26/02/2025• Fjalime• Bianka Hada
Ju falënderoj që më bëtë pjesë të ceremonisë sëdiplomimit tuaj!
E pranova me kënaqësi ftesën, pasi besoj shumëte shkollimi dhe dija. Për secilin prej jush ky moment shenjon një etapë të re në angazhimin tuaj për një shtet më të fortë e shoqëri më tëzhvilluar.
Të gjithë ata që përfaqësojnë, drejtojnë, marrin vendime dhe kanë një rol publik duhet të kenë njohuri të thelluara mbi shtetin e së drejtës, ndarjen e pushteteve, organizimin politik, organizimin dhe funksionimin e institucioneve qendrore, atyre të vetëqeverisjes vendore, por dhe atyre të pavarura.
Ata duhet, gjithashtu, të dinë të kenë aftësinë për t’i ndërthurur këto njohuri në të mirë të aktiviteteve të tyre tëpërditshme.
Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike ofron një formim të thelluar, gjithëpërfshirës dhe plotësues,duke ndërthurur njohuritë për artin e politikëbërjes me njohuritë juridike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare duke ndërthurur, përvojën shqiptareme atë ndërkombëtare, si dhe përvojën profesionale me konceptet teorike dhe standardet që ne duhet të kemi.
Rrugëtimi i kësaj shkolle që nga viti 2007 ka treguar se Shqipëria ka potencial të madh për të nxitur dhe përgatitur udhëheqës, të cilët jo vetëm e kuptojnë demokracinë, por ata angazhohen ta mbrojnë e ta zhvillojnë atë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe qeverisjes.
Ky takim yni sot nuk është vetëm një ceremoni formale diplomimi.
Për secilin prej jush tashmë çelet një kapitull i ri, në të cilin dijet dhe përvoja që keni fituar këtunuk i shërbejnë më vetëm avancimit personal në karrierë. Kontributi dhe angazhimi juaj konkret i shërben ndërtimit të një shoqërie më të mirë.
Kjo shkollë është një hapësirë ku ndërtohet kultura politike, kultura politike që i duhet vendit, një kulturë që shmang retorikat e ashpra dhe eliminonpërçarjen, një kulturë në të cilën mbizotëron toleranca, respekti, mirëkuptimi dhe dialogu të gjjitha këto në shërbim të interesit kombëtar.
Shoqëria jonë ka ende për të mësuar mbi parimet e një debati të shëndetshëm politik. Idetë dhe alternativa të ndryshme duhet të përballen për të konkurruar, jo thjesht për të rrëzuar njëra-tjetrën.
Shqipëria ka nevojë për një frymë të re, për një angazhim politik dhe shoqëror ku idetë duhet të ballafaqohen me argumente, ku kundërshtarishihet si bashkëkonkurrues.
Kjo shkollë është vendi ku formohen ata që mund ta ndryshojnë këtë realitet.
Kultura politike që kultivohet këtu duhet të reflektohet kudo: në jetën politike e publike, në administratë, në sipërmarrje dhe në media.
Vendi ynë ka nevojë për qytetarë aktivë, të informuar, të aftë të debatojnë, të propozojnë e të punojnë bashkërisht për të siguruar një të ardhme më të begatë.
Një tjetër arritje e kësaj shkolle është aftësia për të bashkuar njerëzit.
Këtu sot janë mbledhur të rinj e të reja nga fusha të ndryshme të jetës, nga shoqëria civile, media, administrata publike e politika.
Në këtë vit akademik ju keni ndarë së bashkueksperienca e njohuri dhe keni mësuar se,pavarësisht dallimeve që mund të keni me njëri-tjetein, qëllimi duhet të jetë një dhe i përbashkët: një Shqipëri më e zhvilluar.
Të nderuar pjesëmarrës,
Shqipëria evropiane nuk lidhet vetëm me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, por edhe me përpjekjen e vazhdueshme përkonsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtësdhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Demokracia nuk është një monument që ndërtohet një herë dhe mbetet e tillë.
