arritur një marrëveshje dhe një dakordësi. Ne mbështesim çdo lloj dakordësie që do të arrihet midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë. Nga ana tjetër, ne si Shqipëri, nuk vëmë në diskutim integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës.
Elona Meço: Por propozimi franko-gjerman nuk shprehet qartësisht për një njohje të Kosovës nga Serbia. Duhet ta pranojë Kosova këtë?
Presidenti Bajram Begaj: Për sa kohë në një tavolinë dialogu bisedimesh kemi mbështetjen e padiskutueshme të SHBA-ve dhe BE-së, çdo zgjidhje e propozuar, është në ndihmë të asaj marrëveshje finale që unë përmenda për njohje të ndërsjelltë dhe respektim të minoriteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Elona Meço: Ju e theksoni çështjen e minoriteteve. E keni fjalën tek Asosacioni i Komunave Serbe, të cilën kryeministri i Kosovës deri tani po e refuzon, për shkak se edhe atje është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese për formën siç është aktualisht?
Presidenti Bajram Begaj: Çdo qeveri zbaton kushtetutën e vendit të vet, zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kështu që kur them në zbatim të minoriteteve, kështu është e shprehur mot à mot…
Elona Meço: Është në rrugë të drejtë Albin Kurti në qendrimin që po mban?
Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk kam në patronazh qeverinë e Kosovës. Unë shpreh atë që di dhe kam informacion nga bisedimet që bëhen. Dmth, një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të minoriteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është e shprehur nga Presidenti Biden, është e shprehur edhe nga kancelari Scholtz.
Elona Meço: Zoti President ju jeni një mbështetës i nismës së Ballkanit të Hapur, por a duhet mbështetur një nismë që nuk njeh sovranitetin e Kosovës?
Presidenti Bajram Begaj: Unë mbështes çdo iniciativë rajonale. E thashë pak më lart që, pa mbështetjen e SHBA-së, Ballkani nuk do të kishte këtë profil që ka sot. Edhe për këtë iniciativë rajonale, e kam përmendur në intervistën time të parë në Kosovë që, nëse kjo iniciativë, mbështetet nga SHBA-të, është në planin gjithëpërfshirës, është me të drejtën sovrane të cdo vendi dhe me gjithëpërfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe që arrin të realizojë lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, dhe mbetet vetëm në planin ekonomik, është e mirë të bëhet. Nëse nga kjo marrëveshje përfitojnë njërëzit e këtij rajoni apo më saktë, përfitojnë populli i Kosovës dhe populli i Shqipërisë, për mua është e mirëpritur.
Elona Meço: Pra, rroftë dialogu dhe bashkëpunimi!
Presidenti Bajram Begaj: Më gjeni një argument tjetër për të kundërtën.
Elona Meço: Përpara se t’ju bëj një pyetje të fundit, kam nevojë per një sqarim për një tjetër kompetencë tuajën.
Presidenti Bajram Begaj: Siç duket nuk paskam pak, edhe sikur të ma marrin ligjin e dekoratave.
Elona Meço: Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ju mund të firmosni ose jo për të nxjerrë nga Plani i Përhapjes së Ushtrisë mbi 100 ha tokë në bregdet që sot i përket ushtrisë. Do ta bëni ju këtë për t’i lënë rrugë të lirë zhvillimit të kësaj pasurie?
Presidenti Bajram Begaj: Më falni, kush e thotë këtë që unë kam të drejtë të heq nga Plani i Përhapjes 100 ha tokë?
Elona Meço: S’e keni në kompetencë?
Presidenti Bajram Begaj: Atëherë po sqaroj. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, miraton Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes të Forcave të Armatosura, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes. Ky plan i Vendosjes dhe i Përhapjes është një dokument shumë i rëndësishëm për të kryer strukturat e Forcave e Armatosura misionin e tyre, mision i cili është në kohë paqe, krize dhe lufte. Procesi i bërjes së këtij dokumenti është një proces shumë i detajuar. Së pari, quhet plani i Vendosjes dhe i Përhapjes, që do të thotë se strukturat tona të Forcave të Armatosura duhet të kenë një vend dhe një shtrirje se ku ato do ta kryejnë funksionin e tyre të përditshëm. Ky proces i hartimit të këtij dokumenti, kalon në një proces analize, diskutimi, vlerësimi në të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, nga komandat kryesore, forcat ajrore, detare, tokësore, tek komandat mbështetëse dhe tek strukturat e tjera ndihmëse. Në proces vlerësimi merren parasysh prioritetet e FA, objektivat e kapaciteteve që ato kanë në raport më NATO-n. Merren gjithashtu, planet e zhvillimit afatgjatë të FA, të cilët janë dokumenta strategjikë të FA që miratohen nga Parlamenti i Shqipërisë. Ky proces, pasi bëhet sërish rivlerësimi në Shtabin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes, hartimi i një dokumenti plotësues, vjen për miratim sipas dispozitave kushtetuese tek Presidenti i Republikës. Presidenti vlerëson këtë dokument dhe e kthen ose e miraton, siç bën me çdo akt tjetër ligjor.
Elona Meço: Ju ka ardhur deri tani?
Presidenti Bajram Begaj: Jo, nuk kam asnjë Plan të tillë.
Elona Meço: Nëse do të ketë një Plan të tillë për të hequr këtë 100 ha, siç është diskutuar më herët në media, do ta firmosni?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk e kam dëgjuar këtë nga media, por procesi është një proces ligjor, i cili bëhet nga struktura kompetente. Nuk është çështje e heqjes së 100 ha.
Elona Meço: Ju pyes për këtë, pasi është thënë shumë herë që ky Plan po bëhet për t’ia marrë ushtrisë këto prona, kryesisht në bregdet, dhe për t’ua dhënë investitorëve privatë.
Presidenti Bajram Begaj: Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes është një plan që bëhet me një studim, analizë, vlerësim, konkluzione nga njerëz profesionistë, që punojnë në strukturat e FA dhe në komandat kryesore. Këta njerëz nuk besoj janë të gjithë të korruptuar. Këta njerëz janë ata që bëjnë punën e përditshme, që na nderojnë në misione ndërkombëtare dhe janë ata prej të cilëve ne kemi një vend nderi në NATO.
Elona Meço: Po, por mund të veprojnë edhe në presionin e urdhrave politikë.
Presidenti Bajram Begaj: Nuk ka mundësi. Nuk ka mundësi, sepse ushtarakët kanë një ligj tjetër përsa i përket organizimit të tyre.
Elona Meço: Për çfarë doni të mbaheni mend si President i Republikës në fund të mandatit tuaj?
Presidenti Bajram Begaj: Dëshiroj të mbahem mend si Presidenti i Republikës që i shërbeu atdheut me përgjegjshmëri, ndershmëri, integritet, në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.