Fjala përshëndetëse e Presidentit Meta në tryezën e organizuar nga INFOÇIP dhe shoqëria civile, me temë “Nisma Kombëtare për Referendumin”

Fjala përshëndetëse e Presidentit Meta në tryezën e organizuar nga INFOÇIP dhe shoqëria civile, me temë “Nisma Kombëtare për Referendumin”

Të dashur përfaqësues të Shoqërisë Civile,

Asgjë e mirë, e sigurtë, e qëndrueshme, afatgjatë dhe europiane nuk do të ndodhë në Shqipëri, pa u miratuar “Ligji për Referendumin” dhe pa u bërë edhe një ndryshim në Kushtetutën e Republikës, që “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk mund të ndryshohet kurrsesi, as nga 140 deputetë të ligjshëm, por çdo ndryshim duhet të bëhet vetëm me Referendum”.

Prita me shumë kënaqësi këtë ftesë të INFOÇIP-it, për t`iu bashkuar Nismës Kombëtare për Referendumin, si forma më legjitime e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë të sovranit – Popullit të Republikës së Shqipërisë.

Referendumi është mjeti më i sigurt për konsultimin dhe vendimmarrjen e qytetarëve, tregues i demokracisë së drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse, i dëgjimit real të zërit të shumicës dhe të vullnetit të tyre të pamanipulueshëm.

Kjo vendimmarrje e drejtpërdrejtë i është mohuar popullit shqiptar prej 22 vitesh tashmë, në mënyrën më antikushtetuese dhe të pabesë.

Ndaj jam shumë i kënaqur që kjo “Nismë Kombëtare mbi Referendumet”, shoqërohet dhe me një projektligj të hartuar nga shoqëria civile për “Referendumet” dhe për këtë ju falenderojë të gjithëve.

Vetë Kushtetuta jonë, u miratua 22 vite më parë drejtpërdrejt me Referendum nga Populli.

Ndaj në të mishërohen aq qartë dhe me përgjegjësi vlerat më të mira shoqërore, dhe parimet më demokratike që duhet të udhëheqin qeverisjen në një shtet të së drejtës, të sundimit të ligjit, demokratik e social, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara, të mbrojtura dhe të patjetërsueshme.

Miratimi i Kushtetutës sonë në vitin 1998, mbi të gjitha ishte konsensual, pikërisht për shkak se mori votëbesimin e popullit.

Për fat të keq, ky votëbesim është përdhosur disa herë përgjatë këtyre dy dekadave, me ndryshime kushtetuese të nxituara, të pa konsultuara, të udhëhequra nga interesa politike afatshkurtra.

Precedenti i parë ishte ai i vitit 2008, që i dha një goditje në zemër sistemit parlamentar dhe na çoi këtu ku jemi sot, nga demokracia parlamentare, në demokracinë e kryetarëve dhe të oligarkëve.

Kjo është arsyeja pse dje, 97 copë deputetë refuzuan apelin e Bashkimit Europian dhe votuan për bllokimin e çeljes së negociatave, jo deri në 25 prill 2021, se kjo është e padiskutueshme, por deri në zgjedhjet e tjera të pas 25 prillit.

Rastin më të fundit të shkeljes se Kushtetutës e kemi shumë të freskët.

Vetëm para 4 muajsh, kur ndryshimet kushtetuese, në kundërshtim të asaj që vetë Kushtetuta detyron, u ndërmorën pikërisht gjatë kohës së zbatimit të masave të imponuara nga gjendja e fatkeqësisë natyrore.

A ka cenim më flagrant të vullnetit të sovranit?!

Prej 20 muajsh ne kemi një Parlament monopartiak, ku populli nuk është i gjithë përfaqësuar! Nga 140 deputetë që kërkon qartë Kushtetuta, kemi 122 formalisht, pastaj përsa i takon legjimitetit, kjo është një çështje tjetër.

Prej 32 muajsh ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe e kemi parë se kujt i ka interesuar kjo!

Praktikisht, kur mungon Gjykata Kushtetuese, nuk ka një Kushtetutë efektive.

Kur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nuk respektohen nga vendimmarrja e atyre që qeverisin, atëherë populli mund t`i vërë vetë në vend të drejtat e shkelura përmes Referendumit.

