Presidenti i Republikës së Shqipërisë

profil 1

Lajme

Fjala e Presidentit Begaj në forumin ekonomik “Re Focus Austria”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj ishte i pranishëm së bashku me Presidentin Federal të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Alexander Van der Bellen, në forumin e përbashkët ekonomik “Re Focus Austria”. Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi lidhjet ekonomike mes Shqipërisë dhe Austrisë.
profil 2
Fjala e plotë:
I nderuar President Van der Bellen!
Zonja dhe Zotërinj,
Kënaqësi që jam sot së bashku me mikun tim, Presidentin e Austrisë në këtë forum të përbashkët ekonomik.
Jam i lumtur që vizita e parë e Presidentit Van der Bellen në Shqipëri, ka në fokus të saj në mënyrë të veçantë bashkëpunimin ekonomik e tregtar midis dy vendeve tona.
Prania e sipërmarrësve austriakë në delegacion, është një tregues shumë domethënës, që tregon vëmendjen dhe dëshirën e mikut tim për t’i nxitur më shumë këto marrëdhënie. Gjatë takimeve të sotme, patëm kënaqësinë që të vlerësojmë, se veç lidhjeve të hershme historike e mjaft miqësore, është në interesin më të mirë të përbashkët, të forcojmë e zgjerojmë në vazhdimësi lidhjet ekonomike mes Shqipërisë dhe Austrisë.
Shqipëria ka parë gjithmonë tek Austria një partner mbështetës dhe shumë të vyer politik dhe ekonomik, të fuqishëm e me mjaft eksperiencë.
Kam vlerësuar gjithmonë ekspertizën tejet të veçantë austriake për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila ka qenë shumë domethënëse edhe në kontekstin e bashkëpunimit ekonomik.
Në mënyrë shumë simbolike ky Forum organizohet sot në ambientet e investimit të parë serioz austriak në Shqipëri, nga sipërmarrësi Robert Rogner.
Ai nuk ishte thjeshtë pionieri i investimeve austriake në Shqipëri, por mbi të gjitha themeluesi i një industrie të re të hoteleri-turizmit në Shqipëri.
Hyrja në tregun shqiptar e Bankës Raiffeisen, e shoqëruar më pas nga kompanitë austriake të mirënjohura në fushën e sigurimeve dhe të konsulencës juridike, krijuan jo thjesht një industri të re në fushat përkatëse, por ato u bënë promotoret kryesore për ndërtimin e besueshmërisë në nivel ndërkombëtar të tregut shqiptar, si dhe të thithjes së mëtejshme të investimeve të huaja.
Investimet e para austriake në Shqipëri, ishin jo vetëm shumë të rëndësishme por edhe u kryen në kohën kur pakkush investonte tek ne, si edhe në sektorë që në atë kohë praktikisht nuk ekzistonin, por që sot janë kthyer në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.
Sot sistemi bankar është rritur konsiderueshëm dhe mes të tjerash krediton me sukses ekonominë e vendit, ndërsa kapitali austriak zotëron një pjesë mjaft të rëndësishme të tregut në rritje të sigurimeve në Shqipëri.
Do të vlerësoja shumë, gjithashtu, përfshirjen më pas të kompanive e sipërmarrjeve austriake me investime serioze dhe shumë domethënëse në të gjitha sektorët e rëndësishëm strategjikë, si në fushën energjetike ashtu edhe në atë infrastrukturore.
Falë pranisë së tyre, sot kemi një sistem prodhimi energjetik shumë më cilësor, si nga ana teknologjike, ashtu edhe për nga niveli miqësor me mjedisin dhe komunitetet pranë tyre.
Në mënyrë të veçantë do të vlerësoja këtu kompanitë e mirënjohura Verbund dhe EVN, të cilat futën plotësisht në prodhim hidrocentralin e ASHTËS pranë Shkodrës.
Bashkë me hidrocentrale të tjerë më të vegjël të viteve 2010, hidrocentrali i ASHTËS shënoi fillimin e sektorit privat të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri.
Sot ky sektor prodhon rreth 40% të energjisë elektrike në vend.
Përfitoj nga rasti të shpreh edhe njëherë mirënjohjen për këtë kontribut tejet të rëndësishëm të shtetit dhe biznesit austriak në zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë.
Por gjithashtu besoj, se sa më sipër nuk do të kishte qenë e mundur pa një vullnet politik shqiptar, por mbi të gjitha pa kredibilitetin e sipërmarrësve të suksesshëm shqiptarë, gjithnjë në rritje.
Shumë prej kompanive të mësipërme austriake kanë besuar tek partnerët e tyre shqiptarë dhe sot ato janë ndër investimet më të besueshme të përbashkëta në tregun tonë.
Me dëshirën për të nxitur më tej investimet austriake në Shqipëri, më lejoni të përmend disa të dhëna inkurajuese në këtë drejtim.
Shqipëria sot ofron një kuadër ligjor mjaft miqësor, sa i takon investimeve të huaja, duke u mbështetur në parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së investitorëve.
Vlerësimi i Heritage Foundation për Lirinë ekonomike në vend, në vitin 2022, tregon se Shqipëria ka një liri të moderuar tregu dhe është e treta në rajon pas Sllovenisë e Kroacisë.
E njëjta gjë mund të thuhet për konkurencën në ekonomi, e cila sipas raportit të vitit 2022 të Komisionit Europian, paraqitet e moderuar.
Indeksi i demokracisë së Shqipërisë sipas The Economist Intelligence Unit, është përmirësuar gradualisht vitet e fundit.
Procesi i antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nënkupton përmirësime të mëtejshme të kuadrit ligjor e nënligjor, të efecientë në ekonomisë, si edhe rritje të konkurueshmërisë.
Kjo sigurisht do ta bëjë vendin edhe më tërheqës për investimet e huaja, sikurse ka treguar eksperienca e pjesës më të madhe të vendeve që janë anëtarësuar më parë në BE, si dhe të garantojë një zhvillim të qendrueshëm ekonomik e social të vendit.
Konstatoj me shumë kënaqësi se vitet e fundit ka rritje në flukset hyrëse të investimeve të drejtpërdrejta të kapitalit Austriak në Shqipëri, duke e vendosur Austrinë, nga ana sasiore, në vendin e partnerit të gjashtë më të rëndësishëm për Shqipërinë.
Përsa i përket tregtisë mes dy vendeve tona në mallra e shërbime më duhet të them se në raport me totalin e shkëmbimeve të Shqipërisë, por sigurisht edhe të Austrisë, shifrat janë relativisht modeste. Duket se ka potencial të madh e të pashfrytëzuar.
Pra ka përparime por ka ende mjaft rrugë për të bërë dhe kjo vlen edhe për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar midis Shqipërisë dhe Austrisë.
Uroj që ky forum të shënojë hapa përpara në këtë drejtim!
Duke përfunduar, ju falenderoj për vëmendjen dhe ju uroj shumë suksese në bashkëpunimin tuaj në të ardhmen!