Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 6379

Fjalime

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, me rastin e pranimit të titullit “Doctor Honoris Causa” nga universiteti publik “Kadri Zeka” i Gjilanit

Përshëndetje të gjithëve!

Së pari, dëshiroj të ndaj me ju të gjitha emocionet e këtyre dy ditëve në Gjilan. Është një vlerësim i papritur për t’u nderuar nga qyteti dhe nga universiteti. Në fakt, të dyja personifikojnë shumë. Në këto dy ditë, duke qenë “Qytetar Nderi” i Gjilanit dhe me vlerësimin e titullin “Doctor Honoris Causa” nga universiteti publik “Kadri Zeka”, nuk mund t’i fsheh dot emocionet.

Nga sot, lidhja me qytetin dhe universitetin është shumë më e madhe, por shumë e madhe është lidhja ime me Kosovën, dhe kjo lidhje do të jetë kurdo e kudo, në çdo rrethanë, në çdo situatë. Do të jem një nga avokatët më të mirë për të bërë detyrën që më takon, jo vetëm si President i Republikës së Shqipërisë, por dhe si një qytetar i kombit tonë, kombit shqiptar.

Marrja e këtij titulli, “Doctor Honoris Causa”, nga universiteti publik “Kadri Zeka”, është një domethënie shumë e madhe, mban emrin e birit të shquar të këtyre trevave, luftëtar dhe patriot shumë i madh për çështjen kombëtare dhe besoj se emri i tij ndriçon rrugën e universitetit, rrugën  e brezave dhe brezave të tërë që kanë studiuar këtu apo të atyre studentëve që studiojnë aktualisht, që i shoh atje në fund.

I nderuar Rektor i universitetit publik “Kadri Zeka”,

Të nderuar autoritete pjesëmarrës,

E nderuar Ministre,

Të nderuar profesorë, akademikë, studentë,

Të nderuar të pranishëm,

E nderuar familja Zeka,

Është një nder i jashtëzakonshëm për mua të marr këtë titull sot nga universiteti publik “Kadri Zeka”, një universitet që është më shumë se sa një hapësirë mësimdhënieje. Ky universitet është një institucion ku brezat formësohen dhe ku idetë marrin jetë.

Prandaj, ky vlerësim është jo vetëm një nder personal për mua, por edhe një përgjegjësi e madhe, një përgjegjësi e madhe për të mbështetur me çdo formë të mundshme atë që ky universitet  përfaqëson dhe çdo institucion tjetër shqiptar i arsimit të lartë.

Gjilani është qyteti ku, nëpërmjet Shkollës së Lartë Pedagogjike, janë përgatitur breza të tërë mësimdhënësish që prej vitit 1958. Dija dhe arsimi kanë qenë gjithmonë busulla e kombeve që duan të ecin përpara.

Për ne shqiptarët arsimi nuk është thjesht një e drejtë, por një domosdoshmëri historike. Nëse duam të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, një të ardhme të përparuar dhe një të ardhme të denjë për brezat që vijnë, nuk ka rrugë tjetër, nuk ka rrugë tjetër përveç dijes, përveç edukimit cilësor.

Sot, bota po ndryshon me një ritëm që nuk ka të krahasuar me asnjë epokë tjetër të historisë.

Inteligjenca artificiale, automatizimi, shkenca e të dhënave dhe teknologjitë e avancuara po ripërcaktojnë ekonominë, industrinë dhe vetë natyrën e punës dhe stilin e jetesës.

Në një botë të tillë, vendet dhe shoqëritë që nuk i përshtaten shpejt këtyre ndryshimeve, mbeten pas. Vendet që nuk investojnë te arsimi, do ta gjejnë veten në një hendek të pakalueshëm mes prapambetjes dhe zhvillimit.

Sot, teknologjia nuk është thjesht një mjet, por është një filtër për ndarjen e kombeve: në ato që do të udhëheqin dhe ato që do ta ndjekin nga pas.