Por edhe këtu ka një ngërç, për të cilin dhe jemi mbledhur.

Sepse qëllimisht, edhe pse u parashikua shumë qartë në Kushtetutën e vitit 1998, që populli e ushtron sovranitetin e tij drejtpërdrejt ose përmes përfaqësuesve të vet dhe e ushtron atë edhe përmes Referendumit, qëllimisht nuk kemi as kuadër ligjor të dedikuar për ta bërë atë të aplikueshëm, ose kemi çdo lloj marifeti për ta bërë të pamundur edhe pse është detyrim kushtetues.

Kur mekanizmat e kontrollit dhe të balancës çakordohen, çakordohet dhe çmendet edhe procesi ligjvënës, sikurse e ndeshim çdo ditë!

Presidenti i Republikës, ka konstatuar në këto 3 vite një numër të lartë të ligjeve të Kuvendit që bien ndesh me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar.

Sidomos ato që duhet të jenë në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

41 Ligje ka kthyer Presidenti në Kuvend për rishqyrtim.

Kur sot të gjithë jemi të vetëdijshëm për një shtim të numrit të ligjeve me nivel të rëndë antikushtetutshmërie dhe klienteliste të miratuara nga Kuvendi, çdokush mund të pyes veten se:

– Çfarë mund të ketë ndodhur me marrëveshjet ndërkombëtare, si janë negociuar ato? Dhe cilat do të jenë pasojat në të ardhmen për vendin dhe popullin tonë?!

– Çfarë mund të ketë ndodhur me Aktet Normative të Këshillit të Ministrave, apo dhe me vetë Aktet e ministrave?

– Çfarë mund të ketë ndodhur me udhëzimet e një Ministri, apo titullari të një institucioni qendror, si drejtor doganash, tatimesh, AKU-je dhe kështu me radhë?

– Apo çfarë po ndodh përditë me veprimet e paligjshme të Policisë së Shtetit?

Ku, kur dhe si do të dëgjohet zëri i popullit të nëpërkëmbur në të drejtat dhe liritë e tij themelore?!

E pamundur të shprehësh dot qartë me fjalë, absurdin e rëndë të kësaj situate, që ka dëmtuar të gjithë, përfshi dhe ndërmarrjen e nismave të lira ekonomike, ka dëmtuar jetën shoqërore në vend, ka cenuar rëndë besimin tek vet shteti i së drejtës, duke minuar sigurinë juridike.

Nuk mund të flasim më për stabilitet ligjor dhe mbrojtje të pritshmërive të ligjshme, kur ligjvënësi mund të përkeqësojë në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore, të drejtën e personave, të mohojë të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të tyre, të ndryshojë sipas oreksit rregullat e lojës dhe të mos ketë asnjë mekanizëm që t`i vërë fre në këto veprime.

Prej kohësh biznesi i huaj, por edhe ai vendas, ka frikë të investojë në Shqipëri, sepse mungojnë gjykatat, mungon llogaridhënia, siguria juridike është gati ZERO!

Kjo mungesë llogaridhënie dhe vendimmarrjet arbitrare e të pakontrolluara shtetërore kanë penalizuar shtetin shqiptar në gjykatat e arbitrazhit, me një dëm financiar kolosal për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit.

Por përsëri nuk ka asnjë llogaridhënie.

Sepse mekanizmat që duhet të japin zgjidhje dhe përgjigje, mungojnë! Gati janë shuar prej 3 vitesh!

Të gjitha këto prekin seriozisht ekonominë, zhvillimin, integrimin që është bllokuar prej vitesh, krijojnë për pasojë edhe tensione social në shoqëri. Greva urie si ato që shohim, por edhe jo pak vetëvrasje që vijnë për shkak të depresionit.

Kjo na ka çuar në gjendjen që jemi sot, ku jemi vendi i fundit përsa i takon investime të huaja në rajonin tonë. Por, jemi vendi i parë, jemi kampion në Ballkanin Perëndimor, përsa i takon azilkërkimit. Kemi 60% të gjithë atyre që kërkojnë azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, sipas zyrës së Azilit të Bashkimit Europian, në të paktën dy vitet e fundit korrik 2018-korrik 2020.

