Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të basketbollistëve të ekipit “Partizani” të vitit 1968

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të basketbollistëve të ekipit “Partizani” të vitit 1968

Është një lumturi për mua që të shpreh mirënjohjen më të thellë institucionale por njëkohësisht edhe personale dhe njerëzore për këtë “Partizan” të artë të vitit 1968.

Këtë ceremoni vendosa ta bënim tani dhe të ishte e fundit për këtë vit, për Vitin e Skënderbeut në kuadër të nderimeve që si Institucion i Presidentit të Republikës kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme për të vlerësuar dhe për të shprehur mirënjohjen për ato arritje të jashtëzakonshme guximtare të ekipeve dhe të sportistëve më të mirë të Shqipërisë deri më sot.

Skënderbeu është ai që ka përcaktuar identitetin tonë europian. Medaljet që mbajnë emrin e Skënderbeut padyshim që në radhë të parë u takojnë atyre që kanë bërë më shumë që Shqipëria të njihej në Europë në periudhën për fat të keq më të vështirë të izolimit të saj nga e gjithë bota.

Ajo që ka ndodhur në vitin 1968 është vërtetë një arritje e jashtëzakonshme historike, po të kemi parasysh faktin që ishte hera e parë që “Partizani” lejohej të merrte pjesë në Kupat e Europës. Dhe për herë të parë të ndeshej me gjigandët e Italisë, por jo vetëm të Italisë, me gjigandët e Amerikës, të Argjentinës dhe me një trajner që kishte një emër aq të madh si Stankoviç, i cili më pas për disa dekada drejtoi gjithë basketbollin europian.

Ka qenë një sfidë jashtëzakonisht e vështirë dhe këtë më mirë e dinë vetë protagonistët e asaj ndeshjeje, por padyshim që e mban mend i gjithë opinioni sportdashës dhe mbarë populli shqiptar që në atë kohë gëzimet i kishte me pikatore. Kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme sepse vendosi themelet për disa dekada për afirmimin jo vetëm të “Partizanit”, por edhe të basketbollit tonë në arenën europiane dhe në atë ndërkombëtare. Jo vetëm kaq, por kuptohet që frymëzoi edhe mjaft të rinj dhe ekipe në disiplina të tjera sportive, sepse këto ngjarje të mëdha që vendosi një standard të ri më të lartë sjellin edhe një vetëbesim më të madh për të kuptuar se nuk ka asgjë të paarritshme në rast se guxon, në rast se ëndërron, por mbi të gjitha në rast se i përkushtohesh kësaj ëndrre dhe këtij projekti me punë, me pasion dhe me frymë ekipi.

Këtë besoj e di më mirë se të gjithë ne trajneri ynë i dashur, z.Astrit Greva, i cili në atë kohë ka qenë jashtëzakonisht i ri bashkë edhe me trajnerin tjetër, i cili ka qenë ndihmësi i tij, profesor Njazi Lleshi, ashtu sikurse e di shumë mirë edhe ekipi që ka shkëlqyer në atë ndeshje dhe padyshim që e di shumë mirë edhe Agim Fagu, legjenda e basketbollit tonë, të cilin ne patëm nderin që në 70-vjetorin e lindjes së tij ta nderonim këtu me Urdhrin më të lartë, atë të Skënderbeut, por padyshim që e di mirë i gjithë ekipi.

Ne kemi bashkëpunuar gjatë gjithë kësaj kohe për të përgatitur këtë ceremoni dhe për të bërë disa vlerësim të cilat natyrisht nuk janë të fundit, por unë ndihem vërtetë mjaft i kënaqur dhe përulem si President i Republikës përpara këtij ansambli të mrekullueshëm, i cili dha një mesazh të jashtëzakonshëm 50 vite më parë, mesazh që mbetet aktual dhe sot. Një nga qëllimet e kësaj ceremonie është pikërisht për të rikthyer vëmendjen, shpresën dhe besimin te basketbolli, te volejbolli te shumë sporte të tjera ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe ku me pak investime dhe me shumë pason përsëri mund të realizohen ëndrra të mëdha, që i japin një tjetër vend të nderuar Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Edhe një herë faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj. Falënderojmë edhe familjarët që ju kanë mbështetur dhe natyrisht duke i uruar edhe “Gëzuar Vitin e Ri”, uroj edhe sportin tonë që të ketë më shumë arritje.

Sepse sporti na duhet, jo vetëm për të përmirësuar më tepër imazhin e vendit në Europë dhe në botë, – sepse me pak investim në sport mund të bëjmë një ndryshim të jashtëzakonshëm pozitiv për imazhin e vendit, sikurse ka ndodhur -, por njëkohësisht na duhet edhe për të përfshirë më shumë të rinjtë dhe fëmijët në botën e sportit, të edukimit fizik, për të pasur një rini larg veseve dhe një rini të shëndetshme dhe me besim tek e ardhmja. Edhe një herë faleminderit dhe lavdi Partizanit të 18 dhjetorit 1968!

]]>