Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 1489

Fjalime

Fjala e Presidentit të Republikës, SH. T. Z. Bajram Begaj, në Kolegjin e Sant’ Adriano-s

Të nderuar autoritete qeveritare dhe rajonale të pranishme,

Të nderuar përfaqësues dhe delegatë nga bashkitë arbëreshe,

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për mikpritjen e ngrohtë, dëshmi e lidhjes së fortë dhe të sinqertë që ekziston mes arbëreshëve dhe Shqipërisë. 

Gjej rastin të përshëndes Komisionerin Madeo, për punën e vyer që po kryen, për më tepër në një hark kaq të shkurtër kohor në krye të Fondacionit.

Për ne Kalabria është shumë më tepër se sa një rajon i Italisë mike dhe fqinje. 

Për ne Kalabria është gjithashtu shtëpia e vëllezërve dhe motrave tanë arbëreshë, që edhe pas kaq shekujsh, janë ende ngushtësisht të lidhur me atdheun e tyre të origjinës. 

Përgjatë historisë, jo vetëm ia dolët të ruanit më së miri të gjitha traditat më të bukura të të parëve tuaj, gjuhën, kulturën, këtu, në Kalabri, por u bëtë burim shprese dhe force në betejën për pavarësi të kombit shqiptar.

Kolegji i Sant’Adriano-s,  i krijuar me kërkesë të Papa Klementit të XII, ka një kontribut të rëndësishëm historik në edukimin dhe formimin kulturor të arbëreshëve dhe ruajtjes së traditave. Ky Kolegj ka nxitur diskutimin e temave të rëndësishme historike, që nga nevoja për liri e kombeve, te çështjet më bashkëkohore si ajo e domosdoshmërisë të bashkëjetesës ndërmjet kulturave. 

Jo rastësisht, përgjatë shekujve nga ky Kolegj kanë dalë emra të njohur të botës letrare, akademike e intelektuale arbëreshe, veprimtarë që kanë kontribuar në lartësimin e vlerave të kombit shqiptar, dhe traditave e kulturës arbëreshe, ashtu sikundër kanë bërë edhe për shoqërinë italiane. 

Kjo është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe arsimore në të gjithë Arbërinë italiane. Këtu u zhvillua veprimtaria e Institutit Ndërkombëtar të San Demetrio për Shqipërinë, i cili formësoi të rinjtë studentë nga vendi im dhe që edhe sot sheh mes lëndëve të tij mësimin e gjuhës shqipe.

Nga Jeronim De Rada, që jepte gjuhën shqipe, deri te Anselmo Lorecchio, i cili ndihmoi në pranimin e shumë studentëve shqiptarë në këtë Kolegj, ju jeni një nga shembujt më frymëzues të kauzës për mbrojtjen ë vlerave identitare. 

Në një botë ku shpesh për fat të keq, shohim ngjarje tragjike të nxitura nga ndarje ideologjike, kulturore apo fetare, vende si Kolegji i Sant’ Adrianos mund dhe duhet të promovojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës midis popujve dhe kulturave. 

Kontributi i arbëreshëve në Itali është prej shekujsh i mirënjohur dhe i vlerësuar. Por ky kontribut, është bërë i mundur edhe falë mbështetjes dhe solidaritetit të gjetur në këtë tokë, 600 vjet më parë, ku arbëreshët u pranuan dhe u respektuan me kulturën, traditat dhe identitetin e tyre. 

Ky solidaritet u tregua edhe ndaj një pjesë të shqiptarëve që pas komunizmit, zgjodhën sërish Italinë, për të ndërtuar jetesën e tyre këtu. Komuniteti arbëresh, si dhe ai shqiptar i ardhur dekadat e fundit në Itali, janë tregues i një vazhdimësie të lidhjeve të forta mes Shqipërisë dhe Italisë. 

Lidhjet e fuqishme historike, kulturore e njerëzore, duhet t’i përkthejmë edhe në një bashkëpunim më të gjerë dypalësh, me fokus në bashkëpunimin ekonomik, në sektorët e prodhimit, të tregtisë të produkteve cilësore agro-ushqimore, dhe padyshim në thellimin e shkëmbimeve kulturore, arsimore, sociale, e më gjerë. 

Në drejtim të investimeve, Shqipëria duhet të bëhet një pikë referimi për rajonin e Kalabrisë, duke patur parasysh garancitë që ofron në disa nivele, që nga siguria deri tek përmirësimi i infrastrukturës dhe ritmit të zhvillimit. 

Sot Shqipëria gëzon të gjitha kushtet për të krijuar dhe promovuar marrëdhënie të ndërsjella, për të krijuar një partneritet që mbështet investimet e sipërmarrësve tuaj në Shqipëri.

Për të gjitha sa thashë më sipër, tek shohim me respekt e mirënjohje të thellë, rolin e luajtur përgjatë shekujve nga të parët tuaj, në shërbim të ruajtjes së traditave, kulturës e identitetit, është gjithashtu e rëndësishme që të bashkërendojmë punën dhe forcojmë partneritetin në të gjitha nivelet. 

Ju garantoj se tek Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, do të gjeni një mbështetës të palëkundur të Kolegjit Sant’Adriano dhe të gjitha institucioneve të tjera të rëndësishme të edukimit për arbëreshët në Kalabri. 

Ju falënderoj dhe njëherë për mikpritjen!