Ikin dhe nga Serbia, por nëse për 1 mijë banorë nga Serbia ikën 1, nga Shqipëria ikin 12.

Nëse nga Bosnja ikën 1, nga Shqipëria ikin 18.

Nëse nga Kosova ikën 1, nga Shqipëria ikin 4.

Edhe pse Shqipëria është një vend që është në OKB, u bë kaq kohë, edhe pse është në NATO, edhe pse ka gjithë këtë bregdet të mrekullueshëm dhe me shumë avantazhe të tjera.

Pra, kjo nismë për referendumet duhet të miratohet urgjentisht.

Në mënyrë që të kemi një ndryshim drastik të situatës, dhe kjo do të ndodhi vetëm ku populli të marrë në kontroll politikanët, dhe jo kur populli të mbetet peng i politikanëve.

Ky ligj duhet të jetë arma në duart e qytetarëve të këtij vendi, që të mos jenë më të pambrojtur, dhe jo vetëm kaq, por edhe të poshtëruar, që të mos jenë më të nënshtruar ndaj arbitraritetit të çdo vendimi të marrë, po kështu në arbitraritet e paligjshmëri, por të vendosë vetë për çdo çështje me rëndësi.

Në një vend të lirë, nuk ka më mirë se demokracia direkte që i bën qytetarët të angazhohen vetë, të luftojnë apatinë, paligjshmërinë dhe vendimmarrje të llojit klientelist, për të realizuar të drejtat dhe prosperitetin e tyre.

Më mirë të jenë politikanët nën kontrollin e qytetarëve, sesa një popull i tërë të mbetet peng i politikanëve të provuar si të papërgjegjshëm.

Vetëm sundimi i popullit përmes referendumit do të garantojë sundimin e ligjit për të gjithë njësoj.

E ka përcaktuar fare qartë Kushtetua jonë e mrekullueshme atëherë, por parimet mbeten prapë të njëjta, që në preambula dhe nenin 2, pika 2, kur shprehet se:

“Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”.

Sepse siç e kam thënë edhe më parë, nëse institucionet bien, atëherë ngrihet populli në mbrojtje të Kushtetutës dhe të rivendos sovranitetin e tij të cenuar! Nga kush? Nga ata që ua kishte besuar.

Kjo nismë që mundëson ushtrimin efektiv të së drejtës për referendum, është ajo që duhet të na bashkojë të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo ku jemi.

Sepse ajo që bashkon të gjithë shqiptarët nuk janë dallimet politike, të majta të djathta apo paparti, as përkatësia etnike, apo kulturore.

Ajo që na bashkon të gjithëve në Republikën e Shqipërisë, është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Ndaj dhe unë, do të bëjë gjithçka që kam në dorë si institucion, për t’i shërbyer kësaj nisme deri në realizimin e saj efektiv.

Presidenti ka për detyrë ta ruajë këtë bashkim të popullit shqiptar, të cilin e siguron vetëm Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, dhe të cilën vetë Kushtetuta e përcakton qartë si “Uniteti i Popullit”.

Jo vetëm se jam betuar me dorë mbi Kushtetutë, por edhe sepse e ndjejë si detyrë atdhetare, sidomos në këtë gjendje kaq të rëndë, që kurrë nuk ka qenë shteti ynë në 100 vite në këtë situatë të rëndë si funksion shtetëror, që nga Kongresi i Lushnjes, ose pas çlirimit të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë në vitin 1920, e deri tani.

Jam i sigurt që të gjithë së bashku, do ta çojmë deri në fund këtë nismë.

Për të mos u zgjatur, dua të ritheksoj se e çmoj pa fund këtë nismë, por këtë le ta quajmë si një zgjim të shoqërisë civile.

Kjo është nismë e madhe, mund të merren shumë nisma po kjo nismë, i zgjidhë të gjitha edhe ato problemet e mjedisit që kërkojnë referendume lokale, dhe problemet e tjera që ka çdo komunitet. Kjo i zgjidh të gjitha.

Edhe ligjet klienteliste që kalojnë në Kuvend, populli mund t’i rrëzoj ato ligje.

