22/12/2023• Fjalime• Bianka Hada
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sot është një ceremoni e veçantë. Për herë të parë kam nderin të vlerësoj me titullin “Mjeshtër i madh” dy pedagogë nga Shkolla e Magjistraturës, Prof. Dr. Arta Mandro dhe Dr. Dashamir Kore, për punën e tyre në përgatitjen e brezave të rinj të magjistratëve, si dhe për kontributin e tyre të vyer në fushën e së drejtës.
Me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim, ata kanë kontribuar në përmirësimin e legjislacionit shqiptar në kuadër të reformave të sistemit të drejtësisë, por, mbi të gjitha, vlerat morale dhe njerëzore të tyre janë sot një burim frymëzimi dhe motivimi për magjistratët e sistemit tonë të drejtësisë.
Profesore Arta Mandro, me përkushtim dhe pasion për ligjin dhe të drejtën, ka udhëhequr ndër vite drejt dijes dhe formimit juridik magjistratët e Shkollës të Magjistraturës dhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë.
Kontributi akademik i saj në fushën e së drejtës familjare dhe pjesëmarrja e saj aktive si eksperte ka ndihmuar në përmirësimin e legjislacionit në Shqipëri. Znj.Mandro ka qenë pjesë e rëndësishme e nismave kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe grave.
Dr. Dashamir Kore, me profesionalizëm dhe integritet të lartë, ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në edukimin e brezave të magjistratëve në fushën e së drejtës procedurale civile.
Gjatë ushtrimit të detyrës së pedagogut në Shkollën e Magjistraturës, ai ka treguar aftësi të jashtëzakonshme në mësimdhënie, duke garantuar zhvillimin intelektual, profesional dhe akademik të magjistratëve, nëpërmjet krijimit të një mjedisi stimulues dhe inkurajues.
Ekspert në fushën e së drejtës, me një eksperiencë të gjatë si jurist, ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm si anëtar i komisioneve të reformës në drejtësi dhe anëtar i përhershëm i grupeve të punës për hartimin dhe ndryshimet në legjislacionin procedural civil.
Gjej rastin të vlerësoj punën e Shkollës së Magjistraturës, si për përgatitjen e magjistratëve, por edhe për peshën specifike që ky institucion ka mbajtur gjatë reformës në drejtësi.
Shkolla e Magjistraturës ka barrën të përgatisë jo vetëm magjistratë të aftë profesionalisht, por edhe me nivel të lartë përgjegjësie dhe paanshmërie, të cilët garantojnë cilësinë e drejtësisë që do të marrin qytetarët. Reforma në drejtësi është gur themeli i Shqipërisë evropiane. Ajo mbetet vendimtare për vendin tonë dhe tashmë po jep rezultatet e para inkurajuese. Fillimi inkurajues na bën optimistë, por nuk i shmang dot sfidat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, si numri i madh i dosjeve të pashqyrtuara dhe mungesa e magjistratëve në sistem.
Këto sfida mund të rezultojnë në vonesa për dhënien e drejtësisë, duke ndikuar kështu në jetën e qytetarëve. Pavarësia që Kushtetuta dhe ligjet u japin organeve të drejtësisë duhet të sjellë rritjen e përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të tyre për të garantuar liritë dhe të drejtat kushtetuese të shtetasve.
Interesi publik kërkon bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimtarisë së organeve e drejtësisë, në mënyrë që ato të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. Vetëm kështu do të mund të sigurohet një drejtësi funksionale në praktikë.
Të nderuar pedagogë,
Kontributi juaj në fushën e së drejtës dhe vlerat që përfaqësoni uroj të jenë shembull frymëzimi për të gjithë juristët dhe gjeneratat e ardhshme të magjistratëve.
Ju faleminderit!