10/04/2025• Fjalime• Bianka Hada
Në fakt, deri dje njihja një familje nga Gjilani, një familje që është prezente sot këtu, familja e Heroit të Kombit, Xhevat Qerimi. Sot, me vlerësimin që më bëhet nga të gjithë qytetarët e Gjilanit, detyrimi dhe përgjegjësia më shtohet akoma më shumë.
I nderuar Kryetar i Këshillit të Asambleistëve të Gjilanit, zoti Kadriu,
I nderuar Kryetar i Komunës, zoti Hyseni,
Të nderuar asambleistë,
Të nderuar përfaqësues të partive politike të të gjitha grupeve përfaqësuese,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, të policisë, të ushtrisë, të gjyqësorit,
Të nderuara shoqata dhe organizata të dala nga lufta apo të burgosurve politikë,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar qytetarë të Gjilanit,
Të dashur vëllezër e motra,
Është e vështirë të gjej fjalët e duhura për të shprehur mirënjohjen, emocionet dhe nderimin teksa pranoj këtë titull të lartë nga qyteti juaj.
Gjilani, ky qytet i traditës dhe historisë, i sakrificës dhe qëndresës, më bën sot pjesë të tij dhe ky është një vlerësim që unë e pranoj me shumë përulësi.
Shumë faleminderit!
Ky titull u përket të gjithë shqiptarëve, që në momentet më të vështira të historisë së Kosovës qëndruan pranë dhe krah jush, si pjesë e pandashme e trungut të përbashkët.
Kosova nuk u bë e lirë rastësisht. Pavarësia e saj nuk ishte as dhuratë. Ajo ishte një fitore e madhe e një populli që kurrë, kurrë nuk hoqi dorë nga liria e ëndrra për pavarësi.
Ajo ishte mundi, guximi dhe sakrifica e brezave të tërë që dhanë gjithçka për një të ardhme më të drejtë.
Gjilani, si çdo qytet i Kosovës, e di shumë mirë peshën e sakrificës dhe çmimin e lirisë.
Kjo tokë ka lindur shumë heronj e patriotë.
Gjilani ka herojtë e vet. I shoh edhe në këtë sallë fotografitë majtas dhe djathtas.
Më lejoni të përmend disa, kërkoj shumë falje që nuk i përmend dot të gjithë. E filloj me kreshnikun e Karadakut, Idriz Seferi, heroin e Kuvendit të Kosovës në Prizren, Ramiz Cernica, heronjtë e kombit, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Agim Ramadani (apo Ushtar Katana), Rrahim Beqiri (apo Komandat Rroku), e shumë e shumë të tjerë që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Nuk mund të rri pa përmendur edhe Xhevat Qerimin.
Sot, ky qytet, me sa pashë kur po vija, është i mbushur me jetë, me shpresë dhe me të rinj të gatshëm për të ndërtuar të ardhmen, një të ardhme më të mirë dhe që e dinë shumë mirë se sakrifica iu deshën për lirinë dhe kjo liri nuk është çuar dëm.
Liria nuk është e përhershme. Ajo duhet të mbrohet dhe të ndërtohet çdo ditë, çdo ditë.
Liria e vërtetë është të kujtosh të kaluarën, të vlerësosh të sotmen e të ndërtosh me vizion të ardhmen.
Në çdo moment të historisë sonë, Shqipëria ka qenë pranë Kosovës. Kështu ka qenë, kështu do të jetë gjithmonë.
Shqipëria qëndroi krah Kosovës në momentet e saj më të vështira, në vuajtjet më të mëdha, në luftën e saj për mbijetesë dhe pavarësi.
Ne do të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit kurdoherë, edhe në kohë paqeje, sepse paqja, që të mbrohet, kërkon diçka edhe më të vështirë: mendje të mençura, vizion të qartë dhe guxim për të ndërtuar një të ardhme, një të ardhme më të begatë për kombin tonë.
Sot, kemi një mundësi që shumë breza përpara nesh nuk e kishin ëndërruar dhe nuk e patën.
Dy shtete, një komb, një gjuhë, një gjak është ADN-ja jonë.
Ky është një privilegj i madh, por është edhe një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe.
Duhet të dimë ta përdorim këtë mundësi, ta përdorim këtë mundësi për të forcuar njëri-tjetrin, për të ndërtuar një ekonomi të bashkuar, për të ndarë së bashku eksperiencat më të mira dhe për t’u ngritur bashkë si shqiptarë.
Këtë mundësi duhet ta kthejmë në bashkëpunim konkret, bashkëpunim në ekonomi, bashkëpunim në arsim, bashkëpunim në diplomaci, në një treg të përbashkët, në politika të përbashkëta që ndihmojnë qytetarët tanë të zhvillohen e të jetojnë më mirë.
Ne jemi një komb që ndonëse nuk e harron të kaluarën, sheh drejt të ardhmes.
Dhe këtë duhet ta vazhdojmë, jo sepse është e lehtë, por sepse është e drejtë.
Ne shqiptarët jemi kontribuues të stabilitetit, paqes e bashkëpunimit në rajon.
Ne duam të jemi pjesë e Evropës, sepse i përkasim asaj, i përkasim me vlera dhe në histori.
Ne jemi evropianë, evropianë në shpirt, në traditë, në kulturë.
Jemi një popull që beson te demokracia, te drejtësia, te liria dhe te vlerat Euroatlantike të një shoqërie të zhvilluar.
Shqipëria dhe Kosova duhet ta shohin të ardhmen në një rrugëtim të përbashkët, të përbashkët drejt integrimit evropian, ku sukseset dhe arritjet nuk janë të ndara, i kemi së bashku edhe sukseset, edhe arritjet.
Të dashur qytetarë të Gjilanit,
Sot, ndërsa marr këtë nderim nga qyteti juaj, ndihem pjesë e këtij qyteti.
Gjilani është një qytet që e ka ruajtur gjithmonë frymën e shqiptarisë e atdhedashurisë.
Në rrugët e tij ndihet historia, ndihet energjia rinore, ndihet shpresa për të ardhmen.
Prandaj, nga zemra më lejoni të falënderoj çdo qytetar të Gjilanit!
Falënderoj të gjithë ata që ideuan dhe bënë vlerësimin me këtë titull për mua!
Ju falënderoj të gjithëve ju që jeni prezent në sallë!
Zoti i bekoftë shqiptarët dhe kombin shqiptar!
Ju uroj çdo të mirë secilit prej jush dhe kombit tonë!
Faleminderit!