Ajo është përpjekje e përditshme që, nëpërmjetangazhimit, transparencës dhe llogaridhënies së tre pushteteve, të sigurohet respektimi i lirive dhe të drejtave të individit, të garantohet drejtësi sociale dhe konkurrencë e drejtë, të inkurajohetgjithëpërfshirja qytetare.
Shteti i së drejtës nuk ka të bëjë vetëm me performancën e institucioneve të drejtësisë.
Ai lidhet drejt për së drejti me respektin dhe zbatimin rigoroz të ligjit nga institucione të çdo niveli,qendrore apo lokale, nga çdo drejtues dhe nëpunës i administratës publike, nga çdo qytetar.
Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është thjesht çështje politike, por një proces transformimi i thellë i mënyrës se si ne qeverisim, si ndërtojmë institucione dhe si mendojmë për të ardhmen.
Të gjithë ju që diplomoheni sot, jeni pjesë e këtij transformimi.
Ndërsa Shqipëria ecën drejt integrimit në familjen evropiane, ne kemi gjithnjë e më shumë nevojë për drejtues me ndjeshmëri dhe vizion të qartë për prioritetet e Shqipërisë së ardhshme.
Si shtet e shoqëri ne kemi ende nevojë për formim më cilësor demokratik, për kulturë më të thelluar ligjore dhe forcim të institucioneve.
Shqipëria ka nevojë për politikanë e vendimmarrës të rinj e largpamës, jo vetëm në moshë, por edhe në ide dhe energji, për modele të reja politike.
Si shtet e shoqëri ne kemi nevojë të rikthejmë vëmendjen te dija për një elitë të re të formuar dhe konkurruese.
Shqipëria ka nevojë për ekspertë të aftë e profesionistë që adresojnë sfidat dhe ofrojnë zgjidhje për të gjitha reformat dhe problematikat në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE.
Ndaj, me njohuritë e përfituara dhe ambicien që ju karakterizon, është momenti që ju të jepni kontribut të qenësishëm për një të tashme të begatë dhe një Shqipëri, së shpejti, anëtare të denjë të familjes evropiane.
Përballë sfidave bashkëkohore gjeopolitike, ekonomike e teknologjike duhen risi, risi në çdo sektor, në çdo fushë, në çdo nivel.
Shoqëria jonë duhet të avancojë pa lënë askënd mënjanë e pas.
Në qeverisje, arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik e teknologjik, bujqësi e kulturë, politikat tona duhet të jenë gjithëpërfshirëse.
Një shoqëri nuk përparon dhe nuk ka mirëqenie e begati pa një elitë të edukuar dhe patriote, një elitë që nuk e sheh pushtetin si privilegj, por si përgjegjësi, një elitë që nuk fokusohet vetëm tek e sotmja, por që mendon për brezat e ardhshëm.
Kjo shkollë po kontribuon në krijimin e kësaj elite të re. Ajo po jep kontributin për një administratë më profesioniste, një media më të besueshme e më të pavarur dhe një politikë më pranë qytetarit.
Gjej rastin sot të uroj shkollën politike për arritjet ndër vite dhe për punën e saj me përkushtim!
Dua të falënderoj Këshillin e Evropës për mbështetjen e palëkundur që i ka dhënëShqipërisë në rrugëtimin e saj demokratik, në forcimin e institucioneve dhe në edukimin e një brezi të ri drejtuesish!
Mbi të gjitha, dua t’ju uroj ju studentëve që diplomohen sot! Ju keni investuar kohën, përpjekjet dhe pasionin tuaj në këtë rrugëtim.
Ju nuk keni qenë vetëm, keni pasur familjet tiaja si mbështetje.
Jam i bindur se këto studime po i përfundoni jo vetëm me më shumë dije, por edhe me më shumë përgjegjësi për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më të hapur, më të zhvilluar e më evropiane.
Urime për këto arritje!
Rrugë të mbarë dhe suksese në gjithçka që ju pret!