Presidenti Meta uron Shenjtërinë e Tij, Papa Françesku me rastin e 85-vjetorit të lindjes

Presidenti Meta uron Shenjtërinë e Tij, Papa Françesku me rastin e 85-vjetorit të lindjes

Gëzuar 85-vjetorin e lindjes Shenjtëria Juaj, Papa Françesku!

Ky përvjetor jubilar, ju gjen si udhëheqësin shpirtëror të besimtarëve katolikë në të gjithë botën, shembull i frymëzimit të shpresës për një botë në paqe e begati ku mbizotërojnë vlerat, dashuria, dinjiteti njerëzor dhe vëllazëria midis besimeve e kombeve.

Ju keni vendosur një gurthemel të çmuar në pasurimin e mëtejshëm të trashëgimisë së marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë, përmes Shenjtërimit të Nënë Terezës, të martirizimit të 38 klerikëve katolikë shqiptarë, emërimin e Don Ernest Troshanit si Kardinal Nderi, vizitës Suaj historike në Tiranë, e shumë akte të tjera, duke prekur thellë zemrat e të gjithë kombit shqiptar.

Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen për mesazhet Tuaja drejtuar popullit shqiptar, që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të lirë, me dinjitet dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt europiane.

Duke i mbajtur gjithmonë të gjalla emocionet dhe momentet e takimit me Ju në Selinë e Shenjtë, Ju siguroj se mesazhet Tuaja do të vijoj pa u ndalur t’i përcjell me të gjithë fuqinë time, në të mirë të bashkëjetesës së shkëlqyer ndër besime, të përparimit dhe begatisë së popullit shqiptar.

Gëzuar Ditëlindjen At i Shenjtë!