30/10/2023• Fjalime• Bianka Hada
Të nderuar profesorë dhe studiues,
I dashur Afrim,
Zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj për mundësinë për të folur parpara jush me rastin e botimit të veprës “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”. Vepra juaj është frut i një pune shumëvjecare, voluminoze dhe kurajoze e ekipit të palodhur të studiuesve.
Vepra “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX-të” ka sjellë shumë risi, por unë do të ndalem në dy-tri prej tyre, pa dashur t’iu heq rëndësinë të tjerave:
E para, lidhet me shfrytëzimin e burimeve të reja arkivore, që do të ndihmojnë në krijimin e një panorame historike më të plotë. Pa një larmi të tillë, historia mbetet jo vetëm e cunguar në informacion, por edhe e mangët në krijimin e një narrative të plotë kombëtare.
E dyta, prek përfshirjen e historianëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia dhe Diaspora. Mbështetja e tyre është jetike për studimin dhe kërkimin shkencor sot dhe në të ardhmen. Historia mund të influencohet nga të gjithë, por merr rëndesinë e duhur kur shkruhet nga historianët, të cilët garantojnë jo vetëm aplikimin e metodës shkencore, por edhe objektivitet dhe integritet.
E treta, lidhet me ndërveprimin me institucione të tjera kërkimore.
Nëse më lejoni, një analogji: “Historia” është si një skulpturë, të cilën, për ta njohur, duhet ta shohësh nga këndvështrime të ndryshme. Ajo vërtetë mund të shkruhet nga historianët, por kërkon kontributin e studiuesve nga fusha të ndryshme. Po aq rëndësi sa kanë ngjarjet politike në kuptimin e situatave të caktuara, ato do të mbesin si teka individuale nëse nuk merren si pjesë e totalitetit të zhvillimit të një kombi ku arti, kultura, gjuha, doket e zakonet luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm.
E them këtë duke pasur parasysh se historia luan rol vendimtar për formimin dhe ruajtjen e identitetit të popullit tonë, pasi nuk është thjesht një koleksion faktesh dhe ngjarjesh nga e kaluara, por është vetë esenca e asaj çfarë ne jemi si individë, si bashkësi dhe si komb.
Si arkiva më e madhe me mësime nga e kaluara, historia na jep mundësi të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, por të ndërtojmë një të ardhme duke u mbështetur te sukseset dhe përvojat pozitive të mëparshme.
Hulumtimi i historisë sonë nuk duhet të mjaftohet me vlerësimin e fakteve historike “për se” në një periudhë të caktuar, por edhe me domethënien e tyre, pasi historia e dukshme është shprehje, shenjë dhe mishërim i shpirtit të popullit tonë, i një populli që, pavarësisht sfidave të historisë, ka ditur të ruajë identitetin e tij duke përcjellë vlera thellësisht humane. Shtëpia e të Zotit dhe mikut mund të ketë qenë e varfër, por ka qenë gjithmonë bujare, krenare dhe me lidhje organike me trojet e saj.
Marrëdhënia jonë me të kaluarën nuk ka qenë e lehtë, ndaj shkrimi i drejtë dhe pa komplekse i historisë në përgjithësi, dhe i asaj të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë në veçanti, ka rëndësi:
Sepse kaluam një nga periudhat më të errëta, ku u deformua jo thjesht historia, por edhe shpirti i shqiptarit. Sikundër shkruante dikur At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue”, ne nuk duhet ta harrojmë çfarë ndodhi dhe nuk duhet ta minimizojmë duke relativizuar të keqen. Ne duhet të sigurohemi që e kaluara të mos përsëritet, ndaj kujtesa është me rëndësi.
Nuk mund të kesh të ardhme pa e njohur historinë. Në këtë kontekst, rrugëtimi ynë drejt Europës merr një kuptim të veçantë. Në një farë mënyre ai është kthim në origjinë, ndaj është me rëndësi që tregimi i drejtë i narrativës së kombit tonë të shihet nën dritën e përpjekjeve tona historike për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, me frymë europiane. Natyrisht, rrugës kemi patur pengesa dhe devijime, por kursi është i qartë dhe ne jemi të vendosur për destinacionin tonë drejt Europës demokratike.
Në përfundim të fjalës, dëshiroj të shpreh mbështetjen time për punën tuaj të palodhur dhe me rëndësi strategjike për kombin tonë.
E çmoj kontributin tuaj në veçanti, të shkencës albanologjike në përgjithësi, dhe i kuptoj vështirësitë me të cilat përballeni, sidomos sot, në kohën e ekonomisë së tregut, ndaj është me rëndësi sigurimi i fondeve të mjaftueshme për projekte që shtrihen përtej së tashmes dhe nevojave imediate.
Përpara disa javësh vizitova për herë të parë Kalabrinë, ku u takova me vëllezërit dhe motrat arbëreshë. Nuk kam fjalë të përshkruaj emocionet që ndjeva dhe respektin për atë pjesë organike të shqiptarisë, që kanë ditur të ruajnë vlerat e traditat për afro 6 shekuj. Aty kuptohej vërtetë pesha e historisë dhe se sa punë duhet për ruajtjen e identitetit dhe përcjelljen e tij në brezat që vijojnë. Arbëreshët ndër shekuj kanë vlerësuar me mënçuri se e kaluara nuk është çështje konformizmi apo komoditeti, por është çështje krenarie për çfarë ke qenë dhe çfarë je. Në këtë prizëm, kemi shumë çfarë të mësojmë prej tyre.
Ju falenderoj edhe një herë për punën e jashtëzakonshme, dedikimin e secilit prej jush dhe të Institucionit të Historisë, që vijon të dëshmojë profesionalizëm në përmbushjen e një misioni që i kalon kufijtë gjeografikë të vendit tonë!
Falemnderit!