Shqipëria dhe Kosova nuk mund të jenë vetëm ndjekëse. Nuk mund të jenë vetëm konsumatorë pasivë të dijeve dhe teknologjisë që prodhohet diku tjetër. Ne duhet të jemi kontribuues aktivë, por për këtë na duhet një rini, një rini e përgatitur, e arsimuar, e edukuar dhe e aftë. Na duhet një brez që jo vetëm e përdor teknologjinë në aktivitetin e përditshëm, por që zhvillohet dhe krijon të ardhmen nëpërmjet saj.

Dhe kjo nuk është një sfidë që mund ta kapërcejmë thjesht duke investuar në më shumë pajisje, në më shumë infrastrukturë apo në më shumë kompjutera personalë. Ne duhet të investojmë shumë më shumë në mendje të ndritura, në sistem arsimor të fortë, konkurrues dhe tërheqës për të plotësuar nevojat e tregut dhe shoqërisë tonë.

Historia e shqiptarëve tregon se në çdo epokë, ata që patën sukses, e patën vetëm nëpërmjet dijes, punës dhe pasionit.

Nëse sot kemi shqiptarë të suksesshëm në mjekësi, në shkenca, në art, në teknologji, në diplomaci apo akademi, ata ia dolën sepse investuan te vetja, te dija, investuan te vlerat.

Çdo brez i shqiptarëve që ka ecur përpara, ka ecur përmes edukimit dhe arsimimit, jo përmes fatit, jo përmes rrethanave të favorshme.

Dhe ky duhet të jetë leksioni ynë më i madh për të ardhmen. Ne kemi potencial. Ne kemi mendje të ndritura.

Ajo që duhet të bëjmë është të krijojmë një mjedis ku dijet dhe aftësitë të kthehen në veprim, në ndikim real për shoqërinë tonë.

Një komb që ka rini të shkolluar, është një komb që nuk mund të ndalet. Një komb që investon te rinia e tij, është një komb që shkon i sigurt drejt sukseseve dhe drejt arritjeve.

Sot, të rinjtë tanë duhet të marrin jo vetëm dije teknike, por dhe të edukohen me vlerat më të mira.

Në një botë gjithnjë e më komplekse, vlerat janë po aq të rëndësishme sa edhe dijet.

Ne duhet të rrisim një brez të ditur, një brez me moral, një brez të aftë profesionalisht me ndjenjën e përkatësisë, përgjegjësisë dhe interesit kombëtar.

Shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm në rajon.

Ne duhet të kemi vizion të qartë, edukim cilësor, ndjenjë të fortë për identitetin dhe misionin tonë kombëtar, si dhe për vlerat dhe përkatësinë tonë Euroatlantike.

Prandaj, nuk mjafton thjesht të kemi më shumë universitete, më shumë diploma apo më shumë programe studimi, por na duhen më shumë, më shumë njerëz të aftë. Na duhen më shumë shkencëtarë, më shumë sipërmarrës, më shumë mendimtarë dhe më shumë udhëheqës të përgjegjshëm, të cilët mendojnë për gjeneratën tjetër.

Kjo është sfida më e madhe e universiteteve tona sot: të prodhojnë njerëz të ditur dhe me integritet.

Edukimi nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm zgjedhje, është fati ynë. Le të jemi një komb që zgjedh dijen si rrugën e vetme të suksesit.

Trashëgimia jonë e pasur historike duhet të na shërbejë për të ndërtuar të ardhmen, të punojnë së bashku për një shoqëri më të ditur, më të fortë dhe më të drejtë për të gjithë shqiptarët.

Të nderuar të pranishëm,

Ky titull që më akordon sot universiteti “Kadri Zeka” është një nder për mua, por më shumë se kaq, është një kujtesë e fuqishme e përgjegjësisë për arsimin dhe për brezat e rinj që vijnë pas nesh.

Faleminderit universitetit “Kadri Zeka” për këtë vlerësim!

Falënderim të veçantë Senatit!

Faleminderit, i dashur Rektor!

Ripërsëris dhe një herë emocionet dhe nderimin e madh që kam përjetuar këto dy ditë në Gjilan, i cili do të mbetet gjithmonë në kujtesën time, jo vetëm si një kujtim i bukur, por edhe një përgjegjësi mjaft e madhe.

Shumë faleminderit!