Jam i sigurt në momentin populli ka të drejtën e referendumit, nuk i bëjnë ligjet ata, sepse po u rrëzua ligji, ajo shumicë që bën ligjin duhet të japë dorëheqjen.

Mbështes si President i Republikës, këtë nismë me shumë forcë dhe shpresoj që ky Kuvend të bëj një punë të mirë, tani që është prag të mbylljes të aktivitetit të tij, duke e miratuar këtë ligj sipas atyre përcaktimeve, që ju i keni bërë, pra, të mundësojë të jetë efektive Referendumi.

Në rast se nuk e bën ky Kuvend, që nuk do ishte ndonjë surprizë, jam i sigurt që Kuvendi tjetër do ta bëj patjetër.

Vetëm të bashkuar në referendume, mund të mbrojmë të drejtat e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë, por edhe të zhbëjmë çdo cenim të sovranitetit kombëtar dhe të interesit publik.

Unë nuk mendoj më mirë vonë sesa kurrë, po unë mendoj o tani o kurrë.

Jam i bindur që kjo gjë do të ndodhi në mos çështje pak muajsh, çështje shumë muajsh.

Por, e kemi për detyrë të paktën brenda vitit që vjen ne, ta instalojmë përfundimisht “Ligjin për Referendumet”.

Referendumi i vitit 1994, unë mendoj që ishte një referendum shumë i qartë, ishte kundër një Kushtetute që instalonte autokracinë në vend.

Kjo ishte e qartë. Populli e kuptoi, e perceptoi këtë gjë, dhe mënyra sesi ajo u bë me arrogancë në mënyrë të njëanshme, ishte një përpjekje për të imponuar një Republikë Presidenciale autokratike dhe që u rrëzua me një diferencë shumë bindëse.

Tani, kalojmë tek viti 1998. Nuk mendoj që ishte një referendum “i dhunshëm”.

E para, duhet të kemi parasysh që Kushtetuta e vitit 1998, që ato parime i ka edhe sot, ndërkohë këta i kanë ç‘vidhosur mekanizmat që i garantojnë, ka qenë një Kushtetutë jashtëzakonisht e shkëlqyer, demokratike.

Sepse u bë falë një procesi gjithëpërfshirës, edhe pse maxhoranca e asaj kohe, Partia Socialiste dhe aleatët e saj kishin gati 110 mandate, dhe opozita kishte rreth 30, përsëri u bë në një mënyrë shumë gjithëpërfshirëse.

Në krye të Komunitetit për Kushtetutën, u vu i ndjeri Sabri Godo, që ishte një përfaqësues i të djathtës edhe një njeri i mençur edhe i përgjegjshëm.

Gjithashtu bashkëkryetar nuk u vu një socialist, por z.Imami që përsëri kishte një përkatësi të së djathtës dhe vinte nga Lëvizja Demokratike e Dhjetorit ‘90.

U përfshinë ekspertët më të mirë të vendit dhe ekspertët më të mirë të Komisionit të Venecias.

U gjykua dhe u vlerësua se për të qenë një Kushtetutë sa më solide, të kalohej në Referendum.

Ne çfarë vuajmë sot?

Ne vuajmë sot ndërhyrjen në Kushtetutë të vitit 2008. Aty fillojë ç‘vidhosja e sistemit të kontrollit dhe të balancës, me një Parlament, siç e kemi sot, me deputetë të emëruar dhe pa asnjë ndikim në popull, tek raportet midis Presidentit edhe Qeverisë, tek raportet midis Qeverisë edhe Parlamentit të cilat përsëri u dobësuan në interes të Kryeministrit, duke dobësuar Parlamentin dhe kontrollin e Parlamentit e kështu me radhë.

Pas gati 30 vitesh eksperiencë në jetën politike, mund të të them se nuk mbyllet një herë e përgjithmonë tranzicioni në këtë vend, pa referendumet.

Populli jonë di të flasë vet, dhe populli nuk ka folur gabim as në vitin 1994 dhe as në vitin 1998.

E mbështes fuqimisht këtë nisëm deri në momentin që të konkretizohet dhe do të bëhet efektive.

Faleminderit!”