Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 9633 scaled

Fjalime, Uncategorized @sq

Fjala përshëndetëse e Presidentit Begaj me rastin e dhënies së titullit ”Mjeshtër i Madh” Dritan Hoxhës, pas vdekjes

Të nderuar familjarë të familjes Hoxha,

Të nderuar gazetarë e punonjës të medias Top Channel,

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot kam kënaqësinë të nderoj me titullin “Mjeshtër i Madh” një nga personazhet më të njohura të medias vizive shqiptare, zotin Dritan Hoxha.

Guximtar në krijimtari, ëndërrimtar e vizionar i palëkundur, inovator e pasionant, ai arriti të krijojë një vepër të papërsëritshme për nga dimensionet.

Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës, e meritoi mbiemrin e ri me të cilin njihet: Tani i Topit.

Shembulli i tij është tregues se si sipërmarrja private shndërrohet në një të mirë publike, se si shqiptari mund t’ia dalë të jetë i suksesshëm edhe në vendin e vet dhe se si suksesi në biznes mund të shoqërohet me bujari e filantropi.

Dritani ishte një nga ata pak njerëz që të ardhmen e shohin tani.

Media që krijoi ishte televizioni shumë i munguar në ekranin e shqiptarëve. Ajo dallohej jo vetëm nga teknologjia e lartë, por, mbi të gjitha, nga cilësia e programeve për të gjitha grupmoshat e shoqërisë sonë.

Tani i Topit vendosi standardet e larta të medias vizuale, mbështeti qindra të rinj e të reja të realizonin talentet e tyre dhe krijoi koncepte të reja, të cilat e ngritën nivelin e informimit në Shqipëri.

Ai pati largpamësinë që, nëpërmjet paketës digjitale, të shpërndante lajmin dhe gjuhën shqipe, duke kontribuar në këtë mënyrë në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe edhe te Diaspora jonë.

Sot trashëgimia e tij është jo vetëm sipërmarrëse, por edhe pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë mediatike.

Uroj dhe besoj që këtë trashëgimi të vazhdoni ta çoni përpara ju, familja e tij, me përgjegjësi dhe krenari.

Ju faleminderit!