06/06/2024• Fjalime, Lajme• Bianka Hada
Përshëndetje!
E pranova me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë!
Së pari, kjo konferencë është një instrument i rëndësishëm për të promovuar bashkëpunimin mes nesh dhe për të kontribuuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Së dyti, për tematikën që keni zgjedhur, angazhimin e të rinjve në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, nxitjen e përfshirjes së të rinjve në çështjen e mbrojtjes dhe sigurisë, nxitjen e inovacionit dhe trajtimin e sfidave të rekrutimit dhe qëndrimit në Forcat e Armatosura.
Së treti, për faktin se disa prej jush unë i njoh, i kam miq të vjetër dhe të mirë.
Dua të falënderoj secilin prej jush për pjesëmarrjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë!
Ju si Shefa të Shtabeve të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të vendeve të Ballkanit, jeni kolonat mbi të cilat mbështetet paqja dhe siguria e këtij rajoni.
Ne jemi dëshmitarë të një bote që ndryshon me shpejtësi, ku sfidat e sigurisë janë në rritje dhe ndryshojnë çdo ditë.
Nga kërcënimet kibernetike, klimatike, deri te krizat humanitare dhe konfliktet rajonale, sot është e rëndësishme të kemi Forca të Armatosura të përgatitura, fleksibël dhe proaktive.
Në veçanti, agresioni i padrejtë rus kundër Ukrainës ka treguar jo vetëm brishtësinë e arkitekturës së sigurisë botërore, por edhe se si po ndryshon vetë arti i luftës.
Lufta moderne tashmë nuk është një luftë konvencionale, por ka natyrë hibride dhe asimetrike.
Komponentë të rëndësishëm të luftimit, si dronët, por jo vetëm, kanë nxjerrë në pah nevojën e rritjes së kapaciteteve elektronike ushtarake dhe ndërlidhjes së sistemeve të ndryshme.
Mbi të gjitha, nevoja për profesionistë ushtarakë, në gjendje që të përdorin sisteme të sofistikuara, dhe kjo është e rëndësishme, është jetike për çdo forcë ushtarake, por edhe të aftë për të bashkëpunuar për sigurinë tonë e komunikuar në funksion të paqes.
Në këtë kontekst, roli i të rinjve në kontributin për paqen dhe sigurinë bëhet edhe më jetik.
Rinia është garancia e të ardhmes. Edukimi i saj me kulturën e dialogut, të respektit reciprok, të pranimit të diversitetit dhe të fqinjësisë së mirë krijon kushtet për një të ardhme më të mirë e më të sigurt.
Rinia është e ardhmja e Forcave tona të Armatosura dhe burimi i inovacionit që mund të ndryshojë mënyrën se si ne mendojmë dhe veprojmë në fushën e mbrojtjes.
Përfshirja e saj aktive në siguri dhe mbrojtje është e rëndësishme për të nxitur një ndryshim pozitiv dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e strategjive tona afatgjata.
Shumë nga të rinjtë e kanë njohur luftën, por e kanë njohur në mënyrë virtuale, nëpërmjet lojërave kompjuterike. Realiteti është cilësisht ndryshe.
Për këtë nevojitet që programet e edukimit dhe trajnimit ushtarak të përfshijnë mësime rreth luftës moderne, përgatitjes për qëndresë dhe përdorimit të teknologjive të reja.
Trajnimet duhet të adresojnë edhe përgatitjen psikologjike të të rinjve për situatat e stresit të lartë që shoqërojnë konfliktet.
Po me kaq rëndësi është edhe nxitja e inovacionit nëpërmjet teknologjisë dhe metodave të reja të trajnimit.
Të gjitha këto në funksion të paqes.
Ndaj, ne duhet të investojmë në arsimimin dhe trajnimin e të rinjve tanë, të ofrojmë mundësi për zhvillim profesional, si dhe të krijojmë një mjedis ku idetë e reja të mirëpriten dhe sfidat e reja të shikohen si mundësi.
Për të siguruar që Forcat tona të Armatosura të jenë moderne e të qëndrueshme, duhet të fokusohemi në nxitjen e rekrutimit dhe të mbajtjes së talenteve.
Ne duhet të krijojmë një kulturë ku respekti, integriteti, përkushtimi dhe avancimi në karrierë për profesionistët ushtarakë të jenë në qendër të çdo veprimi.
Për ne shqiptarët, të jesh anëtar i Forcave të Armatosura, duhet të shihet jo thjesht si profesion, por si mision i lartë për ruajtjen e atdheut, paqes e sigurisë.
Para nesh kemi një mision të madh dhe sfidues, por, gjithashtu, shumë premtues.
Me angazhimin e të rinjve dhe përqafimin e inovacionit ne mund të ndërtojmë një të ardhme ku siguria dhe stabiliteti të garantohen për të gjithë qytetarët tanë.
Brezi i ri, gjithashtu, duhet të mësojë nga historia e rajonit tonë dhe të mos përsërisë gabimet e të kaluarës konfliktuale.
Ende sot ndihen pasojat e tragjedive nga një e kaluar, që nuk duhet përsëritur kurrë më.
Kemi detyrën dhe misionin historik që Ballkani të shndërrohet në një rajon të integruar, ku të mbizotërojë mirëkuptimi, bashkëpunimi i gjithanshëm, paqja dhe orientimi i palëkundur Euroatlantik.
Shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi.
Si anëtare e NATO-s dhe kandidate tashmë me përvojë të gjatë në procesin e anëtarësimit, pavarësisht se ngelemi shumë shpesh në klasë, Shqipëria mbështet çdo iniciativë dhe nismë që krijon kushtet për bashkëpunim, bazuar te fqinjësia e mirë dhe respekti reciprok.
Jemi të vetëdijshëm që kemi ende sfida përpara.
Këto sfida tejkalohen duke përmirësuar marrëdhëniet ndërshtetërore, duke zgjidhur mosmarrëveshjet e vjetra përmes diplomacisë aktive, si dhe duke bashkëpunuar më ngushtë në mbrojtjen e përbashkët për të krijuar një rrjet të sigurisë rajonale.
Kam bindjen se Konferenca e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të vendeve të Ballkanit, konferenca juaj, do të vijojë të jetë pararojë në promovimin e bashkëpunimit në funksion të paqes dhe sigurisë.
Ju më shumë se kushdo tjetër e njihni vlerën që ka paqja në parandalimin e tmerreve të luftës.
E përshëndes pjesëmarrjen e Kroacisë dhe Sllovenisë si vëzhguese në këtë konferencë, por ky forum, më lejoni të them, do të ishte akoma më i plotë me pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës.
Gjej rastin të përshëndes vendimin e Asamblesë së NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës si anëtare të asociuar, si një hap drejt një rajoni më të sigurt dhe më evropian.
E kam theksuar dhe do të vijoj ta theksoj se anëtarësimi i Kosovës në iniciativa dhe organizata ndërkombëtare politike dhe të sigurisë në rajon, por edhe globale, si Karta e Adriatikut A5, do të jetë vlerë e shtuar dhe kontribut i jashtëzakonshëm për paqen dhe sigurinë.
Le të punojmë së bashku, si një rajon i bashkuar, për të përballuar sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që na ofron kjo epokë e re, të cilën po e jetojmë.
Ju falënderoj dhe punime të mbara!