Informohu në lidhje me procesin zgjedhor!

KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

KREU X

 

VEPRA PENALE QË PREKIN ZGJEDHJET E LIRA DHE SISTEMIN DEMOKRATIK TË ZGJEDHJEVE

 

 

Neni 325

Pengimi i subjekteve zgjedhore

 

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, ndryshuar fjalë me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

 

Pengimi me anë të kanosjes, dhunës, apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve zgjedhore apo i kandidatëve për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës zgjedhore, dënohet me burgim nga një vit deri nëpesë vjet.

Neni 326

Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve

 

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)

Falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor, me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave, që dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 326/a

Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor

 

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)

Dëmtimi, prishja, shkatërrimi me dashje, apo zëvendësimi në kundërshtim me ligjin i pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë apo çdo materiali tjetër zgjedhor të parashikuar nga ligji, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet.

Po këto vepra kur kryhen nga personat përgjegjës për administrimin zgjedhor ose në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, apo kur kanë sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë sjellë pavlefshmërinë e tyre apo kanë cenuar rezultatin e votimit, dënohen me burgim nga tre gjer në tetë vjet.

Neni 327

Shkelja e fshehtësisë së votimit

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012 dhe me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e zgjedhësit, nëpërmjet fotografimit të fletës së votimit, ose filmimit të saj, ose dokumentimit me çdo mjet dhe formë të mënyrës sesi ka votuar, shfaqjes së tyre tek persona të tjerë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.

Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Nxitja me ose pa shpërblim, ose detyrimi i zgjedhësit për të shkelur rregullat që garantojnë fshehtësinë e votimit, sipas paragrafit të parë të këtij neni, përbën vepër penale dhe dënohet nga një vit deri në katër vjet me burgim.

Neni 327/a

Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar

 

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

Votimi më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje, votimi për persona të tjerë, duke paraqitur dokumente identifikimi të rreme apo duke përdorur dokumente të zgjedhësve të tjerë dënohet me burgim nga një gjer në tre vjet.

Lejimi me dashje i kryerjes së kësaj vepre nga komisionerët zgjedhorë dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Lejimi me dashje nga komisionerët zgjedhorë i votimit, pa kryer identifikimin e shtetasit sipas ligjit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Neni 328

Korrupsioni aktiv në zgjedhje

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012 dhe me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017, hequr fjalë me ligjin nr. 146/2020, datë 17.12.2020)

Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.

Neni 328/a

Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore

 

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017, hequr fjalë në paragrafin e fundit me ligjin nr. 146/2020, datë 17.12.2020)

Pjesëmarrja e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore në shërbimin civil ose në një funksion jopolitik në administratën shtetërore, në kundërshtim me ligjin, në aktivitetet ose fushatën zgjedhore, të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Detyrimi ose organizimi për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Detyrimi ose kërkesa drejtuar shtetasve, nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, që kundër vullnetit të tyre ose nën kërcënimin e përdorimit të masave administrative ose disiplinore, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor, për të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, për të mbështetur ose jo një parti politike ose një kandidat në zgjedhje, ose për të votuar në një mënyrë caktuar, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.

Përdorimi nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, i të mirave publike, funksionit ose veprimtarisë shtetërore, ose i burimeve financiare ose njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.

Neni 328/b

Korrupsioni pasiv në zgjedhje

 

(shtuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017, hequr fjalë me ligjin nr. 146/2020, datë 17.12.2020)

Kërkimi ose pranimi nga zgjedhësi i të hollave, të mirave materiale, ose favorizimeve të tjera në cilëndo formë, për vete ose të tjerët, me qëllim për të dhënë firmën për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme në mbështetjen e një kandidati ose partie politike, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 329

Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Kanosja apo përdorimi i dhunës që i bëhet komisionerit, vëzhguesit, numëruesit si dhe çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të veprimtarisë së tij në administrimin zgjedhor dënohet me burgim nga një vit deri në katër vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga dy deri në pesë

Neni 330

Pengimi i zgjedhësit

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; ndryshuar fjalë me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

Pengimi i zgjedhësit për të votuar në qendrën e tij të votimit, duke shkelur rregullat e votimit, duke i marrë apo dëmtuar dokumentin e tij të identifikimit, apo në çdo formë tjetër, dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër kryhet më shumë se një herë, ndaj më shumë se një zgjedhësi apo kur kryhet nga komisionerët zgjedhorë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Neni 330/a

Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; ndryshuar fjalë me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën nga personat e ngarkuar me administrimin e procesit të votimit dhe të numërimit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Kur veprimet e mësipërme kryhen duke marrë me vete ose duke zhdukur materialet zgjedhore, ose kur kanë sjellë pasoja të rënda për procesin e votimit apo kanë çuar në pavlefshmërinë e zgjedhjeve, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Neni 331

Shkelja e së drejtës së zgjedhjes

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)

Mospërfshirja me dashje në listat e zgjedhësve e personave që e kanë të drejtën e zgjedhjes ose regjistrimi me dashje në to i personave që nuk e kanë këtë të drejtë, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, kur ka sjellë pasoja të rënda për interesat e zgjedhësve apo mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dënohet me burgim nga dy gjer në pesë vjet.

Neni 331/a

Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit

(shtuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

Dhënia e dokumentit të identifikimit me qëllim përdorimin e tij në mënyrë të paligjshme për zgjedhje, garantimin e mospjesëmarrjes në votime, për të ndikuar në mënyrën e votimit, ose për çdo qëllim tjetër të paligjshëm që lidhet me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.

Marrja e dokumentit të identifikimit të shtetasve të tjerë, me qëllim përdorimin e tij në mënyrë të paligjshme për zgjedhje, moslejimin për të votuar, për të ndikuar në mënyrën e votimit, ose për çdo qëllim tjetër të paligjshëm që lidhet me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 332

Shpërdorimi i autoritetit ushtarak

(ndryshuar fjalë me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

Shpërdorimi i autoriteti ushtarak nga oficeri ose kuadri ushtarak për të influencuar në votim tek ushtarakët e tjerë që ka në varësi, me dhënie urdhrash, këshilla apo me çfarëdo lloj propagande, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Neni 332/a

Shpërdorimi i autoritetit policor

(shtuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017)

Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.

 

 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

cec.org.al