Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Gazetaret 2

Fjalime

Fjala e Presidentit Begaj në ceremoninë e dhënies së çmimit të gazetarit të vitit nga organizata Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Faleminderit që më ftuat të jem i pranishëm në ceremoninë e 15-të të ndarjes së çmimeve në gazetari.

Sot është një ditë e veçantë për të vlerësuar punën e një viti, ndaj më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për të ndarë me ju disa refleksione mbi punën tuaj.

Në fillim dëshiroj të shpreh vlerësimin tim maksimal për detyrën e vështirë që keni. Sot misioni juaj për informim të drejtë, asnjanës dhe objektiv është shumë i vështirë, por jo i pamundur.

Këtë e tregon fakti se pavarësisht sfidave, ka gazetarë të cilët shkëlqejnë si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë njerëzor.

Janë gazetarë të cilët përbëjnë shembuj të suksesshëm dhe që tregojnë se gazetaria e mirëfilltë ende është gjallë dhe kultivohet. Prandaj promovimi i shembujve të tillë është me rëndësi për brezin e sotëm dhe të ardhshëm të gazetarëve.

Dhe kjo më sjell te një tjetër aspekt. Shpesh e kritikuar, shumë herë e nënçmuar dhe rrallëherë e vlerësuar drejt, puna juaj lidhet me besimin tek një kauzë e lartë: informimi i paanshëm dhe sensi analitik për t’i dhënë kuptim ngjarjeve dhe jetës së përditshme shoqërore.

Kjo kauzë kërkon njerëz profesionistë dhe idealistë, që besojnë te idealet e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë publike. Ndaj ju inkurajoj të mos dorëzoheni para vështirësive, sepse përkushtimi dhe guximi juaj për të përcjellë te publiku informacion të saktë dhe objektiv është kontribut për mirëqenien e shoqërisë.

Ju duhet të ndiheni jo vetëm të inkurajuar, por dhe të sigurt në kryerjen e detyrës tuaj. Marr rastin të përsëris edhe një herë mbështetjen time maksimale për ju. Raste të dhunës fizike kundër gazetarëve duhet t’i përkasin një kapitulli të mbyllur, njësoj si rastet kur cënohet liria profesionale dhe e të shprehurit, nëpërmjet presioneve direkte apo indirekte.

Natyrisht, garantimi i lirisë së shprehjes dhe krijimi i kushteve për një gazetari të mirëfilltë, duhet shoqëruar me edukimin e vazhdueshëm të vetë gazetarëve. Ju keni një mision që i tejkalon caqet e informimit sepse i jepni kuptim morisë së lajmeve, duke krijuar një narrativë publike që mbetet në histori.

Para disa ditësh mora pjesë në një aktivitet ku tema ishte historia e Shqipërisë. Vërtet, historianët shkruajnë historinë e madhe, por motivet e saj janë thurur nga dora e gazetarëve të kohës. Historia jonë që do të shkruhet nesër varet nga finesa e dorës, mprehtësia e mendjes, pastërtia e ndërgjegjes tuaj dhe paanshmëria profesionale. Kam besim se do të jeni në lartësinë e misionit tuaj fisnik.

Ju faleminderit!