Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 2185

Fjalime

Fjala e Presidentit të Republikës, SH. T. Z. Bajram Begaj, në San Cosmo Albaneze

Miq të San Cosmo Albaneze,

Të nderuar autoritete civile, ushtarake dhe fetare,

Vizitat e këndshme të këtyre ditëve, si dhe mikpritja e jashtëzakonshme e autoriteteve dhe komunitetit arbëresh, më kanë mbushur me emocione shumë të veçanta.

Më kanë dhënë energji shumë të veçantë, duke më shtyrë të njoh e të thellohem edhe më tej në vlerat dhe elementët historiko-kulturorë që ju keni trashëguar brez pas brezi e që na lidhin dhe përfaqësohemi së bashku.

Kjo vizitë në Arbërinë e Kalabrisë, si dhe të gjitha takimet që kam bërë, përfshirë dhe këtë sot me ju, jo vetëm që kanë konfirmuar pritshmëritë e mia, por më kanë forcuar edhe më shumë bindjen, se mundësitë e bashkëpunimit janë të shumta midis rajoneve të Shqipërisë dhe të Rajonit të Kalabrisë.

Së bashku, e në koordinim të ngushtë, institucional dhe mes sipërmarrësve dhe në mënyrë të veçantë operatorëve turistikë, mund të nxisim edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe turistik, duke zhvilluar projekte konkrete të përbashkëta dhe të qëndrueshme.

Përfitoj nga rasti të shpreh vlerësimin tim për mbështetjen që Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, zoti Occhiuto i ka dhënë komunitetit arbëresh të këtij rajoni, e në mënyrë të veçantë Fondacionit të Institutit Rajonal Arbëresh të Kalabrisë, që drejtohet nga Komisioneri Madeo.

Jam i bindur se përmes promovimit dhe mbështetjes së bashkëpunimit midis Rajonit të Kalabrisë dhe Shqipërisë, do të krijohen mundësi të shumta shkëmbimesh në fusha të ndryshme e me interes të ndërsjellë, me një ndikim të drejtëpërdrejtë edhe në industrinë turistike e kulturore.

Vlerat e përbashkëta historike e kulturore përmbajnë elementë shumë tërheqës, që na frymëzojnë për të hartuar një program të përbashkët strategjik, për të promovuar më mirë ekosistemin tonë të jashtëzakonshëm dhe bukuritë natyrore. Kjo do të na mundësonte rritjen dhe zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të integruara turistike, në të dy territoret.

Gjatë këtij viti, Shqipëria ka përjetuar një boom turistik, ku një vend shumë të rëndësishëm kanë zënë turistët e ardhur nga Italia.

Mbi gjysmë milion turistë italianë vizituan Shqipërinë vetëm gjatë këtij viti, deri tani, aq sa shpesh me humor dëgjohej, se “italianët po na pushtojnë sërish”. Mes tyre, për disa ditë, ishte dhe Kryeministrja, Giorgia Meloni.

Shumë prej turistëve italianë vinin për herë të parë në Shqipëri dhe shprehnin me admirim por dhe me habi, se si vetëm pak kilometra larg Italisë, ndodhej ky vend i mrekullueshëm, e me popullsi mikpritëse që komunikon lirshëm në gjuhën italiane.

Këto potenciale turistike shqiptare, si dhe potencialet e konsoliduara turistike të Rajonit të Kalabrisë, që laget nga dy dete dhe me peisazhe të mrekullueshme, na bëjnë optimistë për mundësitë e panumërta të bashkëpunimit të koordinuar dhe të integruar në fushën e turizmit.

Përmes këtij bashkëpunimi, së bashku mund t’i promovojmë shumë herë më mirë potencialet dhe karakteristikat tona identitare, si dhe ta ruajmë e ta përmirësojmë trashëgiminë tonë të pasur historike e kulturore.

Turizmi kulturor padyshim që mbetet në qendër të kësaj industrie, duke e shtrirë mundësinë e bashkëpunimit gjatë gjithë vitit, ndryshe nga turizmi sezonal, që shfrytëzon vetëm klimën e mrekullueshme gjatë sezonit të verës, në 3 apo 4 muaj.

Bashkëpunimi në këtë fushë do të krijonte mundësi të shumta edhe për të rinjtë tanë dhe inkurajuar ata që ta projektojnë të ardhmen e tyre në këto vende të mrekullueshme dhe jo t’i braktisin ato për një jetë ndryshe e më të mirë.

Sigurisht, kjo do të kërkonte zhvillimin e projekteve të përbashkëta, për trajnimin dhe aftësimin e të rinjve shqiptarë e arbëreshë në fushën e turizmit, historik, kulturor por edhe në atë sezonal apo kulinar.

Jam besimplotë, se së bashku do ta mundësojmë një gjë të tillë dhe ju siguroj për mbështetjen time në këtë drejtim.

Faleminderit!